Juristi paralajmëron krizë politike pas zgjedhjeve: Pa marrëveshje, zgjedhjet mund të dalin të kota
Juristi dhe profesori Blerim Burjani ka paralajmëruar mundësi të thellimit të krizës politike në vend, nëse pas zgjedhjeve nuk arrihet një marrëveshje funksionale mes partive kryesore.
“Gjasat janë për krizë nëse nuk do të ketë marrëveshje paszgjedhore,” ka thënë Burjani, duke theksuar se problemi nuk qëndron vetëm te partitë politike, por edhe te vetëdija qytetare.
Sipas tij, mënyra e të menduarit politik dhe sjellja e votuesve po ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin institucional.
“Vetëdijesimi qytetar po mungon. Problemi është tek mënyra e të menduarit politik të qytetarëve. Nëse vazhdohet kështu me votu, kriza është e gatshme dhe vetëm sa fuqizohet pas zgjedhjeve,” është shprehur ai.
Burjani ka shtuar se, në mungesë të një marrëveshjeje politike, zgjedhjet rrezikojnë të mos prodhojnë zgjidhje.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Do të jenë të kota zgjedhjet pa zgjidhje. Të shpresojmë se ekziston ndonjë marrëveshje mes VV dhe LDK që do të ishte e pranueshme për VV,” ka deklaruar ai.
Duke komentuar edhe skenën opozitare, ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rrezikon të përballet me rënie të theksuar elektorale.
“AAK rrezikon të shuhet fare, të mos e kalojë pragun,” është shprehur Burjani.
Në lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai ka theksuar nevojën për organizim më të fortë të brendshëm dhe kontakt më të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“LDK duhet të jetë kompakte me elektoratin e saj,” ka thënë ai.
Burjani ka përmendur edhe rolin e figurave politike në mobilizimin e votuesve.
“Shkuarja e Vjosa Osmanit së bashku me Lumir Abdixhikun derë më derë mund të sensibilizojë shumë elektoratin e LDK-së për të votuar,” ka theksuar ai.
Sipas tij, partitë duhet të rrisin angazhimin në terren dhe jo vetëm në media.
“Lobizimi duhet të bëhet edhe nëpër degë. Duhet t’i vizitojnë degët e LDK-së nëpër Kosovë. Duhet shumë më shumë punë, jo vetëm dalje në media, por edhe vizita në terren,” ka përfunduar Burjani.
