POLITIKATË FUNDIT

Kurti paralajmëron “epokë të re”, Halilaj zbulon çfarë pritet të ndodhë me zyrtarët e pasuruar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë vizitave nëpër fshatrat në Prishtinë, ka takuar banorë, ku janë zhvilluar diskutime për të ardhmen e vendit, planet zhvillimore dhe çështjet e sigurisë shtetërore.

Gjatë kësaj vizite, Kurti theksoi edhe rëndësinë e krijimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e paraqitur atë si një mekanizëm të domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm.

Ai u shpreh se forcimi i institucioneve të tilla është pjesë e përpjekjeve për rritjen e transparencës dhe sundimit të ligjit në vend.

“Një nga gjërat që mendojmë se do ta përmirësojë shumë Kosovën është sjellja e drejtësisë për plagët e lëna nga korrupsioni. Është e domosdoshme të krijohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Nuk mund të ecet pa të. Brezit të ri nuk mund t’ia lëmë kështu Kosovën”, ka thënë ai.

Avokati Gazmend Halilaj, vlerëson deklaratën e Albin Kurtit për krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një hap konkret kundër korrupsionit.

Sipas tij, kjo nismë synon rikthimin e besimit në institucione dhe forcimin e drejtësisë, duke dërguar mesazhin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin apo të përfitojë në mënyrë të paligjshme nga pozita publike.

“Deklarata e Albin Kurti për krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është një mesazh i qartë se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të shoqërohet me mekanizma konkretë institucionalë. Në një shtet ku qytetarët për vite kanë humbur besimin tek drejtësia për shkak të pasurimeve të dyshimta të zyrtarëve, krijimi i një byroje të tillë shihet si hap i domosdoshëm për rikthimin e besimit në institucione.

Kjo iniciativë bart edhe një dimension moral dhe shoqëror: askush që ushtron funksion publik nuk duhet të jetë mbi ligjin, e aq më pak të pasurohet në mënyrë të pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve. Mesazhi i Kurtit se “brezit të ri nuk mund t’ia lëmë kështu Kosovën” lidhet drejtpërdrejt me nevojën për një shtet më të drejtë, ku puna dhe ndershmëria vlerësohen më shumë sesa lidhjet politike apo abuzimi me pushtetin”, theksoi ai për “Bota sot”.

Halilaj thotë se nisma mund të hasë kundërshtime, por nëse bëhet e pavarur dhe transparente, do të jetë mjet i fuqishëm kundër korrupsionit.

Ai thekson se zyrtarët duhet të justifikojnë pasurinë ose të përballen me hetim, duke forcuar llogaridhënien dhe barazinë para ligjit.

“Natyrisht, pritet që kjo iniciativë të përballet me kundërshtime politike dhe institucionale, sidomos nga ata që e shohin si kërcënim ndaj interesave të krijuara ndër vite. Mund të ketë tentativa për ta paraqitur si masë politike apo selektive, por nëse Byroja ndërtohet mbi standarde të qarta ligjore, transparencë dhe pavarësi institucionale, atëherë ajo mund të bëhet një nga mekanizmat më të fuqishëm kundër korrupsionit në Kosovë.

Për zyrtarët publikë, deklarata e Kurtit është paralajmërim se epoka e mosllogaridhënies duhet të marrë fund. Kush nuk mund ta arsyetojë pasurinë e tij me të ardhura legjitime duhet të përballet me hetim dhe konfiskim, sepse funksioni publik nuk mund të përdoret si mjet për pasurim personal. Në thelb, kjo është një thirrje për përgjegjësi, transparencë dhe barazi para ligjit”, – përfundon ai për gazetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *