TË FUNDIT

Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, problemi që po zgjatet tash e 10 vite

Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, problemi që po zgjatet tash e 10 vite

Rruga nga kryeqyteti drejt Mitrovicës tash e 10 vjet është bërë problem qarkullimi për qytetarët që e frekuentojnë.

Teksa punimet për zgjerimin e saj nuk arritën të kryheshin për një dekadë, së fundmi është anuluar kontrata e një kompanie që po kryente punimet në zgjerim.

Por nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë dhënë detaje nëse do të ketë një zgjidhje të shpejtë e cila do të përmbyllte odiseadën e kësaj magjistrale.

41 kilometra e ndajnë Prishtinën me Mitrovicën. Por magjistralja që lidh dy qytetet tash e sa vjet është shndërruar në një rrugë të vështirë, sidomos për ata që udhëtojnë çdo ditë andej. Zgjerimi i saj nisi vite më parë por ende nuk po e sheh fundin.

Tabela e vendosur në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë sinjalizon për punime në rrugë. Por në fakt ato janë ndalur.

“Siç po e shihni edhe ju, ka vite qe u nis kjo rruge. Tash e kemi kuptuar që edhe kontrata është ndërprerë për këto punime. Vështirësitë veç po vërehen. Ka kolona”, thotë Nexhat Sopjani- qytetar

“Ma shpejt vijë nga Gjermania deri Prishtine se sa prej Prishtinës në Vushtrri. Vërtete rënd, po i dëmtojmë edhe makinat”, shprehet një tjetër qytetar.

RTK ka disa ditë që ka provuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës , e po ashtu edhe nga kompania së cilës i është anuluar kontrata, por asnjëra deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Megjithatë, javë më parë zv/ministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi përmes rrjeteve sociale ka sqaruar se shkëputja e kontratës është bazuar në gjetjet e auditorit, sipas të cilit kontraktori nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij të përcaktuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *