POLITIKATË FUNDIT

“Çdo grusht është plumb kundër Kosovës” – Mekuli me reagim të ashpër ndaj Sami Lushtakut

Gezim Mekuli, ka reaguar ashpër pas sulmit fizik që kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku ia ka bërë kryetarit të degës së LVV-në në këtë komunë, Hysni Mehani.

Ai në reagimin e tij në Facebook, e cilësoi këtë akt si një tregues të degradimit të kulturës politike dhe shoqërore në vend. Sipas tij, dhuna në politikë nuk e dëmton vetëm demokracinë, por edhe imazhin e Kosovës para botës, derisa ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe vetëpërmbajtje.

Mekuli ka theksuar se kjo ngjarje do të duhej të ishte “gozhda e fundit në arkivolin politik” të atyre që përdorin forcën në vend të fjalës dhe debatit demokratik, transmeton “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Kjo do duhej të ishte “gozhda e fundit në arkivolin e tij politik”

Në këtë kohë zgjedhjesh, ku tensionet janë rritur dhe përçarja po na prekë të gjithëve, ngjarja e fundit në Skenderaj është një alarm i rëndë për të gjithë ne. Kur në pikë të ditës, në kafene e në sokaqet e qytetëzes, grushtat dhe ofendimet zënë vendin e fjalës dhe të bisedës, kjo tregon se kemi rënë në një nivel që nuk na nderon dhe që po e dëmton rëndë shoqërinë tonë, marrëdhënjet tona në mes njeri-tjetrit dhe politikën tonë, natyrisht.

Të nderuar,

Në këto momente, të reagoni me emocione dhe me gjuhë të ashpër e të ulët është gabimi më i madh, sepse dhuna sjell dhunën. Nuk duhet të harrojmë se tensionet tona të brendshme dhe hallakamen janë pikërisht ato që Serbia e moçme, analistët dhe mediat e saj po presin me padurim që t’i shohin mes nesh; për të na vizatuar para dynjasë si një vend i egër, vend që nuk bëhet e me njerëz primitiv. Prandaj, sot kërkohet qetësi, maturi dhe vetëpërmbajtje absolute nga çdo qytetar, gazetar dhe politikan; ta ruajmë gjakftohtësinë dhe ta mbrojmë Kosovën tonë nga banditët duke mos rënë pre e provokimeve të tyre që synojnë të na përçajnë.

Të dashur,

edhe njëherë ju bëjë thirrje për urtësi, për kujdes me gjuhën, kujdes me tekstin, pjekuri dhe vetëpërmbajtje; ta ruajmë qetësinë dhe ta shndërrojmë këtë dhunë të “njeriut të fortë” në një fitore të qytetërimit shqiptar, sepse çdo grusht i hedhur ndaj njëri-tjetrit, çdo pikë gjaku në trupin e njëri-tjetrit është plumb i shkrepur vetëdijshëm kundër të ardhmes së Kosovës dhe qenies sonë shqiptare.

Konsekuent deri në fund: Fjala, fotografia dhe kallashnikovi janë armë të rrezikshme, mos luani me to, aman!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *