“Kanë krimb përbrenda që po…”, Preqi reagon ashpër ndaj opozitës, ua kujton ‘këto gjëra’ nga e kaluara
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit mbetet i varur nga qëndrimi i partive opozitare.
Ai theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. “Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, u shpreh Konjufca më 15 prill.
Sipas tij, është e rëndësishme që Kosova të ketë një president, madje edhe nëse kjo nënkupton tërheqjen e kandidaturës së tij personale. Ai tha se do të ishte i gatshëm të tërhiqej në momentin që opozita del me një kandidat të përbashkët.
“Në momentin që opozita del me një kandidat të përbashkët, kjo do të ishte gjëja e parë që do ta bëja, sepse është shumë e rëndësishme që Kosova ta ketë presidentin sesa emri i tij të jetë Glauk Konjufca”, deklaroi ai.
Konjufca kritikoi gjithashtu qasjen e Partia Demokratike e Kosovës, duke thënë se mënyra se si kjo parti kërkon të arrihet marrëveshja për presidentin nuk është e duhura. Sipas tij, fillimisht duhet të ketë një emër konkret dhe jo vetëm një marrëveshje parimore.
Ai paralajmëroi se nëse PDK propozon emra të papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje, kjo mund të përdoret më pas për ta fajësuar mazhorancën për dështimin e zgjedhjes së presidentit.
I pyetur nëse LVV mund të propozojë një kandidat konsensual, Konjufca u shpreh se barra kryesore bie mbi opozitën.
“Është më shumë përgjegjësi e opozitës që të propozojë një emër, ndërsa ne do të japim votat tona”, përfundoi ai.
Kritikues ndaj opozitës shprehet edhe opinionisti Dedë Preqi, i cili për “Bota sot”, thotë se sjellja e opozitës së sotme nuk e ka shijen dhe rolin opozitar.
Sipas tij, në opozita në përbërje ka një “krimb” që po brenë mjaftueshëm sa për ta trazuar këtë shoqëri.
“Shoqëria kosovare, duket se ka probleme me vetveten, me vet organizimin dhe duhet të lirohet nga simptomat e urrejtjes dhe të çlirohet nga paragjykimet e veta ndaj njëri-tjetrit, për të dominuar apo për të mbajtur traditën e «bajlozave», të cilat na kanë sjellë gjithherë në primitivizëm dhe në kuptimin negativ të ç’rrënjosjes, si popull dhe si shoqëri njerëzore për dallim nga të tjerët. Asgjë nuk do të na ndihmonte më shumë se ne, ta ndihmonim vetveten, as SHBA-të, me fuqitë e veta nuk mund ta ndërtojnë dhe ngrisin Kosovën, sa vetë ne, me fuqinë tonë të vogël, e cila do të rezultonte me nismën e vet, që merr mbi vete edhe përgjegjësitë që i takojnë për veprimet e veta. Prandaj, sjellja e opozitës së sotme e Kosovës, PDK, LDK, AAK, nuk e ka shijen dhe rrolin opozitar, e cila në përbërjen e tyre ka një «krimb» përbrenda, që po e brenë mjaftueshme sa për ta trazuar këtë shoqëri, në vend që të angazhohet dhe të afrojë platforma dhe koncepte të reja për zhvillimin dhe avansimet e kësaj shoqërie”, thotë Preqi.
ImageDedë PreqiFoto galeri
Nga kjo opozitë që dikur ishte në pushtet, Preqi shprehet se ky vend arrinë të kryesojë vendin më të korruptuar në rajon.
Sipas tij, nga udhëheqja dhe keqmenaxhimi një pjesë e madhe e tyre u bënë milonerë në kurrizin e këtij populli.
“Deri dje 20 vite më parë kjo opozitë ishte në pushtet, e cila së paku ka mundur të arrijë për aq vite një rezultat të cilësuar në ndonjë fushë të caktuar, por si rrjedhojë kjo do të thotë, se përmes pushteteve dhe qeverisjeve të kësaj opozite, që dikur ishin edhe të pa « prekshëm », nga rrethi zinxhiror i tyre, në bazë edhe të statistikave ndërkombëtare, ky vend arrinë ta kryesoj vendin më të korruptuar në rajon. Atëherë, kënd duhet ta fajësojmë, apo gjithherë të gjejmë një arsye, se pse sikur jemi të ekspozuar gjithherë ndaj rreziqeve që na rrethojnë, ndërsa fajin nuk ia kërkojmë vetvetës, të cilin një pjesë të madhe të tij, duhet ta kërkojmë nga liderët dhe udhëheqja e tyre e keqmenaxhimeve, që një pjesë e madhe e tyre u bënë edhe miloniera në kurrizin e këtij populli. Ndërgjegjësimi që merr mbi vete edhe përgjegjësinë për ta kthyer këtë vend në kahe të duhur dhe në binarët e një shoqërie të vërtetë demokratike, ai apo ajo, në krye të qeverisë, së pari duhet ti drejtohet të vërtetës së këtij populli”, shprehet opinionisti.
Thelbi i agjendës së qeverisë Kurti, sipas Preqit, është koncepti sesi do të jetë e ardhmja më e mirë e këtij populli, që kuptohet me një “qeverisje” në kuptimin e përgjegjësisë njerëzore.
“Cila do qoftë parti politike apo drejtim në të cilin duhet të aktualizohet, që të drejtojë këtë vend dhe këtë popull drejt një zhvillimi dhe mirëqenie njerëzore, i cili popull e meriton me gjitha ato vuajtje dhe sakrifica që i ka kaluar për ta fituar një copë liri dhe demokraci në këto troje të veta. Sikur është e pa shmangshme të kërkohet edukimi i kësaj shoqërie, i cili duhej t’i tejkalojë konceptet e pafundme të ironisë apo urrejtjes ndërpartiake dhe personale, dhe që do të ishte më serioze për të kryer jo vetëm detyrat politike, por për të ngritur nivelin dhe imazhin e njeriut të këtij vendi drejt formave zhvillimore përmes të cilave populli mund të vendos për fatin dhe për të ardhmen e vet. Ajo që përmban në thelb të agjendës të Qeverisë Kurti, është koncepti se si do të jetë e ardhmja më e mirë e këtij populli, që kuptohet me një « qeverisje » në kuptimin e përgjegjësisë njerëzore, që përmban secili përgjegjësinë ndaj detyrave të veta, kësaj i shtohet edhe vetëdija e një pushteti dhe seriozitetin kundër abuzimeve dhe keqpërdorimeve të ndryshme zyrtare dhe materiale”, deklaron Preqi.
Ai përmend edhe korrupsionin e nepotizmin e kësaj opozite sa ishte në pushtet, gjersa shton se ajo e bënë problem edhe zgjedhjen e presidentit të vendit.
“Po ashtu edhe në aspektin e korrupsionit dhe nepotizmit, të cilat në vendin tonë ishin apetite dhe ushqime të preferuara të kësaj shoqërie opozitare, që dikur e kishin pushtetin dhe shtetin në duart e tyre, të cilët po pretendojnë ta marrin edhe njëherë, sepse ua ka lënë ëmbël e kaluara.
Nuk është normale që Kosova, jo aq e madhe të ketë probleme aq të mëdha, sikur përditë shohim sjellje jo parlamentare dhe dëgjojmë fyerje e sharje arrogante nga deputetët e këtij parlamenti ndaj njëri-tjetrit, që shumica e tyre janë nga opozita, duke iu drejtuar pozitës dhe qeverisë Kurti, që nuk kanë të bëjnë me temat e ditës, por në të shumtën e rasteve janë kundërthënie dhe shantazhe të qëllimshme.
Opozita e sotme, e bënë problem edhe zgjedhjen e presidentit të vendit, e cila e kërkon pozitën e presidentit edhe pse nuk i ka numrat dhe në anën tjetër nuk i tregon emrat e kandidatëve të vet, duke i mbajtur sekret.
Dhe ajo që është më e keqja e kësaj opozite, kur këto ditë kryeministri Albin Kurti, i thërret të bëjnë debat dhe të dakordohen për zgjedhjen e presidentit, por sikur me opozitën ndodh e kundërta, prej të cilëve e refuzojnë thirrjen e kryeministrit të vendit, mu në kohën kur të gjithë së bashku duhet ti bashkërëndisim planet që mos të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse do ti kushtojë shumë Kosovës dhe popullit të saj”, përfundon Preqi.
