POLITIKATË FUNDIT

Kur drejtësia frikësohet nga emrat, atëherë qytetari fillon të frikësohet nga shteti

Kosova po hyn në një fazë të rrezikshme politike dhe morale, kur dhuna ndaj kundërshtarit politik jo vetëm relativizohet, por në heshtje po normalizohet. Sulmi fizik ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani në Skenderaj, për të cilin u akuzua kryetari i komunës Sami Lushtaku dhe njerëzit rreth tij, nuk është më një incident lokal mes militantësh partiakë. Ai është një alarm për vetë shtetin.

Kur një kryetar komune, figurë publike dhe ish-komandant lufte, përmendet në një ngjarje të tillë dhe nuk përfundon menjëherë para drejtësisë me masa serioze sigurie, mesazhi për qytetarët është brutal: ligji nuk vlen njësoj për të gjithë.

Akoma më e rëndë është heshtja politike. Një pjesë e opozitës u fsheh pas formulimeve të vakëta për “përmbajtje” dhe “gjuhë të urrejtjes”, ndërsa askush nuk pati guximin moral të thotë troç se rrahja e kundërshtarit politik është akt banditesk dhe anti-shtet.

Kjo nuk është më çështje partie. Është çështje e karakterit të Republikës.

Nëse një zyrtar publik mund të sulmohet në mes të qytetit, pranë komunës, në sy të qytetarëve, dhe i dyshuari të vazhdojë ditën normalisht në zyrë, atëherë problemi nuk është vetëm tek individi, por tek sistemi që është dorëzuar përballë kulturës së forcës.

Këtu lind pyetja më e dhimbshme: çfarë modeli po i ofrohet brezit të ri? Që pushteti fitohet me grushte? Që frika është argument politik? Që “komandanti” mbetet mbi ligjin edhe në paqe?

Lufta e UÇK-së ishte për liri dhe shtet ligjor, jo për kultin e të fortit lokal. Askush nuk ka monopol mbi sakrificën kombëtare. Askush nuk mund të përdorë uniformën e djeshme si licencë për arrogancën e sotme. Heroizmi i luftës nuk e amniston askënd nga përgjegjësia penale apo morale.

Pikërisht këtu Kosova ka dështuar për vite të tëra: nuk arriti ta ndajë sakrificën kombëtare nga paprekshmëria politike. Dhe kur drejtësia frikësohet nga emrat, atëherë qytetari fillon të frikësohet nga shteti.

Është paradoksale që Kosova kërkon t’i bindë aleatët perëndimorë se ka ndërtuar institucione demokratike, ndërsa në terren vazhdojnë skena që ngjajnë me territore klanore, ku autoriteti matet me numrin e truprojave dhe jo me fuqinë e ligjit.

Ky realitet e dëmton rëndë edhe vetë imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Sepse partnerët ndërkombëtarë nuk shikojnë vetëm deklaratat për demokraci; ata shikojnë nëse prokuroria vepron pa frikë, nëse policia guxon të prekë të fuqishmit dhe nëse gjykatat mbrojnë qytetarin e zakonshëm po aq sa politikanin.

Kur kjo nuk ndodh, atëherë forcohet bindja se drejtësia vendore ende nuk është e aftë të trajtojë rastet ku politika, lufta dhe ndikimi lokal ndërthuren mes vete. Dhe pikërisht në këtë vakuum mosbesimi u ngritën edhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë për Kosovën.

Mbrojtja publike e dhunës është po aq e rrezikshme sa vetë dhuna. Kur njerëz publikë dalin dhe e arsyetojnë sulmin me “provokime”, ata në fakt po legalizojnë logjikën primitive se kush nervozohet ka të drejtë të godasë. Kjo është filozofi e turmës, jo e republikës.

Kosova nuk ka nevojë për komandantë të paprekshëm. Ka nevojë për institucione të prekshme nga ligji. Nuk ka nevojë për heroizma folklorike televizive, por për prokurorë që nuk dridhen dhe gjyqtarë që nuk maten me kalkulime politike.

Sepse shteti nuk shembet vetëm nga armiku i jashtëm. Shpesh shembet nga heshtja ndaj dhunës së brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *