TË FUNDIT

Togeri i Policisë së Kosovës i dënuar për spiunazh ishte pjesëtar edhe i Policisë së Serbisë

Gjatë bastisjes që i është bërë shtëpisë së Bojan Jevtiqit, i dënuar para pak ditësh për spiunazh, janë gjetur dokumentacione që dëshmojnë se ai të paktën nga viti 2009 ishte pjesëtar edhe i Policisë së Serbisë, drejtoria për Gjilanin me bazë në Vranjë si dhe rezervist i ushtrisë së Serbisë.

Të gjitha këto janë përfshirë në aktakuzë dhe Jevtiq, edhe vetë i ka pranuar të gjitha gjatë gjykimit në Kosovë

Shefi i operativës së Policisë së Kosovës në pikën “Dheu i Bardhë” ishte edhe pjesëtar i Policisë së Serbisë e edhe rezervist i ushtrisë së këtij vendi.

Bojan Jevtiq i cili javën e shkuar është dënuar për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje me gjashtë vjet burgim e 2000 euro gjobë, e ka pranuar edhe në Prokurori se paralelisht me marrëdhënien e punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, kishte kontratë edhe me MPB-në se Serbisë që njihet si “MUP”, të paktën nga viti 2009.

Eprori i Policisë së Kosovës, sipas aktakuzës i ka raportuar drejtorisë paralele të Policisë së Gjilanit me bazë në Vranjë të Serbisë.

“Gjatë bastisjes së shtëpisë së të pandehurit, i është gjetur edhe një padi – një dokument katërfaqësh, i dorëzuar nga Vitomir Jevtiq, babai i të pandehurit Bojan Jevtiq, së bashku me 17 persona të tjerë, përfshirë edhe të pandehurin, të gjithë zyrtarë policorë të ‘Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë’. Padia është dorëzuar më 15.06.2016 në Gjykatën Themelore në Vranjë kundër ‘Republikës së Serbisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë – Drejtoria e Koordinimit për KM – Kosovë dhe Metohi’…”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë dokument thuhet se vendimet për statusin e punësimit nuk u janë dhënë drejtpërdrejt paditësve, por janë ruajtur në drejtorinë e policisë në Vranjë dhe më pas janë transferuar në qendrën e “MUP”-it në Beograd.

Në shtëpinë e Bojan Jevtiqit është gjetur edhe dëshmia se ai është rezervist i Ushtrisë së Serbisë.

“Në mesin e këtyre provave përfshihet edhe një certifikatë me nr. 417-2, e datës 14.03.2017, e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë, me të cilën vërtetohet se i pandehuri Bojan Jevtiq, me numër personal dhe vendbanim në Berivojcë, është liruar nga shërbimi ushtarak dhe është transferuar në rezervë. Kjo certifikatë është nënshkruar nga kryeshefi, majori Igor Milanoviq, dhe vërteton se i pandehuri duhet t’i përgjigjet çdo kërkese të ushtrisë serbe në rast nevoje”, thuhet në aktakuzë.

Jevtiqi e ka pranuar se ka kompromentuar një plan operativ konfidencial, të miratuar dy ditë pas sulmit terrorist në Banjskë, si dhe një urdhër tjetër për vigjilencë, një ditë pas sulmit terrorist në Varagë.

Në aktakuzë po ashtu është theksuar se për më shumë se dy vjet ka pasur policë të Kosovës që e kanë pasur përshtypjen se Jevtiqi i ka shërbyer Serbisë.

E hetimi i udhëhequr nga prokurori special, Bekim Kodraliu, ka shpalosur se një polic e ka pyetur togerin e dënuar tash për spiunazh se a do ta ndalte Policia e Serbisë po të kalonte në territorin e shtetit fqinj.

“Nga zbatimi i masave të veçanta vërtetohet se i pandehuri Bojan Jevtiq interesohej te BIA serbe nëse do të ndaloheshin disa zyrtarë policorë kosovarë gjatë kalimit në territorin e Serbisë. Siç është rasti i një zyrtari policor që punon në Pikën Kufitare Dheu i Bardhë, i cili më 21.07.2024 e telefonon të pandehurin Bojan Jevtiq dhe i tregon se ndodhet në Zvicër dhe dëshiron të kthehet përmes Serbisë, duke e pyetur nëse mund të udhëtojë nëpër atë territor – për çka i pandehuri e njofton se kishte pyetur në BIA dhe se ai nuk ishte në listën e ndalimit. Po ashtu, janë evidentuar edhe disa raste të tjera, tashmë të elaboruara në dëshmitë personale të këtyre personave/zyrtarëve policorë”, thuhet në aktakuzë.

Jevtiqi ishte në kontakt me zyrtarët e BIA-s Sasha Qiriq, Ivica Stakoviq, Branimir Filiq, Nebojsha Nedelkoviq dhe një person të paidentifikuar që ai e kishte të ruajtur në telefon si “Radica Carina” që shqip përkthehet “Radica Doganë”.

Pos planeve e urdhëresave të policisë, Jevtiqi i ka çuar informata Serbisë për atë se kë e ka ndalur Policia e Kosovës, por edhe raporte inteligjente që lidheshin me kontrabandën me migrantë, narkotikë dhe mallra.

Bojan Jevtiq është zyrtari i parë policor i Policisë së Kosovës i dënuar për spiunazh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *