“Karrigia e Abdixhikut po lëkundet”, Muçiqi zbërthen prapaskenat
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se rikthimi i mundshëm i presidentes Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës lidhet me interesa të brendshme politike dhe familjare, si dhe me përpjekjet e kryetarit Lumir Abdixhiku për të konsoliduar pozitën e tij në parti.
Sipas Muçiqit, rikthimi i Osmanit në LDK mund të shpjegohet me dy motive kryesore.
Ai ka përmendur edhe lidhjet familjare mes bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, dhe Abdixhikut.
“Mendoj se rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK përmban dy motive. Motivi i parë është se Lumir Abdixhikut ka kohë që po i lëkundet karrigia në LDK. Janë tri fraksione, të cilat kanë qëndrime dhe aspirata të ndryshme. Prindon Sadriu, përkatësisht bashkëshorti i Vjosa Osmanit, dhe Lumir Abdixhiku janë tezakë mes vete, dhe kjo dëshmon se këtu janë të lidhura interesat, nga familja deri te maja e LDK-së”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.
Sipas tij, një rikthim i Osmanit në LDK do të shkaktonte pakënaqësi të konsiderueshme brenda partisë.
Muçiqi konsideron se Abdixhiku mund të ketë një strategji të qartë politike për ta propozuar Osmanin si presidente të ardhshme të vendit.
“Patjetër se ekzistojnë pakënaqësi serioze për rikthimin e saj në LDK. Këto pakënaqësi qysh tani kanë filluar të dalin në sipërfaqe, e kjo u pa edhe me rastin e Kuvendit të Këshillit të Përgjithshëm, ku disa figura të rëndësishme të LDK-së nuk morën pjesë, përkatësisht e bojkotuan kuvendin. Mendoj se LDK-ja, përkatësisht kryetari i saj, ka interes dhe po përdor strategji për ta nominuar Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Republikës së Kosovës. Njëherësh, nëse ajo i prin listës zgjedhore, Abdixhiku shpreson se do t’i amortizojë strukturat e pakënaqura të LDK-së”, ka theksuar ai.
Në fund, Muçiqi ka theksuar se pas zgjedhjeve të ardhshme nuk duhet të përsëritet situata e bllokimit institucional
“Dhe, në fund, mendoj se pas këtyre zgjedhjeve nuk ka më kuptim të ndodhë skenari i mëhershëm, që të bllokohen proceset në zgjedhjen e institucioneve të shtetit”, ka përfunduar Muçiqi.
