Nga bllokada për president te zgjedhjet e jashtëzakonshme: Bytyçi paralajmëron ‘skenarin’ e rrezikshëm për Kosovën
Dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin çoi vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sipas afatit kushtetues prej 45 ditësh.
Kjo situatë erdhi si rezultat i mungesës së konsensusit politik dhe përplasjeve ndërmjet partive, të cilat nuk arritën të gjejnë një kandidat të përbashkët apo të bëjnë kompromiset e nevojshme.
Refuzimi i ofertave dhe marrëveshjeve politike ka ngritur pikëpyetje nëse kjo ishte thjesht pasojë e krizës politike apo një strategji e qëllimshme për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili komentoi gjithë procesin dhe përpjekjet e kryeministrit Kurti për zgjedhjen e presidentit të ri, të cilat fatkeqësisht nuk sollën rezultate.
Për këtë, ai u kthy pas në kohë dhe kujtoi se si ishin zgjedhur në të kaluarën presidentët e vendit, derisa theksoi faktin se nga viti 2010 deri 2021, qeveritë e atëhershme e zgjedhnin presidentin me ndihmën e Listës Serbe.
ImageEnver Bytyçi
Po ashtu, ai përmendi edhe vitin 2021 kur u zgjodh Osmani presidente, me ndihmën e LDK-së.
“Parlamenti i Kosovës dështoi që deri në mesnatën e datës 28 prill 2026 të zgjidhte kreun e shtetit. Gjykata Kushtetuese u dha deputetëve një kohë prej 34 ditësh, me qëllim që të arrihej një marrëveshje, por fatkeqësisht gjithçka përfundoi pa asnjë rezultat. Mazhoranca e koalicionit të Vetëvendosjes ka shumicën e votave të saj për të qeverisur, por nuk i ka 80 deputetë, aq sa duhen për zgjedhjen e presidentit. Në këto kushte, për zgjedhjen e tij duhen edhe votat e opozitës. Dhe në fakt në historinë e shtetit të Kosovës presidenti është zgjedhur gjithmonë jo vetëm me votat e mazhorancës. Nëse koalicioni i mazhorancës i ka pasur 80 deputetë, atëherë nuk ka patur probleme për këtë. Dhe në fakt nga viti 2010 e deri në vitin 2021, mazhoranca i ka pasur 80 deputetë, sepse në koalicion me të ka qenë edhe Lista Srpska, kjo parti politike e serbëve të Kosovës e lidhur drejtpërdrejt me Beogradin. Dhe Lista Srpska, edhe nëse nuk e ka votuar kandidatin për president, ajo ka qëndruar në sallë që në raundin e fundit të bëhej kourumi i numrit të deputetëve prej 80.
Në zgjedhjet e presidentes Osmani në marsin e vitit 2021 qëndroi në sallë Lidhja Demokratike e Kosovës, duke mundësuar këtë zgjedhje”.
Mirëpo, Bytyçi theksoi se, gjërat këtë radhë ishin komplet ndryshe, ku pavarësisht përpjekjeve dhe ofertave të ndryshme të kryeministrit Kurti, partitë opozitare i refuzuan të gjitha.
Sipas tij, i gjithë skenari ishte rrëzimi i qeverisë Kurti, pasi që opozita konsideron që nuk kishte problem me emrat e kandidatëve për president dhe me këtë synuan të përcjellin mesazhin se edhe për faktin se LVV ka 51 për qind të votave, “mund ta bllokojmë qeverisjen”.
“Ndërsa kësaj radhe ndodhi krejt ndryshe. Edhe pse kreu i mazhorancës, Albin Kurti, u premtoi partive opozitare postin e kryetarit të parlamentit, atë të zv kryeministrit dhe katër ministri në këmbim të qëndrimit në sallë për zgjedhjen e presidentit, këto nuk e pranuan këtë ofertë. Tri ditë para skadimit të afatit zoti Kurti u detyrua që kreun e shtetit t’ia ofrojë opozitës, ndaj dhe kërkoi prej tyre tri kandidatura. Në mesin e tri kandidaturave ai do të zgjidhte njërën prej tyre për votim. Por dy partitë opozitare të interesuara për ta patur kreun e shtetit nuk e pranuan ofertën. Në fakt Albin Kurti duhej ta bënte këtë që në fillim, sepse ishte e ditur se Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe AAK ishin të vendosura të kundërshtonin çdo opsion tjetër për të plotësuar dhe vendin vakant të kreut të shtetit.
Ndoshta Kurti ishte i bindur, ashtu siç jam dhe unë tani, se oferta e Kurtit do të refuzohej edhe nëse do t’u thoshte partive opozitare zgjidheni ju presidentin, unë thjesht do ta votoj atë. Kjo sepse më duhet ta besoj se bllokimi, bojkoti dhe refuzimi i të gjitha alternativave për t’i dhënë vendit kreun e shtetit nuk kishin të bënin me emrat, as të pozitës, as të opozitës. Kishin të bënin me strategjinë e bojkotit të institucioneve dhe bllokimit të tyre. Me rrëzimin e qeverisë Kurti, qëllim të cilin Ramush Haradinaj e zbuloi një ditë pas dështimit të këtij aksioni politik në deklaratën që i dha publikut. Mesazhi i opozitës ishte shumë i qartë: – Ju mund t’i merrni 51 përqind të votave të elektoratit, por jemi ne ata që ju bllokojmë ju në qeverisjen e vendit. Dhe e dini pse e bëjnë këtë opozitarët e Kosovës?”
E më tej, e sqaroi se kush përfiton nga gjithë kjo situatë e ndodhur në Kosovë, e që sipas tij është Beogradi.
Mirëpo, në këtë pikë, ai përmend disa akterë, që sipas tij e ndihmojnë Vuçiqin dhe politikat e tij ndaj Kosovës, e që sipas tij janë LS dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Përgjigja vjen pasi të sqarojmë atë se kush përfiton nga kjo që ndodh në Kosovë. Edhe naivi më i madh e di se përfituesi i fundit dhe kryesor është Beogradi. Edhe naivi më i madh e di se ka vetëm një aktor të interesuar për dështimin e krijimit të institucioneve të Kosovës dhe përmes kësaj zhbërjes së shtetit të saj. Ndonjë do të thotë se çfarë lidhje ka kjo me opozitën? Po e shpjegoj me shumë qetësi. Opozita si një tërësi nuk merr këshilla e aq më pak urdhëra nga Beogradi. Prej 12 vitesh Aleksandër Vuçiq nuk i dërgon diraktivat e tij në Kosovë vetëm përmes Listës Srpska. Ai ka një bashkëpunëtor tjetër, i cili flet shqip dhe hiqet si shefi i shtetit “amë”! Ky është kryeministri i Shqipërisë. Është ky kryeministër që flet shqip për llogari të Serbisë dhe ka përgatit këtë dështim të madh të shtetit të Kosovës, sepse opozita në Kosovë Edi Ramën e sheh si përfaqësues të shtetit “amë”! Kur ai në fakt është përfaqësues i inzeresave të Serbisë në Kosovë”.
Profesori thotë se, ka persona që mund të mos pajtohen me atë që e deklaron për Ramën, por që i sfidoi ata të gjejnë një deklaratë të kryeministrit shqiptar që bën thirrje që Kosova të hyjë në NATO ose të kërkojë të sanksionohet Serbia.
“E di se dikush do të thotë sërishmi se unë po fantazoj. Por le të më thotë dikush se në cilin rast, përfshirë dhe Banjskën, Edi Rama ka marrë anën e Kosovës dhe jo të Serbisë. Le të ma gjejë dikush një deklaratë të tijën në Këshillin e NATO-s, me të cilën kryeministri i Shqipërisë kërkon pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Ndërkohë që ai këtij këshilli i ka kërkuar që “ta mirëkuptojë Serbinë dhe prsidentin Vuçiq, pse ai nuk i vendos sanksioni Rusisë”! Nga ana tjetër, në këtë rast Rama nuk ka folur asnjë fjalë. Ai që mblodhi në zyrën e tij krerët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, as që inkurajoji një herë të vetme që klasa politike në Kosovë t’i jepte vendit kreun e shtetit. Shkoi në vitin 2015 me helikopter për ta detyruar parlamentin e Kosovës të votojë Gjykatën Speciale në Hagë, por nuk bëri asnjë përpjekje që të projektonte një zgjidhje në këtë rast”.
Më tej, duke u bazuar në ato më lartë, ai potencoi se, Vuçiq është në koordinim me Ramën, derisa beson se partitë opozitare në Kosovë jan “dordolec” në duart e kryeministrit shqiptar.
Rrjedhimisht, për këtë parashikoi edhe skenarin të cilin mund ta kenë përgatitur kjo dyshe, e për të cilen jo të gjithë deputetët e Kosovës kanë aftësi ta lexojnë.
“Pse ndodhin këto? Sepse Vuçiq dhe Rama janë në akord me njëri tjetrin. Ata e dinë se njëqind palë zgjedhje të bëhen nuk sjellin zgjidhje për zgjedhjen e kreut të shtetit. E dinë se opozita e Kosovës është dordolec në duart e Edi Ramës dhe kësisoj i kanë të gjitha mundësitë që ta shkatërrojnë nga brenda shtetin e Kosovës. Çfarë do të thotë shkatërrim të shtetit të Kosovës për këta të dy? Do të thotë përgatitje e kushteve për ta ndarë Kosovën dhe si Vuçiq edhe Rama të shpallnin veten “heronj” në vendin e tyre, sepse Vuçiq merrte pasuritë e Kosovës, ndërsa Rama do thoshte se “bashkova kombin shqiptar”, ndonëse me gjysmën e Kosovës.
Ky është skenari, të cilin jo të gjithë deputetët e opozitës në Kosovë kanë aftësinë ta lexojnë. Ndoshta nuk duan ta lexojnë edhe miqtë e Ramës në PDK, vetë miku tjetër i tij, Lumir Abdixhiku, si edhe ish-armiku i kryeministrit të Shqipërisë, Ramush Haradinaj. Haradinaj është përgjegjësi kryesor, sepse motivet bllokuese të zgjedhjes së presidentit të Kosovës ai i njeh më mirë sesa unë. Ai ka bërë denoncime të tilla, si këto që shkrova unë, pa fund. Por megjithatë është vënë në shërbim të skenarit të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit hesht, sepse nuk ka nevojë të flasë. Flet vetë akti pro tij i opozitës së Kosovës.
Ndërsa Abdixhiku, përveç tjerash, u dëshmua si një mashtrues shumë i keq, kur njëherë thoshte se “po kandidoj Vjosën” dhe herën tjetër nuk çoi asnjë dokument propozues për të në kuvend. U tall me kuvendin, u tall edhe me Vjosën dhe përfundimisht doli si struci në shkretëtirë. Zgjedhjet do të bëhen, por ato nuk janë zgjidhje. Prandaj dhe sukesi i Beogradit në skenarin e tij është i garantuar. Shqiptarët duhet të bëhen gati për qëndresë, ose t’i japin mazhorancës së sotme 80-90 deputetë, nëse duan t’i shkatërrojnë planet e Serbisë në Kosovë!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.
