POLITIKATË FUNDIT

Kosova sërish në fokus të BE-së: Çfarë paralajmëron vizita e Marta Kos?

Marta Kos, komisionerja evropiane për Zgjerim, do ta realizojë vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë të premten, më 15 maj, në kuadër të angazhimeve të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Vizita e saj pritet të zhvillohet në një moment të rëndësishëm për raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, teksa në fokus mbeten dialogu me Serbinë, reformat evropiane, sundimi i ligjit dhe avancimi i agjendës integruese.

Vizita e komisionares evropiane vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian ka shtuar thirrjet për përparim konkret në dialogun Kosovë-Serbi, por edhe për zbatim të reformave që lidhen me funksionimin demokratik të institucioneve, administratën publike dhe sistemin e drejtësisë.

Kjo do të jetë vizita e parë e Marta Kos në Kosovë që prej marrjes së detyrës si komisionare për Zgjerim në institucionet evropiane.

Mehmeti: Vizita e saj është pritur moti dhe ka qenë dashur ta realizojë, përkundër mungesës së disa institucioneve në Kosovë

Opinionisti Gani Mehmeti në prononcimin e tij dhënë “Bota sot” e ka cilësuar vizitën e parë të Komisioneres për Zgjerim Marta Kos në Kosovë si të mirëseardhur, por të vonuar.

Ai thotë se kjo vizitë pritet ta afrojë më shumë Kosovën me BE-në dhe të shtyjë përpara procesin e marrjes së statusit kandidat.

“Marta Kos, Komisionerja e Bashkimit Europian, më në fund, pas një viti e gjysmë nga zgjedhja e saj, ka vendosur ta vizitojë Kosovën për herë të parë prej kur është zgjedhur në këtë post.

Vizita e saj është pritur moti dhe ka qenë dashur ta realizojë, përkundër mungesës së disa institucioneve në Kosovë. Me zgjedhjen e saj, ne patëm menduar e shpresuar se punët rreth integrimit të Kosovës me BE-në, do të bëhen më shpejt, e gjithsesi gjatë mandatit të këtij parlamenti europian. Megjithatë, vizita e saj është e mirëseardhur dhe e shumëpritur, por e vonuar.

Vizita e saj në Kosovë pritet që të sensibilizojë e të përafrojë më shumë Kosovën me BE-në, sepse koha po ecën. Kjo, me gjasë, do paraqesë kushtet e Kosovës për shpejtimin e dhënies së statusit kandidat për në BE”, thotë ai për “Bota sot”.

Mehmeti shton se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë Kosovën si partner serioz dhe të mos mbajë standarde të dyfishta ndaj saj.

Sipas Mehmetit, Kosova ka dëshmuar orientimin e saj euroatlantik dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike, ndërsa Serbia vazhdon të luajë me dy karta, duke mbajtur lidhje të afërta me Rusinë dhe duke destabilizuar rajonin.

Ai thekson se BE-ja duhet të jetë më e vendosur në mbështetje të Kosovës dhe të mos lejojë që proceset integruese të bllokohen nga interesa politike të vendeve mosnjohëse.

“Urojmë që mesazhi i saj të jetë shumë i mirëpritur, në favor të Kosovës e sa më afër BE-së. Mirëpo, këtu nuk duhet të kushtëzohet Kosova në dialog me Serbinë, sepse Serbia është ajo që bën eskivazhe, e cila, që në kohët e fundit, kryetari i saj, Vuçiq, kërcënon Kosovën me luftë, edhe në anën tjetër, sikur bëhet dele, duke thënë se ai është paqësor dhe se nuk do të bëjë luftë, por është pajisur me armatimin më modern, siç e thotë ai vetë, Vuçiqi. Pra, duhet kuptuar Serbinë agresore e kriminele, ndërsa Kosovën – viktimë, e jo të kundërtën, siç raportonin Borell e Lajçak, të cilët vinin nga dy shtete që nuk e njihnin e as e njohin edhe sot Pavarësinë e Kosovës.

Do të ishte i mirë mesazhi i saj, sikur t’i jepte statusin kandidat për Bashkimin Europian, për çka i plotëson kushtet bukur moti.

Nuk është mirë për BE-në, të ketë ndikim pakica mbi shumicën, pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, të pengojnë 22 vende të tjera në dhënien e statusit kandidat. Ato 22 vende që e njohin Kosovën, kapin 81.48% të BE-së, ndërsa ato 5 vebde që nuk e njohin Kosovën, bëjnë vetëm 18.52% ose janë më pak se një e pesta, ndërsa ato që e njohin janë më shumë se 4 të pestat, që nuk do duhej të kishte ndikim pakica mbi shumicën prej katëfishit.

Po shpresojmë se vizita e Marta Kos është një sinjal i afrimit me BE-në dhe një përkushtim më i madh i saj për Kosovën në të ardhmen, për çka edhe i takon” – shprehet ai.

Rexhepi: Kjo vizitë mund të shihet edhe si një mbështetje për kursin politik që ka ndjekur Qeveria Kurti në raport me integrimin evropian dhe forcimin e shtetit ligjor

Kurse, anëtari i Guxo-s, nëjherit analisti politik, Agim Rexhepi, vlerëson se vizita e parë e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, në Kosovë ka rëndësi të madhe politike dhe diplomatike.

Sipas tij, kjo tregon se Bashkimi Evropian po i kushton më shumë vëmendje Kosovës dhe e sheh atë si partner serioz në rajon.

Ai thekson se qeveria e Albin Kurti ka bërë progres në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen demokratike, gjë që po njihet edhe nga institucionet evropiane.

“Vizita e parë e Komisionares për Zgjerim të Marta Kos në Kosovë ka një simbolikë të shumëfishtë politike, diplomatike dhe strategjike, sidomos në një kohë kur Kosova po përpiqet ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe ta përshpejtojë rrugën drejt integrimit evropian. Kjo vizitë nuk duhet parë vetëm si një agjendë protokollare, por si një mesazh i qartë se Bashkimi Evropian po e rikthen Kosovën më fuqishëm në fokusin e politikës së zgjerimit.

Së pari, vet fakti që vizita e parë në rajon realizohet në Kosovë bart një domethënie të rëndësishme politike. Ajo dëshmon se institucionet evropiane e shohin Kosovën si një faktor stabiliteti dhe partner serioz në Ballkanin Perëndimor. Në vitet e fundit, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka ndërtuar një profil të ri institucional të Kosovës, duke vendosur theks të veçantë tek sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe qeverisja demokratike. Pikërisht këto janë shtyllat kryesore që kërkon Bashkimi Evropian nga vendet aspiruese për anëtarësim.

Në këtë kuptim, vizita e Marta Kos mund të interpretohet edhe si një njohje indirekte për progresin institucional që është bërë në Kosovë gjatë viteve të fundit. Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar vazhdimisht avancimin e Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e administratës publike, gjë që ka krijuar një perceptim më serioz për shtetin e Kosovës në qarqet evropiane”, tha ai.

“Për qytetarët e Kosovës, kjo vizitë pritet të përcjellë një mesazh shprese dhe afërsie me Bashkimin Evropian. Për një kohë të gjatë, qytetarët e Kosovës janë ndier të izoluar dhe shpesh të trajtuar padrejtësisht krahasuar me vendet tjera të rajonit. Prandaj, ardhja e Komisionares për Zgjerim në Prishtinë është një sinjal se Kosova nuk është jashtë agjendës evropiane dhe se BE-ja e konsideron të rëndësishëm angazhimin me institucionet dhe qytetarët e saj”.

Rexhepi konsideron se, vizita e Kos tregon rëndësinë që Bashkimi Evropian po i jep Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në aspektin strategjik dhe të sigurisë.

Sipas tij, kjo është një shenjë se BE-ja dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Kosovën, të dëgjojë institucionet vendore dhe të inkurajojë vazhdimin e reformave drejt integrimit evropian.

“Një mesazh tjetër i rëndësishëm lidhet me perspektivën evropiane të Kosovës. Kjo vizitë vjen në një periudhë kur dinamika gjeopolitike në Evropë ka ndryshuar ndjeshëm dhe Bashkimi Evropian po e kupton më shumë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, Kosova po shihet jo vetëm si një çështje rajonale, por edhe si pjesë e arkitekturës së sigurisë dhe stabilitetit evropian.

Po ashtu, vizita mund të konsiderohet si një sinjal për rritjen e vëmendjes së BE-së ndaj Kosovës. Në diplomaci, vizitat e nivelit të lartë nuk janë rastësore. Ato zakonisht ndodhin kur ekziston vullnet politik për të thelluar komunikimin dhe bashkëpunimin. Fakti që Komisionarja për Zgjerim po vjen personalisht në Kosovë tregon se Brukseli dëshiron të dëgjojë nga afër institucionet kosovare dhe të japë sinjale inkurajuese për vazhdimin e reformave” – thekson ai.

Në përfundim, analisti vlerëson se vizita e Marta Kos konfirmon mbështetjen e BE-së për Kosovën, progresin institucional dhe perspektivën e saj evropiane.

“Kjo vizitë mund të shihet edhe si një mbështetje për kursin politik që ka ndjekur Qeveria Kurti në raport me integrimin evropian dhe forcimin e shtetit ligjor. Pavarësisht sfidave dhe tensioneve politike në rajon, Kosova ka arritur të ruajë stabilitet institucional dhe të ndërtojë një qasje më dinjitoze në raport me partnerët ndërkombëtarë. Kjo ka ndikuar që Kosova të perceptohet si një shtet që po kërkon integrim mbi bazën e meritës dhe standardeve demokratike.

Në fund, vizita e parë e Marta Kos në Kosovë është më shumë sesa një takim diplomatik. Ajo është një mesazh politik se Kosova mbetet pjesë e perspektivës evropiane, se institucionet e saj po fitonë më shumë besueshmëri ndërkombëtare dhe se Bashkimi Evropian po e kupton gjithnjë e më shumë rëndësinë e një Kosove stabile, demokratike dhe të integruar në familjen evropiane” – përmbylli Agim Rexhepi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *