OPINIONTË FUNDIT

Takime pa rezultat: Çfarë po ndodh prapa skenës për Presidentin?

Kosova vazhdon të mbetet pa zgjidhur çështjen e Presidentit, duke e zgjatur më tej ngërçin institucional dhe politik në vend. Pavarësisht diskutimeve dhe takimeve të zhvilluara ndërmjet partive politike, deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Situata ka krijuar pasiguri në skenën politike, ndërsa partitë vazhdojnë të shkëmbejnë qëndrime dhe përgjegjësi lidhur me bllokadën. Mungesa e konsensusit po shihet si një faktor që po e mban të hapur krizën institucionale dhe po vonon zgjidhjen e një prej çështjeve kryesore të shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Avdixhiku, por që nuk kanë arritur në ndonjë rezultat.

Por, kjo nuk është e tëra, sepse Abdixhiku një ditë më parë konfirmoi se është takuar me kreun e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për të parë qëndrimet rreth çështjes së presidentit. Ndërkaq, paralajmëroi se javën e ardhshme ka gjasa të ketë takime të reja me Kurtin.

Kasolli: Lëvizjet taktike të Lumir Abdixhikut janë të kushtëzuara edhe nga përvoja traumtike e zgjedhjeve të fundit parlamentare

Analisti politik, Afrim Kasolli në një deklaratë për “Bota sot”, thotë se pas takimit me kryeministrin Kurti për çështjen e Presidentit/es së re, Lumir Abdixhiku ka bërë të qartë që LDK është kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas tij, takimet me liderët e opozitës nuk synojnë vetëm konsensus për presidentin/en e ri, por shërbejnë edhe si përpjekje politike e LDK-së për t’u shfajësuar para opinionit publik, duke treguar se ka bërë gjithçka për të shmangur zgjedhjet dhe se përgjegjësia për situatën politike bie mbi partitë e tjera.

“Po që pas përfundimit të takimit me kryeministrin Kurti për temën e Presidentit/es së re të shtetit, Lumir Abdixhiku e ka bërë të qartë se si subjekt politik janë kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Në funskion të kësaj agjende i njëjti edhe paralajmëroi këtë seri te takimeve edhe me liderët tjerë të opozitës.

Megjithatë, këto takime më shumë sesa kanë për qëllim krijimin e një konsensusi ndërpartiak për votimin e Presidentit/es së re te shtetit, në fakt janë një lloj përpjekje politike për t’u shfajësuar para opioninonit publik që Lidhja Demokratike e Kosovës e bëri të pamundurën për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare nga mos zgjedhja e Presidentit/es se re të shtetit. Dhe se përgjegjësinë për këtë situatë të re politike duhet kërkuar te partitë tjera” – tha ai.

Tutje, thotë se situata aktuale politike po ndjek të njëjtën logjikë si pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku debati është përqendruar te përgjegjësia për bllokadën institucionale dhe roli i partive politike në të.

Kasolli shton se, veprimet e Lumir Abdixhikut janë të ndikuara nga përvoja e zgjedhjeve të fundit, të cilat ai i cilëson si “traumatike” për LDK-në, duke sugjeruar se kjo po e shtyn partinë drejt lëvizjeve më të kujdesshme dhe taktike në skenën aktuale politike.

“Në këtë kontekst, jemi brenda të njëjtës logjike të veprimit politik që ka filluar që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të vitit të kaluar, se kush është përgjegjës dhe kush është viktimë e bllokadës politike ne vend, vetem se tani jo per temën e Kuvendit, por të Presidentit. Në rastin e parë, Lëvizja Vetëvendosje siç e dëshmuan zgjedhjet e 28 dhjetorit arriti të përfitoi politikisht, kurse partia që u ndëshkua më së shumti elektoralisht ishte Lidhja Demokratike e Kosovës. Prandaj këto lëvizje taktike të Lumir Abdixhikut janë të kushtëzuara edhe nga përvoja traumtike e zgjedhjeve të fundit parlamentare” – deklaroi Kasolli për gazetën.

Maraj: Zgjedhje e Presidentit të Kosovës

ImageMilazim MarajFoto galeri
Kurse, analisti Milazim Maraj për “Bota sot” tha se takimet mes LDK-së dhe LVV-së kanë qenë vetëm biseda në parime, pa rezultate konkrete dhe se nuk pritet të sjellin zgjidhje të ngërçit politik.

Ai kritikon Albin Kurtin që sipas tij, nuk është i interesuar që çështja e Presidentit të zgjidhet ende, por po e mban të hapur situatën për arsye politike. Ai kritikon edhe opozitën, duke thënë se klasa politike në Kosovë është e dobët dhe e papërgjegjshme ndaj qytetarëve dhe zhvillimeve ndërkombëtare që ndikojnë në vend.

“Janë zhvilluar takime në mes të LDK dhe LVV por sipas asaj që dihet diskutimet nuk kanë qenë konkrete por vetëm biseda në parime. Këto biseda nuk kanë dhënë deri tani asnjë rezultat konkret. Madje si të tilla as që pritet të japin. Duket që Albin Kurtit nuk i pëlqen të zgjidhet çështja e Presidentit ende. Tani mbetët të shihet nëse ai kërkon zgjidhje të këtij ngërçi, apo ndonjë pengës tjetër, më të cilën do të akuzonte përsëri opozitën. Ajo që tani më është e qartë, Kosova nuk ka pasur strukturë politike me kontroversë më të dobët dhe më jo kombëtare që nga pas lufta. Aspak nuk turpërohen para qytetarëve që u besuan dhe i votuan. Aspak këtë nder që u bënë votuesit nga e respektuan. Aspak nuk u behët vonë për zhvillimet gjeostrategjike dhe ndryshimin e interesave në Botë si dhe ku do të mbetët Kosova?”, thotë ai.

“Aspak nuk qajnë hallin e shqiptareve në Maqedoninë e Veriut ku janë rikthyer shtypjet antishqiptare në gjuhë dhe kulturë. Ambicia për të ardhur në pushtet me vota të lira është normale, por krijimi i ngërçit pas fitimit të votave kjo është jo normale, qëllimkeqe dhe shumë shqetësuese. Kjo po krijon një mjegull të pashpjegueshme. Çka kërkon fituesi i zgjedhjeve? Ngërç pas ngërçit, pengesë pas pengese dhe përshkrim që çdo gjë po shkon mirë përveç që opozita po penguaka zhvillimet demokratike në vend. Ndërsa në vend të kërkimit të një marrëveshje racionale pas këtyre zgjedhjeve dhe ngërçeve; vazhdojnë me takime për kinse parime sikur kanë kohë të mjaftueshme. Asgjë konkrete”.

Tutje, Maraj potencon se takimet LDK–PDK nuk kanë sjellë rezultate konkrete dhe se partitë nuk po arrijnë as marrëveshje të përbashkët.

Ai kritikon ashpër klasën politike, duke thënë se përplasjet mes partive po e dëmtojnë shtetin dhe interesat e Kosovës. Sipas tij, pavarësisht synimeve për BE dhe NATO, vendi po tregon mungesë uniteti dhe përgjegjësie.

Maraj thekson se opozita duhet të jetë më e qartë dhe konstruktive, duke u pajtuar për figura të pranueshme për udhëheqje dhe përfaqësim të shtetit.

“Takimi LDK-PDK nuk ka treguar ndonjë rezultat konkret. Madje as që kanë dal më ndonjë propozim të përbashkët të cilin do ta mbronin. E vetmja gjë që dihet dhe është e çartë se nuk pajtohen që të tri pozitat kryesore të i ketë një parti në këtë rast LVV. Në këtë rrëmujë politike të krijuar në Kosovë që së paku një vite e gjysmë po zhvillohen përleshje të pa arsyeshme dhe shumë të dëmshme për të ardhmen e shtetit tonë. Përleshje në mes të partive dhe ideologjive pa farë interesi për vendin por ne interes të armiqve tonë të më hershëm dhe të tashëm. Përleshje, politike, fetare, dhe aq me te rrezikshme përleshjet e civilizimeve që janë sjell nga lindja dhe po përplasën në Kosovë. LDK deklarohet hapur që nuk ka gjë kundër, të zgjidhet presidente, Dr. Vjosa Osmani. Por për këtë nuk ka reagime nga LVV. Ndërsa AAK nuk ka pasur takime më LVV. Kërkojmë që të pranohemi në BE, por nuk po arrijmë të zgjedhim përfaqësuesit e shtetit që mbi 15 muaj. Kërkojmë të pranohemi në NATO dhe ankohemi që janë pesë shtete që po pengojnë por nuk po arrijmë të dalim nga pengesat që i krijojmë vet. Kërkojmë që të na njohin shtetet tjera në Botë por nuk po tregojmë ndonjë interes që këto shtete do të kenë në marrëdhënie me Kosovën.

Kush do të lakmoj të bëjë marrëdhënie më Kosovën kur ne nuk kemi marrëdhënie të mira në mes veti. Kërkojmë dhe flasim në rrugë për bashkim kombëtar por nuk kemi marrëdhënie të mira me Qeverinë shqiptare. Andaj shpresat për një të ardhme të shpejtë janë dëshira të pa konfirmuara mjaftë. Janë më shumë dëshira deklarative se sa përmbajtjesore. Opozita pas humbjes së zgjedhjeve duhet të jetë me q çartë, konkrete dhe bindëse që kjo nuk është pengesë. Këta duhet të pajtohen me një figurë të aftë, të pranueshme, që premton udhëheqje të mirë në vend dhe përfaqësim me dinjitet në Botë. Kosova ka figura të tilla. Kanë të gjitha partitë politike shqiptare. Mungon vetëm vullneti i mirë dhe përgjegjësia për ta arsyetuar atë që e deklaruan në fushatë zgjedhore” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *