Dimal Basha reagon pas raportimeve për Deklaratën e Pavarësisë, ja si qëndron e vërteta
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka reaguar pas raportimeve lidhur me vendndodhjen dhe trajtimin e Deklaratës së Pavarësisë në objektin e ri të ministrisë.
Në reagimin publik, ai ka bërë të ditur se aktualisht ministria ndodhet në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës, ndërsa ka theksuar se këto procese menaxhohen nga zyrtarët e logjistikës dhe jo nga ministri.
Sipas Bashës, ambientet janë ende duke funksionuar në kushte të përkohshme, me orendi të bartura nga objekti i vjetër dhe me organizim të improvizuar.
Ai ka sqaruar se pjesë e inventarit të bartur është edhe Deklarata e Pavarësisë, për të cilën tha se “nuk është hudh”, siç është raportuar në disa media, por ndodhet në zyrë duke pritur që të vendoset në mur nga stafi përgjegjës.
Në fund, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e interpretimeve tendencioze, duke theksuar se ministria vazhdon punën në shërbim të qytetarëve me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesit publik.
