POLITIKATË FUNDIT

A ka ende hapësirë për kompromis politik për presidentin? Analistët flasin për ofertën e LVV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur përmes një reagimi në Facebook se është e gatshme të tërhiqet nga kandidaturat e saj për president për të bashkëpunuar me opozitën sa i përet çështjes së presidentit.

Sipas saj, kjo do të ndodhë në rast se dy partitë opozitare PDK dhe LDK arrijnë të propozojnë tre emrat e kërkuar, duke hapur rrugë për një marrëveshje më të gjerë politike.

Derisa, nga PDK, kryetari Berdi Hamza, bëri të ditur se “unë e kam thënë edhe më herët se çështja e presidentit është e mbyllur për PDK-në”.

Kurse, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se çështja e zgjedhjes së presidentit është shumë serioze për t’u diskutuar përmes rrjeteve sociale, pasi LVV-ja e bëri të ditur ofertën në Facebook.

Ai madje u shpreh se nëse Kurti dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, duhet ta bëjë vetëm me LDK-në, duke shtuar se oferta e tij “duket më shumë si manovër politike, sepse Kurti i do 90 vota dhe me LDK-në nuk do t’i ketë 90 vota, lë t’i bëjë me PDK-në”.

Koci: Propozimi i VV për një kandidat jopartiak është i qëlluar, por ndoshta i vonuar

ImageMelazim KociFoto galeri
Analisti politik, Melazim Koci për “Bota sot” tha se ideja e Lëvizjes Vetëvendosje për një kandidat jopartiak për president është e drejtë, por e vonuar.

Sipas tij, kjo duhej bërë që në janar, sepse VV nuk i ka votat për kuorumin prej 80 votash. Presidenti duhej të ishte kompromis, jo i njërës palë. Mungesa e këtij kompromisi ka rritur polarizimin, ndaj ai dyshon se koha e mbetur mjafton për zgjidhje.

“Propozimi i VV për një kandidat jopartiak është i qëlluar, por ndoshta i vonuar. Nga fillimi i janarit ka qenë shumë e qartë që zgjidhja e vetme racionale ishte një kandidat jopartiak.

Pse?

Sepse VV kishte vota të mjaftueshme për të zgjedhur Qeverinë dhe kryetaren e Parlamentit, por jo kuorumin prej 80 votash. Kuorumi është instrument për të siguruar balancim të pushteteve.

Në rrethanat aktuale presidenti nuk i takonte as VV dhe as opozitës, por duhej një kompromis që mund të formësohej përmes një kandidati të pavarur. Mjerisht këtë formulë deri sot nuk e propozuan as VV dhe as opozita, sepse e donin postin e presidentit/presidentes për vete.

Kjo bëri që polarizimet në skenën politike të thellohen dhe rrjedhimisht nuk jam i sigurt që 36 orët e mbetura do të jenë të mjaftueshme për të gjetur një kandidat jopartiak”, tha ai.

Tutje, ai thotë se është e pasigurt nëse opozita (PDK/LDK) do të përpiqet seriozisht të gjejë 3 kandidatë jopartiakë, pasi mund të shpresojnë në rezultate më të mira në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tij, nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti jopartiak, Kosova rrezikon krizë të thellë institucionale dhe bllokada të reja.

“Është dilemë e madhe nëse opozita fare do të përpiqet të gjejë 3 kandidatë jopartiak, sepse duket se mendojnë që në zgjedhjet e ardhshme mund të kenë rezultat më të mirë se ai i 28 dhjetorit.

Dështimi eventual për të zgjedhur presidentin jopartiak deri më 28 prill do ta fuste Kosovën në një qark vicioz dhe krizë të thellë institucionale me mundësinë e bllokadave të ardhshme.

Ndonëse propozimi është i vonuar, PDK/LDK do të bënin mirë që në këto 36 orë të bëjnë përpjekje maksimale të gjejnë 3 kandidatë jopartiak dhe të evitojnë zgjedhjet tjera që nuk janë zgjidhje për askë” – deklaron ai.

Kasolli: Siç treguan dinamikat, pak pasi Lëvizja Vetëvendosje e kumtoi këtë ofertë, gjasat janë minimale që të ketë një konsensus të ri për këtë temë

ImageAfrim KasolliFoto galeri
Analisti Afrim Kasolli për “Bota sot”, gjasat për arritjen e një konsensusi të ri janë shumë të vogla. PDK e mbylli menjëherë diskutimin, ndërsa LDK propozoi Vjosa Osmanin si kandidate, por kjo nuk u pranua nga VV.

Sipas tij, ky propozim i LDK-së ishte më shumë një lëvizje politike për afrimit publik me Osmanin sesa një përpjekje reale për ta zgjedhur presidente.

“Siç treguan dinamikat, pak pasi Lëvizja Vetëvendosje e kumtoi këtë ofertë, gjasat janë minimale që të ketë një konsensus të ri për këtë temë. Partia Demokratike e Kosovës pa humbur kohë e konsideroi të mbyllur çdo diskutim shtesë, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës me një lëvizje taktike deklaroi se kandidatja e tyre mbetet Vjosa Osmani, propozim ky që nuk u pranua nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse edhe propozimi i LDK-së më shumë se sa për ta zgjedhur Vjosën presidente ishte në funksion të afrimit më të madh publik me të”, deklaroi ai.

Tutje, Kasolli shprehet se edhe propozimi i VV-së nuk ishte realisht ftesë për kompromis, por një lëvizje e qëllimshme publike.

Sipas tij, ajo u bë jashtë takimeve me opozitën për të krijuar efekt mediatik dhe për ta paraqitur Kurtin si të gatshëm për kompromis, por të refuzuar nga opozita. Në këtë mënyrë, sipas tij, VV synonte të fitonte avantazh politik dhe të paraqiste partitë opozitare si bllokuese.

“Në fakt as propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte ftesë për kompromis. Sepse po të ishte motivi i tillë, ajo do ta kishte bërë këtë gjë brenda takimeve që ka pasur me liderët e dy partive opozitare dhe pa sensacion publik. Por kjo nismë ishte përpjekja finale e kësaj partie dhe Albin Kurtit, për ta fituar aurën e viktimës në sytë e qytetarëve të Kosovës pak para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, duke tentuar të shfaqet si dikush që, përkundër përpjekjeve të pamundura për kompromis politik, madje duke hequr dorë edhe nga kandidatët e partisë së tij për president dhe duke ua dorëzuar në këtë rast stafetën partive opozitare, përsëri këto të fundit e refuzuan atë. Dhe për t’i ekspozuar ato si formacione që drejtohen vetëm nga mentaliteti i bllokadës ndaj partisë fituese dhe jo diçka më shumë” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *