Tërheqja Amerikane nga Evropa, NATO tregon se a ndikohet Kosova
Pesë mijë ushtarë amerikan më pak do të jenë tani e tutje në bazat ushtarake në Gjermani.
Kjo si pasojë e një vendimi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të reduktohet prania e saj ushtarake në disa shtete të Evropës.
Ky vendim i administratës Trump, shënon një prej çarjeve të mëdha të raporteve mes SHBA-së dhe NATO-s.
Që nga paslufta, prezenca e ushtrisë së NATO-s në Kosovë është e përhershme.
Mirëpo, pavarësisht qëndrimit të SHBA-së që t’i tërheq një pjesë të trupave nga Evropa, NATO në një përgjigje për TËVË1, nuk e ka qartësuar nëse nga ky vendim mund ta prek edhe Kosovën.
“Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, ndërsa rrethanat evoluojnë. Kjo siguron që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, ka thënë Nato.
Rrjedhimisht, në këtë përgjigje, NATO thekson se me praninë e saj në Kosovë, krijohen kushte për paqe.
“Prania dhe aktivitetet e përditshme të KFOR-it në të gjithë Kosovën krijojnë hapësirë për dialog politik. Stabiliteti në rajon në fund të fundit varet nga zgjedhja e diplomacisë nga të gjitha palët mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike. NATO vazhdon të mbështesë fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me respekt për të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë tutje Nato.
Çdo ndryshim eventual sa i përket prezencës së NATO-s, konsiderohet se rrjedh nga interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të kësaj, Mentor Vrajolli nga QKSS, vlerëson se duhet punuar për ta rritur më shumë bashkëpunimin e institucioneve kosovare me ato të KFOR-it.
“Kjo më tepër varet nga interesat strategjike të SHBA-s, megjithatë nuk duhet ta nënvlerësojmë NATO-n si aleancë. Mendoj se në kuadër të NATO-s ka sinergji të mjaftueshme dhe NATO është e vendosur që të paqja në Kosovë të jetë e siguruar dhe nuk duhet të kemi frikë të madhe. Por në anën tjetër nuk duhet ta neglizhojmë ndërtimin e situatës së mbrojtjes, duhet ta rrisim ndoshta edhe trysninë për ta rritur sinergjinë me misionin e KFOR-it në Kosovë”, u shpreh Vrajolli.
Mundësia për reduktim të ushtrisë amerikane, është theksuar edhe për Italinë e Spanjën.
