Haxhiu: Kështu duket zgjidhja europiane për Asociacionin, nuk ka tjetër
Në një artikull të publikuar në Albanian Post gazetari Baton Haxhiu ka shkruar për modelet që janë duke u shqyrtuar si një zgjidhje për serbët në kuadër të planit franko-gjerman.
“Në mesin e shumë modeleve dhe formave të ndryshme të vetëqeverisjes për pakicat kombëtare, që aktualisht aplikohen në territorin e Bashkimit Evropian (në total 17 modele të ndryshme) zgjidhja për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe po kërkohet në miksimin e elementeve të ndryshme që aktualisht aplikohen në Gjermani, Itali, Francë dhe Belgjikë, thonë burimet” ka shkruar Haxhiu.
Më poshtë shkrimi i plotë.
Më pak se dy javë dhe Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç e kanë më patjetër të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
18 marsi shënon fundin e durimit dhe kufirin për nënshkrim.
Çështja më e rëndësishme vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Në mesin e shumë modeleve dhe formave të ndryshme të vetëqeverisjes për pakicat kombëtare, që aktualisht aplikohen në territorin e Bashkimit Evropian (në total 17 modele të ndryshme) zgjidhja për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe po kërkohet në miksimin e elementeve të ndryshme që aktualisht aplikohen në Gjermani, Itali, Francë dhe Belgjikë, thonë burime diplomatike për Albanian Post.
Përkatësisht modelet e Belgjikës Lindore (vetëqeverisja e komunitetit gjerman), modeli i Alzasit në Francë, modelet e vetëqeverisjes për komunitetin gjermanofolës dhe frankofon në Itali si dhe modeli i vetëqeverisjes së komunitetit danez në Gjermani, shtojnë ata.
Por, Qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh dhe assesi nuk guxon të harrojë që gjatë shqyrtimit të modeleve të ketë në vëmendje katër simbolika shumë të rëndësishme.
E para) Gjermania, Franca, Italia dhe Belgjika janë shtete themeluese të Bashkimit Evropian, e dyta) Janë demokraci të avancuara, e treta) Janë ish armiq të përbetuar dhe e katërta) Këto rajone, që shërbejnë si model, me shekuj ishin burim luftërash dhe konfliktesh.
Duke mos harruar faktin që Kosova është një shtet relativisht i vogël, ideja themelore është që modeli i propozuar i Asociacionit të mos e rrënojë karakterin unitar të shtetit të Kosovës.
Kjo nënkupton që asnjë nga modelet e mësipërme nuk mund të merret COPY PASTE (siç sugjerojnë disa diplomatë dhe ekspertë të përfshirë në proces), prandaj është duke u menduar që të krijohet një model sui generis i përshtatshëm për Kosovën.
Pra, një miks me elemente nga modelet me autonomi territoriale dhe me elemente nga modele me autonomi jo territoriale. Për shkak të specifikave që normalisht dallojnë, transportimi dhe implementimi i një modeli të vetëm që ka funksionuar diku tjetër është e pamundur të bartet.
Prandaj, nga modeli i Alzasit të Francës mendohet të merret ideja e statusit të përgjithshëm të Asociacionit. Në strukturën organizative të Francës, Alzasi ka status të ndërmjetëm.
Problemi këtu është se në Kosovë ka vetëm dy nivele të qeverisjes – komunat dhe qeveria qendrore. Sikur Kosova të kishte edhe nivelin e rajonit, siç e ka Franca, si pushtet në mes të komunës dhe qeverisë, modeli i Alzasit do të nënkuptonte diçka më shumë se komuna dhe më pak se rajoni.
Kurse nga modeli i Schleswig në Gjermani, përkatësisht vetëqeverisja e komunitetit danez atje, mendohet të merren elementet si e drejta për të organizuar sistemin arsimor dhe sisteme të tjera esenciale të lidhura direkt me komunitetin.
Dhe, më e rëndësishmja, sistemi i rregullimit të mbështetjes financiare dhe politike nga shteti mëmë. Brenda kornizës së aplikueshme ligjore, komuniteti danez në Gjermani ka sistem të mirë vendosur të ndihmës financiare dhe politike nga qeveria daneze.
Në anën tjetër, në Belgjikë, nga mënyra si 9 komunat e komunitetit federal gjerman bashkëpunojnë me komunat Malmedy dhe Weismes, komuna me shumicë franceze, por pakicë gjermane dhe pa lidhje territoriale me 9 komunat kompakte në lindje të Belgjikës, merret elementi i jodomosdoshmërisë së lidhjes territoriale në mes të komunave.
Ndërsa, pos detajeve praktike, nga Italia mendohet të merret fryma shumë e rëndësishme e mirëbesimit.
Italia mund të konsiderohet kampion i investimit në krijimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve joshumicë dhe qeverisë qendrore. Një detaj ky shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Burimet e Albanian Post thonë decizivisht që Autoritetet në Kosovë dhe në Serbi nuk duhet të harrojnë që këto modele të sipërpërmendura në thelbin e vet trajtojnë një përvojë dhe një traumë gjermane.
Territoret me shumicë gjermane në ish Evropën Lindore janë spastruar etnikisht, që nga Vojvodina e deri në Poloni. Fakti që shtetet si Italia, Franca dhe Belgjika ishin demokraci dhe të vëmendshme ndaj të drejtave të njeriut, ishte vendimtare për komunitetet gjermanofolëse.
Përkundër faktit që gjermanët ishin armiqtë e deridjeshëm, këto shtete u angazhuan që, si pjesë integrale të procesit të pajtimit, ta kenë edhe emancipimin e pozitës së komuniteteve të tyre gjermanofolëse.
Siç e thonë edhe diplomatët e përfshirë në proces, “Serbia dhe Kosova nuk mund të pretendojnë që të bëhen pjesë e civilizimit perëndimor e në ndërkohë zgjidhjen e çështjes së pakicave të tyre kombëtare ta bazojnë në modele të ish lindjes komuniste”, pra me shpresën që me kohën vetvetiu do të ndodhë spastrimi i heshtur etnik. D.m.th krijimi i idesë se shqiptarët e Serbisë jugore do shpërngulen heshtazi në Kosovë dhe serbët e Kosovës do të shpërngulen heshtazi në Serbi.
Kosova dhe Serbia duhet të mësojnë dhe të frymëzohen nga këto modele dhe përvoja evropiane të sipërmendura (elaboruar gjerësisht nga Albanian Post), që në thelb e kanë traumën e popullit gjerman dhe zemërgjerësinë e Francës, Belgjikës dhe Italisë.
Si të tilla, ato nuk mund të flaken anash as nga Beogradi dhe as nga Prishtina. Një gjë e tillë do të ishte një gabim shumë i madh politik si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina.
Nga çfarë është diskutuar deri më tani, nga shqyrtimi i modeleve të ndryshme evropiane, imputi i diplomatëve, informatat që posedon Albanian Post tregojnë se si përmbledhje, në pika të përgjithshme, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të ketë këto veçori kryesore:
Fillimisht, një status të ndërmjetëm, pra diçka përtej kompetencave të një komune, por më pak se një nivel i dytë i pushtetit. Siç është paralajmëruar më herët – jo OJQ, jo njësi autonome.
Vëmendje, fjala “territor i Asociacionit” nuk e ka kuptimin e ushtrimit të kontrollit të territorit, por vetëm përcaktimin e zonës ku Asociacioni mund të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e veta të përcaktuara në statut.
Personaliteti ligjor i Asociacionit do të jetë ai i një organizate publike jofitimprurëse që rrjedh nga Ligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë për normalizim.
Personeli dhe zyrtarët e Asociacionit do të kenë statusin e shërbyesit publik. Për njohësit që e dinë, Legjislacioni i Kosovës e bën dallimin e qartë në mes të zyrtarëve që janë pjesë e qeverisjes (shërbyesit civil) dhe të zyrtarëve që ofrojnë shërbime publike.
Pasi që qëllimi i Asociacionit nuk është qeverisja, por ofrimi i shërbimeve dhe mundësive më të mira për komunitetin serb të Kosovës, personeli dhe zyrtarët e Asociacionit do ta kenë statusin e shërbyesit publik, konform frymës së legjislacionit në fuqi.
