Cilët ishin shqiptarët që kërkuan një sovran perëndimor në shekullin XVI?
Cilët ishin shqiptarët që kërkuan një sovran perëndimor në shekullin XVI? – Nga Luan Rama
Luan Rama – Paris
Beteja e Lepantos e vitit 1571, nga e cila njohim tablotë e mrekullueshme të Tintoretos, Veronezes, etj, ishte një nga betejat detare më të mëdha në historinë e Europës, betejë që zhvilloi Liga e Shenjtë e Europës perëndimore kundër Perandorisë osmane, e cila në këtë kohë kishte pushtuar gjithë Ballkanin dhe kërcënonte në dyert e Europës.
Papa i Romës i kishte dorëzuar flamurin e kryqëzatës princit Juan që të niste luftën kundër flotës së tmerrshme turke që zotëronte në Mesdhe dhe që atë kohë kishte bërë kërdinë në Qipro, Kretë dhe ishujt e Egjeut, të cilët më parë kishin qenë zotërime veneciane. Sulmi i eskadrës kristiane në 7 Tetor 1571, e përbërë me anije spanjolle, veneciane dhe gjenoveze e shkatërroi flotën osmane në Lepanto të Greqisë përmes një betejë të shpejtë dhe shumë të përgjakëshme.
Me detyrën e admiralit, don Juani, gjysmë-vëllai i mbretit spanjoll Filip II, donte të vazhdonte më tej luftën kundër Perandorisë osmane dhe nuk donte të kthehej në Mesinë me eskadrën e tij, nga dhe ku ishte nisur më parë. Por lejtënantët e tij e bindën të kthehej drejt Italisë së jugut. Në fillim të nëntorit të atij viti, ai shkoi në Gaeta për t’i dorëzuar Papës flamurin e kryqëzatës në një ceremoni madhështore.
Fitorja do të festohej dhe në Venedik ku ai u prit plot nderime nga Dozhi i Republikës Serenissime dhe Senati venecian. Një meshë e madhe u mbajt në katedralen e Shën Markut. Më pas një “Te Deum” në Romë, ku Papa i dha një dhuratë të çmuar: parzmoren me fjalët e shenjta të gdhendura në të “Christus vinit, Christus regnat, Christus imperat”. Më pas rruga e çoi në Madrid, në pallatin mbretëror të Eskurialit ku u prit nga spanjollët si heroi më i madh i kohës. Por mbreti spanjoll nuk e donte shumë këtë famë të tij dhe e nisi menjëherë në Mesinë.
I kthyer në jugun e Italisë, disa herë don Juani i kërkoi leje mbretit të rifillojë luftën, por Filipi II nuk iu përgjigj kërkesës së tij. Pas vdekjes së papritur të papës, ai iu drejtua papës së ri, Gregoire XIII që t’i jepte flamurin e kryqëzatës dhe të nisej përsëri në luftë. Por sërish mbreti Filip nuk i ktheu përgjigje letrës së tij. Pikërisht në këtë kohë, në hapësirën midis vitit 1571-1572, ndoshta në fillim të vitit 1572, emri i Shqipërisë filloi të dëgjohej në kancelaritë europiane.
Në fakt, një delegacion fisnikësh shqiptarë nga Shqipëria dhe përfaqësues të Moresë, shkuan në Mesinë dhe i kërkuan don Juanit, birit ilegjitim të perandorit të famshëm Charles Quint, që të vihej në krye të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë dhe të bëhej sovrani i tyre, për të nisur pastaj luftën kundur osmanllinjve.
Historianët shkruajnë se don Juani e priti me kënaqësi këtë ofertë, me dëshirën që të ishte në rangun e një mbreti, por dhe të një kalorësi, i lirë që të fillonte lufta. Pas këtij takimi, ai i shkroi menjëherë mbretit Filip ku i tregoi për këtë ofertë dhe i kërkoi leje ta pranojë. Me javë të tëra don Juani priste përgjigjen e mbretit Filip, por kjo përgjigje nuk erdhi kurrë. Historiani francez Ivan Cloulas, në një libër të tij mbi Juan d’Autriche, si pinjoll i dinastisë së Habsburgëve, duke iu referuar ndërkohë historianit të hershëm Van der Hammen shkruan se “don Juani iu përgjigj pozitivisht ofertës së Shqipërisë dhe Moresë”, vend ky i fundit ku jetonin prej kohësh shumë shqiptarë.
Kjo histori është padyshim mjaft interesante dhe pasionante për historianët shqiptarë. Nuk di se sa dhe si është trajtuar nga ne ky fakt historik. A është studjuar fondi i mbretit Filip ku mund të gjendet dhe letra e don Juanit? Cilët ishin ata fisnikë shqiptarë që shkuan në Mesinë për ta bërë atë sovran? Çfarë u diskutua mes tyre? Epopeja e madhe e Skënderbeut ishte ende e gjallë edhe pse Shqipëria ishte tërësisht e pushtuar nga ushtria osmane e cila ndërkohë kishte filluar me konvertimet e para me forcë të popullsisë shqiptare tërësisht kristiane. Vallë ishin stradiotë shqiptarë të jugut të Italisë, veçanërisht të lidhur me mbretin e Napolit apo nga familja e Kastriotëve të vendosur në Spanjë dhe Itali?
Hamendësitë janë të shumta. Deri në betejën e Lepantos, shqiptarët kishin nxjerrë figura të shquara të nivelit europian, nga Mërkur Bua Shpata tek Konstandin Araniti, të cilët priteshin plot lavde në oborret mbretërore dhe imperiale, duke kërkuar gjithnjë çlirimin e tokave shqiptare. Cilët ishin vallë këta shqiptarë?
©Luan Rama
The post Cilët ishin shqiptarët që kërkuan një sovran perëndimor në shekullin XVI? first appeared on In For.