Pse thikë pas shpine ndaj Qeverisë dhe popullit shumicë?
Përgjegjësia për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, kësaj here i takon LDK-së. Manipulimi me “listën për përkrahjen e Vjosa Osmanit” ishte mashtrim i pastër.
Kam qenë përkrahës i paepur i Vjosa Osmanit. Pse Vjosa Osmani hyri në grupin joformal kundër Kurtit, duke punuar pas shpine, dhe atë bashkë me “kryemercenarin e Serbisë”, Vuçiqin e Tiranës, alias Edvin Kristaq Rama, i cili bashkë me Vuçiqin e Beogradit gjithmonë ka punuar kundër Republikës së Dardanisë?
Si u shndërrua në palaço të atij që e nëpërkëmbi ish-presidenten, duke e bërë si një kukull lojërash për fëmijë dhe duke e dërguar nëpër tubime të “veteranëve të rrejshëm”, me – merreni me mend – “personalitetin kryesor” Ali Ahmetin, duke i premtuar se do t’i siguronte vota nga opozita, të cilën e kontrollon dhe e dirigjon me qëllimin e vetëm që, edhe në marrëveshje me Vuçiqin e Rusinë, Albin Kurti të mos lejohet assesi të vijë edhe njëherë në krye të Qeverisë.
Të gjithë janë bërë bashkë, edhe mjetet e kontrolluara të informimit nga opozita, të paguara nga Serbia, si dhe të ashtuquajturit “analistë” të studiove hibride televizive.
Si u tregua aq naive znj. Osmani që të bashkëpunojë me forcat antishqiptare, kur Dardania mori drejtimin e duhur? Si filloi të bashkëpunojë me Grenellin (njeri i paguar për lobim në interes të Serbisë dhe i dekoruar nga Vuçiqi), Gjuriqin dhe oligarkët e regjistruar në Serbi, si Devollët, të cilët publikisht janë deklaruar se do ta shkrijnë krejt pasurinë vetëm që Kurtin ta largojnë nga Qeveria, sepse ai gjatë tubimeve elektorale në Pejë publikisht ua tha se si veprojnë dhe se ende nuk ia kanë kthyer Telekomit borxhin që i kanë.
Abdixhiku është nën kontrollin e Devollëve dhe ai asnjë vendim nuk guxon ta marrë pa pëlqimin e tyre.
Pse znj. Osmani u lëshua në prehrin e një tradhtari dhe cili ishte ai çmim që Vjosa duhej ta fitonte me këtë rast? Nën një premtim se “Vuçiqi i Tiranës” po ia siguronte postin e presidentes – nuk e di se si – ajo ia dorëzoi shtetin atij që edhe në kohën e sulmit të bandave terroriste serbe në veri, kur ato morën kontrollin përkohësisht, deklaroi se veriu duhet të jetë tokë e askujt.
Si e lejoi ish-presidentja që, në emër të Dardanisë, “Vuçiqi i Tiranës” t’i drejtohet Trumpit lidhur me lirimin e Thaçit nga burgu i Hagës, të cilin vetë e ka dërguar me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale, me garancinë se ai nuk do të ishte i përfshirë në atë listë? “Tani atë po e bren ndërgjegjja”, në fakt përgjegjësia që ia vuri vetes si njeri i rëndësishëm.
Pa pikë turpi nuk po mund ta përpijë faktin se nuk do të jetë kandidate për presidente, sepse e ka tradhtuar atdheun, popullin dhe kauzën për ta larguar Serbinë përgjithmonë, ashtu siç z. Kurti, sipas jush, definitivisht e çliroi veriun dhe e shtriu sovranitetin në tërë territorin.
Si nuk të erdhi turp t’ia ngulësh thikën pas shpine Albin Kurtit dhe më shumë se gjysmës së popullit, me përkrahjen prej 51.1%, për herë të parë në historinë e Dardanisë?
Afrimi yt me “Vuçiqin e Tiranës” flet mjaft se gabimisht ke qenë në krye të shtetit dhe kurrë më në atë post nuk do të vish.
LDK-ja asgjë nuk ka të bëjë me rugovizmin, politikën dhe vizionin e Ibrahim Rugovës, sepse ai kurrë nuk do të lejonte që anëtarësia, kryesia apo strukturat udhëheqëse të gjendeshin në listën e atyre që e kanë vjedhur vendin duke u pasuruar jashtëligjshëm dhe që janë në grupin e banorëve të lagjes “Marigona” të Prishtinës, të cilët nuk e ndajnë fatin e përgjithshëm të popullit, por janë ata të cilëve nesër mund t’u konfiskohet pasuria e jashtëligjshme, e vjedhur nga populli, sipas Ligjit për konfiskimin e kësaj pasurie, e cila duhet t’i kthehet popullit.
Me këtë mentalitet dhe naivitet, kurrë në krye të shtetit nuk do të gjendesh. Ky popull, i lodhur nga të tillë njerëz, pasi ke hyrë në atë grup, kurrë më nuk do ta lejojë një gjë të tillë.
Enough is enough. (Mjaft është mjaft.)
