Kimete Berisha: Censura e dëshirave të errëta
Seriozisht.
Duhet të jesh budalla me mision
që ta shfaqësh budallallëkun me mikrofon,
si ai mashkulli i Vetëvendosjes.
Por duhet të jesh edhe më naiv
që të përpiqesh ta censurosh dëshirën e atij
që ka qejf të të shohë në burg.
…
Perëndimi ka shkruar kundër Jezusit,
ka bërë filma kundër profetëve…
Profesorë shqiptarë të gazetarisë
dhe gazetarë të njohur
e kanë quajtur Nënën Terezë “k…”…
Dhe çka kanë arritur?
Ata kanë mbetur pleq pa autoritet
(që është dënimi më i madh në jetë),
e ajo u bë e shenjtë,
pa ia kërkuar askujt.
Pra, ideja
që ta censurosh dëshirën e sëmurë të dikujt,
është dëshirë edhe më e sëmurë.
…
Kosova s’mund ta fusë Hashim Thaçin nën UNESCO.
Bota i mbron ndërtesat
me erë të rëndë lashtësie
e me hijen e shpirtrave të ngujuar,
por jo shpirtin e gjallë.
Së fundi, një grua
ia ka ngjitur emrin e kryeministrit lopës së saj.
Dhe?
Çka ka arritur?
I është shtuar lopës tambli?
Apo i është shterur…
Garant.
…
Ne nuk duhet të frikësohemi
nga dëshirat e huaja për ne.
Duhet të frikësohemi
nga e vërteta jonë.
E,
as të burgosurit e Hagës
nuk mund t’i fetishizojmë…
Kush do,
është i lirë të përbehet në ta.
Dhe as UÇK
nuk mund të varet
në katër vetë,
të cilët, gjatë procesit gjyqësor,
gati u distancuan nga ajo.
“Jo. S’kemi luftuar…”
Ama, ideja
që e vërteta kufizohet me vendim politik,
dhe që partitë politike
të vendosin
se për kë guxohet të flitet keq
e për kë jo,
është fashiste.
Kërkojnë liri për Ata,
por burg për fjalën
e kujtdo që flet kundër tyre.
…
Lëreni mashkullin të hajë tortë.
Le ta humbë rrugën
në errësirën e dëshirës së tij.
Ose le ta gjejë…
Por, kështu,
duke kërkuar
të vendosë shteti për dëshira uniforme
dhe komandë mbi mendimet
për komandantët –
kështu,
s’bëhet.
…
Shumë fajtorë jetojnë të lirë.
Dhe ka të pafajshëm
që janë dënuar padrejtë.
Pra, ai që për ty është i mirë –
për mua mund të jetë i keq.
Dhe anasjelltas.
…
Po.
Shteti e merr në mbrojtje Ushtrinë,
por jo ushtarët.
Do të ishte jonormale
të kishte bota ushtri
pa asnjë mëkatar.
S’është ky lajm.
Lajm do të ishte
që historia e njerëzimit
ta njihte një ushtri
pa asnjë mëkat.
Sot, përditë,
në Policinë e Kosovës
zbulohet nga një hajn,
një kriminel.
Një vrasës,
që u dënua dje me burg të përjetshëm,
ishte pjesë e ushtrisë.
Pra,
as s’ka ushtri të përsosur,
as s’ka faj kolektiv…
…
PDK-ja e ka bërë bozë
me përpjekjen
që t’i frikësojë shqiptarët
që të mos guxojnë të dyshojnë
në “shenjtërinë” e ish-komandantëve
që, në gjykim,
as nuk e pranuan
se ishin kompetentë.
Nuk mund të jetë komandanti i shenjtë.
Përveçse me ndonjë çudi
si Zhan d’Ark,
që,
jam e sigurt se është gabimisht e shenjtë.
…
Ju kam treguar:
Kur e arrestuan Markiz de Sadin
për blasfemi
dhe praktika të tjera ekstreme,
ai, në murin e burgut,
me jashtëqitjen e vet,
vazhdoi t’i shkruante ato.
…
EPILOG
Pasi që e do Hashim Thaçin
përjetë në burg
(si një formë pasive-agresive
për t’u ndjerë burrë),
deputeti (mashkull) i Albin Kurtit,
sipas nevojës,
bëhet inspektor i grave.
Kontrollon
kush është martuar,
kush s’është martuar,
kush është shkurorëzuar,
dhe pse.
Kur s’ndjehet burrë,
bëhet gardian i burgut
që i rreh të burgosurit.
Kur ndihet super,
i numron gratë… e huaja.
Rrogën e merr si deputet.
Punën e bën si polic i moralit.
Kur një mashkull
ka kaq shumë interesim
për statusin martesor të grave,
lind veç një dyshim:
A e di, për shembull,
ku e ka burrin
për momentin?
Se,
ne si gra
që s’kemi gjetur burrat,
e dimë një gjë:
burri që merret
me gratë e huaja,
zakonisht
e ka humbur të vetën.
Se:
Vrasës i grave
nuk është veç ai
që i zhduk fizikisht.
Vdekja vjen e fundit.
E para vritet krenaria.
Pra,
vrasja e gruas
fillon kështu:
me përbuzje
dhe mohim.
…
P.S.
Elvis Naçi tha:
“Mbylli sytë për një çast…
pastaj falënderoje Zotin
për dritën e shikimit.”
Kjo nuk vlen për ata
që s’kanë nevojë
t’i mbyllin sytë
për ta parë terrin.
…
AUTOKRITIKË
Mos lër shibël të bjerë mbi ty.
Ka burra
që ëndërrojnë
të të lidhin me zinxhirë
aq shumë të duan…
Ti e di, Kim.
Së fundi, dikush të tha:
“Më ngjall ndjenja sadiste.”
Kur e pyete: Pse?
t’u përgjigj:
“It’s beyond my control.”
(S’e ndalon dot… pra.)
