Bekteshi: ‘Festivali’ elektoral i LDK-së dhe hapja e portave
Sot LDK-ja i ngjan një anije që po mbytet derisa kapiteni i saj tenton të shpëtoj veten para pasagjerëve. Nesër hapen portat e LDK-së së madhe dikur, portat që në kohët e fundit hyri i linit e i leshit, njerëz që dështuan në partitë e tyre, apo njerëz që i sillte kryetari për të forcuar pozitën e luhatur të tij. Kështu veproi ai para këtij, kështu vepron kryetari aktual. Nesër, vjen Vjosa, ajo s’është kashtë, por një rrënje e shkëputur nga trungu.
Nesër do të tentojnë t’i shkruajnë vargjet e reja të demokracisë në LDK, apo, ndoshta vargjet e fundit rënkuese. Nesër Lumiri, ky humbës i madh që tenton të mbijetoj me marifete do të sjell dhe argat të ri në parti për të mbijetuar. Asnjëri me peshë pos njërës, që as ajo s’e di më a do të ketë peshën e vjetër në rikthim. Nesër, LDK-së i shkruhet një biografi e re, dhe le të shpresojmë se ky nuk është epitafi i saj.
Hapja e portave të LDK-së është shndërruar në një metafore, sepse ato hapen për njerëz me ftesa të posaçme nga kryetari dhe jo për njerëz që u sakrifikuan për LDK-në, por njerëz të privilegjuar e pa peshë qe s’e kanë partinë e të madhit Rugova as fis e as far, por njerëz që do të mundnin t’ia zgjasin jetën politike kryetarit humbës.
Nesër, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-se vendos për Vjosën, që disa e presin si shpëtuese të ‘anijes’ që po fundoset e disa të tjerë si një kob që mund të shkaktojë çarje të reja. Hyrja e saj në shtëpi nuk eshte më ndryshe nga ajo që e braktisi me plot të drejtë, përveç se tani partia ka promovuar një “Rruga e Re”, ndryshe nga ajo që e trasoi Presidenti historik, ka lidh krushqi me E. Ramën, por, paradoksalisht nesër, Lumiri dhe Vjosa do të tentojnë të ndajnë testamentin/mallin që e la Rugova, njëra të marr Presidencën dhe tjetri Kryeministrinë.
Nesër në LDK s’e dimë se çdo të ndodhi, një ndarje meritore e trashëgimisë rugoviane apo një uzurpim e mallkim i ri, që këtë të dytën assesi nuk ia dëshirojmë LDK-së.
