OPINIONTË FUNDIT

Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK, ringjallje e karizmës apo vetëvarrim politik?

Ka shumë raste kur politikanët e heqin maskën ideologjike dhe dalin lakuriq në skenën e teatrit politik, dhe atë jo si ballafaqim idesh e programesh, e as si përplasje vlerore e parimore, por si pazar i klaneve dhe grupeve të interesit që i shërbejnë narrativës së “mirëmbajtjes” së pushtetit. Në situatën aktuale të problemeve dhe sfidave që po i përjeton demokracia jonë procedurale, top-lajm është bërë rikthimi i politikanes karizmatike Vjosa Osmani në ish-folēn e saj të vjetër.

Dhe ajo çfarë e bën më interesante këtë taktikë të njohur në sociologjinë politike, është se përmes saj kjo taktikë po tenton ta fuzionojë njëkohësisht karizmën e Vjosa Osmanit me një legjitimitet të vjetër që buron nga perceptimi që ne si shoqëri e kemi ende për politikanin si “zoon politikon” aristotelian.

Pra, fakti i “hapjes” së derës së “mbyllur” nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që i bëri Vjosës, përveç që është një akt simbolik, është edhe një lëvizje taktike politike që po tentohet ta riafirmojë e rikonsolidojë një ish-pjesë të establishmentit të këtij subjekti që ishte në rënie të lirë… Një taktikë kjo që, në një ambient ende të ngarkuar me kujtesë të freskët kolektive, me konflikte të brendshme, inate e smira tribale dhe pritje të fragmentuara qytetare, shpresohet se do ta ringjallë njëkohësisht një karizmë të braktisur dhe një subjekt që kishte nam e peshë në historinë e Kosovës.

Por, meqë është fjala për ish-Presidenten Vjosa Osmani, tashmë dihet se ajo kapitalin e saj politik e ndërtoi jo aq mbi pozicionin institucional që aq shumë e përdor LDK-ja, sa mbi pozicionimin dhe narrativën e distancimit nga ish-establishmenti tradicional partiak (PDK, LDK, AAK), ku hise kishte edhe LDK-ja me disa “mëkate” që ende janë në kujtesën tonë publike.

Tani, rikthimi i saj për të zhvilluar “beteja” të reja politike me antipodin e saj, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, nga pozicioni anti-establishment si kuadër rebelues, i rrit ndjeshëm gjasat për relativizimin apo reduktimin e kapitalit të arritur dhe të mirëmbajtur sa ishte në rolin e ish-Presidentes. Arsyeja kryesore është se, për dallim nga hera e parë e rebelimit, kur ishte brenda LDK-së, ajo e kishte më të lehtë ngritjen dhe afirmimin e karizmës së saj. Ndërkaq tani, kur po ndryshon kursin e veprimit politik dhe po i rikthehet një statusi që ende mban “hipotekën” e ish-establishmentit, veprimi i saj do të jetë shumë më problematik.

Megjithatë, gjasat për sukses rriten nëse ajo këtë rikthim në “ish-shtëpinë” e saj arrin ta katapultojë në publik si “kthim në burim”. Në këtë rast, kemi një proces të rikonfirmimit të identitetit politik. Në të kundërtën, ajo rrezikon që ky rikthim të perceptohet si një adaptim formal ndaj rrethanave të reja të pushtetit, çka në thelb nënkupton delegjitimim gradual dhe rrezik për gërryerje sistematike të kapitalit që e fitoi kur ishte bashkë me Albin Kurtin në pozicione të njohura si anti-establishment.

Thënë ndryshe, rikthimi i saj në të njëjtin subjekt politik, sipas një gjykimi sociologjik, rrezikon të prodhojë atë që në sociologjinë e njohjes njihet si “disonancë kognitive” elektorale, ku qytetarët që e kishin mbështetur pikërisht për shkak të refuzimit që ajo ua bënte elitave të vjetra politike, mund ta përjetojnë këtë rikthim si një “bumerang”. Pra, nëse kjo disonancë nga shtabi i LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit nuk menaxhohet me kujdes të shtuar, ose nëse nuk zëvendësohet me një narrativë të re bindëse, kapitali i saj mund të vihet lehtësisht në “shtratin e Prokrustit” hamendësues dhe ta eliminojë gradualisht atë nga skena politike e Kosovës.

Në këtë “odiseadë” konkurruese, që kërkon një kalkulim të kujdesshëm, sepse është një pozicion, siç thuhet, “në teh të shpatës”, rol të rëndësishëm do të luajnë edhe prononcimet dhe debatet e akterëve të tjerë të LDK-së. Nëse ata arrijnë ta identifikojnë dhe promovojnë Osmanin si një figurë me kapital të lartë simbolik, atëherë rriten gjasat që ajo të shërbejë si katalizator i rikthimit të besimit qytetar. Mirëpo, nëse vazhdon perceptimi i partisë si e konsumuar nga konfliktet e brendshme dhe mungesa e vizionit, atëherë ekziston rreziku që bashkë me Osmanin të dëmtohet edhe vetë LDK-ja dhe lidershipi i saj.

Po ashtu, Vjosa Osmani duhet ta ketë parasysh se hyrja në një garë të ashpër konkurruese me Albin Kurtin (i cili aktualisht gëzon një rejting të paparë ndonjëherë në skenën politike të pasluftës), përballë një polarizimi e kritike të drejtpërdrejtë që do t’i qëndrojë mbi kokë si “shpata e Demokleut”, është një “betejë hamletiane për jetë a vdekje”. E themi kështu edhe për shkakun se tani ajo nuk mbron më pozicione unifikuese, siç i predikonte sa ishte Presidente, por agjenda, vizione dhe projekte qartësisht partiake, të cilat mund të prodhojnë luhatje në amplitudën e karizmës së saj.

Dhe ky transformim kaq radikal përbën njëkohësisht edhe mundësi, por edhe rrezik real: mundësi për rikthim në qendër të vëmendjes politike, por edhe rrezik për humbje definitive të kapitalit të mëparshëm. Sepse, në fund të fundit, siç na dëshmon leksioni weberian, kapitali politik dhe karizma politike nuk janë vetëm atribute e cilësi personaliteti, por janë edhe manifestim e produkt i marrëdhënieve të caktuara dinamike historike që ndërtohen me mund e sakrifica nga perceptimit social i publikut të gjerë…
“hero” është Albini!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *