Ja pse mërgata është me Albin Kurtin
Mërgimtarët dardanë e mbështesin Albin Kurtin, sepse mërgimtarët dardanë janë elita e vërtetë patriotike; ata e kanë mbështetur gjithmonë dhe nuk e kanë harruar dhe as nuk e harrojnë kurrë Kosovën.
Në kohën e regjimit komunist jugosllav, mërgata kosovare ka meritën e madhe, sepse ata i mbështesnin dhe i mbanin financiarisht familjet dhe akrabanë e farefisin, duke bërë të mundur mosbraktisjen e atdheut. Ata dërgonin paranë e fituar me punë në Perëndim te të afërmit e tyre për të riblerë tokën e tyre, të cilën ua kishte rrëmbyer dhe grabitur reforma agrare dhe ua kishte shpërndarë serbëve dhe malazezëve.
Mërgata patriotike kosovare ka kontribuar financiarisht dhe ka mbështetur Lëvizjen paqësore për Republikën e Kosovës; ka paguar qeverinë, parlamentin, arsimin dhe sistemin shtetëror republikan të Kosovës, duke mundësuar dhe sfiduar shtetin gjenocidist sllavo-serb dhe synimin e tij për pastrimin etnik të Kosovës.
Mërgata kosovare ka meritën e madhe për kontributin e saj në ndihmë dhe mbështetje financiare e logjistike për UÇK-në, si dhe për faktin se nga diaspora erdhën në Kosovë qindra e mijëra të rinj kosovarë, të cilët mbërrinin në Durrës në qendrën e pritjes “Drenica” të Durrësit dhe që morën pjesë në luftë për çlirimin e Kosovës.
Dhe lind pyetja: përse mërgata e mbështet sot Albin Kurtin?
Mërgata shqiptare e Kosovës e mbështet Kurtin, pasi duke mbështetur politikën e tij ata mbështesin Kosovën. Diaspora kosovare me zemër e me shpirt e do Kosovën të lirë, demokratike dhe të mirëqenë; duan që Kosovën ta drejtojë një politikë që interesohet për kombin, atdheun dhe qytetarin. Ata janë të zhgënjyer nga papërgjegjshmëria, hajnia dhe tradhtia e korrupsioni i politikës së deritanishme, politikë e cila u ka shërbyer vetëm politikanëve, shtetarëve dhe atyre që kanë përfituar nga pasuria kombëtare dhe paraja publike.
Diaspora e mbështet Albinin, pasi ata e dinë mirë se kanë vite e dekada që punojnë në Perëndimin e pasur dhe habiten se si kaq shpejt, pa punë dhe vetëm me rrogat e qeveritarëve, parlamentarëve, kryetarëve të komunave dhe gjyqtarëve, disa janë bërë miliarderë, duke e përdorur postin politik për favore e pazare përfitimi, për grabitje trojesh, privatizime e shkatërrim ndërmarrjesh, si dhe përmes kontrabandës dhe vjedhjes së parasë publike në tendera e investime.
Mërgata e mbështet Albinin, pasi politika e vjetër, për interesa personale dhe korrupsion, ka bërë lëshime e marrëveshje me Serbinë në dëm të interesave të Kosovës, të legjitimitetit dhe sovranitetit të saj. Politika e Kosovës nuk ka mbështetur dhe as nuk ka treguar interes të duhur për krijimin e kushteve, programeve dhe një legjislacioni të mirë për tërheqjen e investitorëve nga diaspora shqiptare, as të investitorëve të huaj. Prandaj diaspora e mbështet Kurtin.
