POLITIKATË FUNDIT

​Katër parti nuk dorëzojnë listat e kandidatëve në KQZ

Të martën ka përfunduar afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për partitë politike që t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bën të ditur se katër parti politike nuk kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve të tyre. Ato janë: Yeniliçki Türk Haraket Partisi, Kosovski Savez, Partia Balliste – P.B dhe Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale.

KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga 23 subjekte politike

“Gjatë periudhës 11-ditore, pra nga data 2 maj deri më 12 maj, KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur. Katër parti politike, të cilat më herët kishin njoftuar KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listat me emrat e tyre, pra të kandidatëve për deputetë”, tha Elezi.

Ai bën të ditur se nga 23 subjekte, numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra

“Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësojnë këto 23 subjekte politike është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra. Sipas planit të miratuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë të këtyre subjekteve politike pritet të përmbyllet deri më datë 15 maj, por paraprakisht do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin kriteret e caktuara ligjore”, përfundoi ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë mbahen më 7 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *