Dugolli ngre dyshime: Çfarë fshihet pas refuzimit të LDK-së ndaj Kurtit?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka kritikuar LDK-në për qëndrimin e saj ndaj bashkëpunimit me partinë e tij.
Sipas Dugollit, LDK po refuzon në mënyrë të vazhdueshme ofertat e kryeministrit Albin Kurti, pa dhënë arsyetime të qarta apo bindëse.
Ai ka thënë se ky qëndrim dëmton transparencën dhe besimin publik, duke shtuar se LDK nuk tregon të njëjtën qasje refuzuese ndaj PDK-së si ndaj Vetëvendosjes.
Dugolli ka ngritur dyshime se pas këtij qëndrimi mund të fshihen kalkulime politike.
Shkrimi i plotë:
LDK-ja po gabon në vazhdimësi në raport me Vetëvendosjen. Përballë ofertave konkrete nga Kryeministri Kurti, përgjigjja e saj mbetet një refuzim i thatë, pa asnjë arsyetim bindës apo të qëndrueshëm. Një qasje e tillë lë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje dhe dëmton si transparencën, ashtu edhe besimin publik.
Duket sikur z. Kurti nuk e zotëron “magjinë” që, për çudi, duket se e ka PDK-ja karshi lidershipit të LDK-së, sepse përndryshe, kjo çështje do të ishte mbyllur prej kohësh. Në praktikë, LDK-ja nuk tregon të njëjtën rezistencë ndaj ofertave dhe bashkëpunimit me PDK-në, ndërsa ndaj Vetëvendosjes mban një qëndrim refuzues që vështirë arsyetohet në mënyrë racionale.
Kur mungojnë shpjegimet e qarta dhe argumentet e forta, lind natyrshëm dyshimi se pas këtij qëndrimi fshihen kalkulime të tjera politike. Dhe kjo e bën këtë sjellje edhe më problematike: jo vetëm të pakuptueshme, por edhe të pajustifikueshme në sytë e publikut.