Asociacioni do të ketë përgjegjësi të plota në vetorganizimin (fjala kyçe: vetorganizim, vetë menaxhim) e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës dhe sportit.
Kjo e drejtë do të shërbejë si bazë e mjaftueshme që, që në favor të Asociacionit, Republika e Serbisë të tërhiqet nga organizimi i sistemit paralel të arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe sportit.
Me themelimin e Asociacionit, të gjitha këto aktivitete e shërbime do të futen nën ombrellën e autoritetit të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe pjesëmarrjen në ligat sportive të Kosovës.
Në çështje të planifikimit hapësinor, Asociacioni do të ketë kompetenca koordinuese në mes të komunave. Autoriteti i Asociacionit nuk do të rrezikojë në asnjë formë kompetencat e qeverisë qendrore.
Në çështje të ekonomisë, Asociacioni do të ketë kompetenca koordinuese në mes të komunave. Autoriteti i Asociacionit nuk do të rrezikojë në asnjë formë kompetencat e qeverisë qendrore për organizimin e përgjithshëm të ekonomisë.
Të gjitha shërbimet që kryen Asociacioni duhet të jenë falas.
Si burim primar, Asociacioni do të financohet nga komunat anëtare. Grantet qeveritare dhe grantet nga jashtë Kosovës, me theks te ato nga Republika e Serbisë, do të shërbejnë si burime sekondare financiare.
Brenda fushës së përgjegjësisë së vet, vendimet që nxjerr Kuvendi i Asociacionit do të kenë fuqinë ligjore të marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërkomunal. Ato bëhen të plotfuqishme vetëm pasi të konfirmohen veçmas nga secili Kuvend Komunal.
Asambleja e Asociacionit do të përbëhet nga përfaqësuesit e zgjedhur, njëherësh anëtarë të kuvendeve komunale. Delegimi në Asamble të Asociacionit bëhet me votim të posaçëm në secilin Kuvend Komunal. Përfaqësuesit e zgjedhur të komunitetit serb, të përfaqësuar në Asamblenë e Asociacionit, e mveshin Asociacionin me funksionin e një asociacioni të përfaqësimit të interesave të komunitetit serb. Asociacionet e komuniteteve, sipas nenit 60.2 të kushtetutës së Kosovës, janë kategori kushtetuese. Rrjedhimisht, Asociacioni do të ketë përfaqësuesin e vet në Këshillin e Komuniteteve të Kosovës.
Asociacioni do të shërbejë edhe si avokues i promovimit të të drejtave kolektive të komunitetit serb. Kjo do të arrihet nëpërmjet angazhimit për krijimin e kushteve për kthim dhe integrim dhe avokimit civil në raport me institucionet qendrore të Kosovës dhe jo vetëm.
Për të krijuar klimën e mirëbesimit, qeveria e Kosovës do të iniciojë amandementimin e Ligjit për Avokatin e Popullit. Nëpërmjet një amandamenti në ligj, do të obligohet Avokati i Popullit që shqetësimet që ngriten nga përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë (qoftë nga komunat të udhëhequra nga komunat joshumicë apo Asociacionet e komuniteteve) të referohen pa vonesa, nëpërmjet Avokatit të Popullit, në Gjykatën Kushtetuese.
Asociacionet, autonomitë e ndryshme territoriale dhe jo territoriale dhe vende me statuse të veçanta dhe me karakteristika unike janë pothuajse normë në kontinentin evropian. Rregullime të tilla përbejnë standard evropian, prandaj është krejtësisht e pakuptueshme për ndërkombëtarët që një model i tillë të mos gjejë vend edhe në këtë pjesë të Evropës (mirë që na konsiderojnë të tillë ende).
Asociacioni është i pashmangshëm, të shmangshme janë gabime që mund të bëhen nëse nuk tregohet kujdes i shtuar në hartimin e statutit, prandaj më pak retorikë, më shumë punë nga Qeveria e Kosovës./ Albanianpost.com