Dekret i ri nga Haxhiu – prezencë më e madhe e Kosovës në SHBA
U.d. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretin për hapjen e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Teksas.
Ajo e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për bashkatdhetarët në këtë shtet dhe rajonin përreth, si dhe një shenjë mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës shqiptare në SHBA.
Sipas Haxhiut, misioni i ri do ta afrojë Kosovën me qytetarët e saj dhe do të rrisë praninë e saj në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe shoqërore në Amerikë.
Postimi i plotë:
Sot nënshkrova dekretin për hapjen e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Teksas.
Ky është një hap i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë në Teksas dhe në rajonin përreth, por edhe mirënjohje për mërgatën tonë në Amerikë, e cila për dekada ka punuar, ka ndihmuar, ka lobuar dhe ka qëndruar pranë Kosovës. Në çdo kapitull të rrugës sonë, prej rezistencës e deri te shtetndërtimi, mërgata ka pasur rol kyç.
Me këtë mision, Kosova bëhet më e afërt për qytetarët e saj dhe më e pranishme në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike e shoqërore të Amerikës.
