Krasniqi: Oferta e Kurtit për LDK-në gjeneroze, zgjedhjet e reja s’ndryshojnë rezultat
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili është edhe partner i koalicionit me LVV-në, ka thënë se oferta e Kurtit për LDK-në është gjeneroze.
“Dy propozimet e Kurtit për LDK-në në perspektivën time janë gjeneroze”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se nuk beson që zgjedhjet e reja do të sjellin ndonjë rezultat dhe se është optimist që do të gjendet zgjidhje në ditët e mbetura.
“Nëse shkojmë në zgjedhje, do të nis cikli i ri zgjedhor, rezultati do të jetë aty prapë. S’shoh që do të prodhojnë ndonjë rezultat ndryshe”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ai ka thënë se ka ende hapsirë për të gjetur një rrugëdalje, nëse opozita nuk është duke shpresuar që do të ketë ndryshim rezultati në zgjedhje.
“Kam biseduar me kryeministrin meqë jemi partnerë. Unë dua të jem shumë i drejtpërdrejtë, mendoj që ka ende hapësirë nëse opozita nuk po shpreson që shkuarja në zgjedhje mund ta ndryshojë rezultatin”, ka thënë ai.
