OPINIONTË FUNDIT

Kurti–Abdixhiku ‘dakordohen’ vetëm për takime të reja, analistët ‘zbulojnë’ nëse ka marrëveshje – ja ‘matematikat’ e koalicionit

Kosova tash e disa ditë është me ushtruese të detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kjo deri në arritjen e një marrëveshjeje për postin e presidentit apo zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Për çështjen e presidentit, të hënën u takuan për herë të parë pas vendimit të kushtetueses për afat shtesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në takimin e parë pas afatit shtesë, nuk u arritë ndonjë marrëveshje, përveç marrëveshjes për t’u takuar përsëri në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

“Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse ato nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë tjera, është e vështirë që të paramendohet një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona dhe me po të njëjtat zotime kërkojmë sërish votën e të njëjtëve qytetarë për një rezultat që e dimë që nuk mund të jetë shumë ndryshe. Ndodhemi aty ku ndodhemi. Unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund të them që e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje, në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo orën e fundit”, ka thënë Kurti pas takimit pothuajse dyorësh që e ka zhvilluar me kreun e LDK-së në ambientet e Kuvendit.

Ngjashëm si kryeministri Albin Kurti, u shpreh edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili deklaroi se po përpiqen të bëjnë zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri në vend.

Ai tha se zgjedhjet nuk i do askush, gjersa shtoi se do takohet edhe me krerët e PDK-së Bedri Hamzen dhe AAK Ramush Haradinaj.

“Kemi më pak se tre javë ditë kohë për të gjetur një konsensus dhe për të arritur një marrëveshje eventuale, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Zgjedhjet nuk i do askush, as LDK-ja. Unë do të takojë edhe liderët tjerë politikë të PDK dhe AAK për të kuptuar dhe pozicionet e tyre.Çdo marrëveshje që siguron kuorumin për presidentin e ardhshëm është e mirëseardhur. Për këtë duhet pasur diskutime me të gjitha partitë. Jo nuk kemi diskutuar ende emra konkretë. Siç e dini tri pozita nuk mund t’i takojnë një partie politike”, ka thënë Abdixhiku.

A do të sjellin takimet e reja zgjidhje?

Analisti Blerim Burjani për “Bota sot” tha se qëllimi i LDK-së mbetet i njëjtë, nëse sillen mirë nuk do të thotë se të besojnë.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Sipas tij, nuk ka marrëveshje dhe as nuk do të ketë.

“Përshtypja e ime është sjellje formale , sjellje politike e zbarzët pa përmbajtje të brendshme, diskutime pa rezultat, shkëmbim i ideve si t’ia bëjmë. Por, marrëveshje jo! Qëllimi i LDK është gjithmonë i njëjtë nëse të sillen mirë, nuk do të thotë se të besojnë dhe pajtohen, pra politikën e kuptojnë me veprime, por jo me fjalë ndoshta boshe dhe mbarim i qejfit. S’ka marrëveshje, as nuk do të ketë, po të kishte pasur nuk do të kishte lutur Bedri Hamzën që të takohej, pra me gjithë kush po bon pazare me të Kurtin, pra këtu s’ka seriozitet, thjesht duhet të provuar sa mos të thuhet që nuk u provua. Përndryshe do të bëhej koalicioni me LDK-në, sepse është më afër Abdixhiku president dhe 5 ministri për LDK-në, kjo është është i gatshëm Kurti, domethënë VV + LDK + minoritetet jo serbe bëhen numrat”, deklaron Burjani.

Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe 21 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri në vend, kjo për shkak se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Papranueshmëria e shfrytëzimit të postit të presidentit për interesa personale apo partiake

Kirse, veprimtari Agim Aliçkaj për “Bota sot”, thotë se është momenti i fundit që partitë politike, sidomos ato të opozitës, të kuptojnë se luajtja me shtetin është e papranueshme dhe e dënueshme.

Ai kërkon që takimet të jenë më transparente.

“Bllokadat dhe dështimet politike të vitit të kaluar e kanë lodhur popullin e Kosovës. Është vërtet momenti i fundit që partitë politike, sidomos ato të opozitës, ta kuptojnë se luajtja me shtetin është e papranueshme dhe e dënueshme. Shfrytëzimi i procesit të zgjedhjes së Presidentit për interesa të ngushta personale apo partiake është i papranueshëm. Afati 34-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese duhet të shfrytëzohet për të nisur një qasje të sinqertë dhe pozitive drejt konsolidimit të qeverisjes së shtetit. Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, tashmë ka bërë një hap në këtë drejtim përmes ftesave publike për bisedime drejtuar krerëve të LDK-së dhe PDK-së. Takimi mes Kryeministrit Kurti dhe Kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, ndonëse u cilësua si konstruktiv, nuk solli zgjidhje konkrete. Megjithatë, pritet vazhdimi i bisedimeve. Në këtë situatë, do të ishte e udhës që takimet të jenë transparente, në mënyrë që qytetarët të shohin qartë se kush punon për zgjidhje dhe kush për përfitime”, deklaron veprimtari.

Koalicionit fitues i takon zgjedhja e presidentit, thotë Aliçkaj, dhe sipas tij, partitë humbëse nuk kanë të drejtë të bojkotojnë apo të refuzojnë pa arsye të forta dhe të argumentuara.

“Koalicioni LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK ka fituar bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit, prandaj atij i takon roli kryesor në zgjedhjen e Presidentit. Pretendimet që Presidenti duhet të jetë kundërshtar politik i tyre janë të pabazuara. Partitë humbëse, si PDK, LDK dhe AAK, kanë të drejtë të japin vërejtje dhe të kontribuojnë me propozime për një kandidat të aftë dhe të pranueshëm, por nuk kanë të drejtë të bojkotojnë apo të refuzojnë pa arsye të forta dhe të argumentuara kandidatët e propozuar nga Kryeministri. Duket se krerët e PDK-së shpesh janë jashtë realitetit me disa nga propozimet e tyre. Edhe AAK nuk qëndron larg këtij qëndrimi, megjithatë ekziston bindja se me ta mund të zhvillohen bisedime konstruktive, ndaj është e rëndësishme që Kryeministri t’i trajtojë me respekt dhe të dialogojë me ta njësoj si me partitë e tjera. Sipas të gjitha gjasave, një marrëveshje politike me LDK-në është e mundur, nëse Kryetari Abdixhiku arrin të krijojë unitet brenda partisë së tij dhe shmang kërkesat joreale ndaj Kryeministrit Kurti. Ndoshta janë nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës, kur refuzimi i disa ofertave ndikoi negativisht në mbështetjen elektorale të LDK-së”, shprehet Aliçkaj.

Tutje, ai shton se ndërtimi i shtetit kërkon përkushtim dhe pjekuri politike.

“Një qasje konstruktive do t’i sillte përfitime, duke mundësuar zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja. Populli i Kosovës mund të kuptojë kërkesat e arsyeshme për interesa partiake, por nuk toleron egoizmin, inatet dhe përfitimet personale që dëmtojnë interesin shtetëror. Ndërtimi i shtetit kërkon përkushtim dhe pjekuri politike. Bllokimi i zgjedhjes së Presidentit në rrethanat aktuale është një papërgjegjësi e madhe politike. Çdo lider apo parti që do të konsiderohet përgjegjëse për bojkotin dhe për çuarjen e vendit në zgjedhje të panevojshme, do të ndëshkohet me votë nga qytetarët”, përfundon veprimtari për “Bota sot”.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave, derisa LDK 13 për qind.

Koalicioni qeverisës i drejtuar nga LVV ka 66 deputetë ose 14 më pak se numri i duhur i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *