OPINIONTË FUNDIT

Tri parti në rrezik të pragut, Salihaj analizon skenarët zgjedhorë dhe koalicionet e mundshme

Me 7 maj si afat të fundit për njoftimin në KQZ, skena politike hyn në një fazë vendimtare për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe formimin e koalicioneve parazgjedhore.

Ky moment pritet të qartësojë jo vetëm listat zgjedhore, por edhe strategjitë e partive për garën që vjen.

Me këtë rast, mbetet të shihet nëse subjektet politike do të zgjedhin bashkëpunime të hershme, apo do t’i lënë marrëveshjet dhe kombinimet politike për pas zgjedhjeve.

E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur, ish-deputeti Adem Salihaj, i cili potencoi se koalicion të mundshëm ka paralajmëruar vetëm LDK, derisa u shpreh i bindur se me të do jetë edhe Osmani.

Ndërsa, për LVV dhe PDK tha se nuk pret që të bëjnë ndonjë koalicion.

ImageAdem SalihajFoto galeri
Sipas tij, janë tri parti, që nuk kanë shumë vota dhe rrezikojnë pragun, e që për këtë shkak mund të synojnë t’i bashkangjiten ndonjë partie tjetër, e ato janë: AAK, Nisma e PSD.

“Prej asaj që shihet publikisht, vetëm LDK-ja deri tash ka folur për një koalicion të së djathtës, ndonëse nuk është e qartë se me cilën ose cilat parti. Një gjë është pothuajse e sigurtë se Vjosa Osmani dhe LDK-ja do të jenë bashkë, në një formë ose një tjetër. Në fakt, LDK-ja nuk është parti e djathtë, por e qendrës.

Për Vetëvendosjen dihet se e ka brenda Listën Guxo dhe Alternativën, respektivisht Mimoza Kusarin.

PDK-ja nuk po paralajmëron ndonjë lloj koalicioni. Janë tri partitë që po synojnë ti bashkangjiten ndonjë partie tjetër: AAK, Nisma dhe PSD. Arsyeja është se dy prej tyre nuk e kalojnë pragun, ndërsa AAK-ja nuk e ka këtë të sigurtë. Tash për tash nuk është e qartë se cilës parti do t’i bashkangjiten ato”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, ish-deputeti potencoi se, koalicionet më të madh mund të ndodhin pas zgjedhjeve.

Mirëpo, në rast se do ketë sërish mungesë bashkëpunimi mes partive, ai paralajmëroi edhe zgjedhje të tjera.

“Koalicionet serioze ka mundësi të bëhen pas zgjedhjeve, varësisht nga rezultati. Nëse Vetëvendosja nuk i merr 80 deputetë bashkë me pakicat joserbe, atëherë mbetet alternativë një koalicion me LDK-në ose PDK-në, ku do të hyjnë në pazar qeveria dhe presidenti.

Nëse nuk arrihet ky koalicion, atëherë shkojmë në zgjedhje tjera të reja. Kështu pa fund”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *