Manipulimi me lëndën plasëse në kufirin Serbi-Hungari!
Një lëvizje e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me gazjellësin që vjen nga Turqia dhe lidh përmes Serbisë edhe Hungarinë, ka zbuluar shumçka. Vuçiq njoftoi para pak ditësh se në linjën e gazsjellësit që çon në Hungari, diku afër kufirit Serbi-Hungari, përkatësisht në Vojvodinë, ishte gjetur një sasi shumë e madhe lënde shpërthyese. Dhe ai menjëherë urdhëroi shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë të dërgojë helikopterët e saj si dhe policinë të dërgonte forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Aq shpejt u koordinuan të gjitha veprimet, saqë kuptohet qartë se gjithçka ishte skenarizuar dhe njohur më parë. Veprimi i shpejtë në reagimin e Serbisë u shoqërua gjithashtu me një alarm në Budapest.
Të dy kryeqytetet u alarmuan aq shumë, sa menjëherë mblodhën këshillin e sigurimit dhe u solidarizuan me njëri-tjetrin, “për t’u përballur me armikun e jashtëm dhe të brendshëm”! Armiku i jashtëm është Europa, sidomos Gjermania dhe Britania e Madhe. Armiku i brendshëm për Vuçiq janë studentët e Beogradit dhe të të gjithë Serbisë, ndërsa për Orban është opozita hungareze.
Si ndodhi që lënda plasëse të ishte vendosur pikërisht në afërsi të kufirit me Hungarinë? Si ndodhi që Vuçiq ta zbulonte atë kaq lehtësisht, madje pa u dhënë komanda e shpërthimit të saj, dhe më pas të bënte shoun e tij me helikpoterë dhe ushtri e forca speciale, sikur të kishte nisur një luftë e re në veri të Serbisë?
Si u bë që asgjë nuk ndodhi dhe ata që e vendosën lëndën plasëse u zhdukën pa nam e pa nishan?! Këto dhe shumë enigma na bëjnë të kuptojmë se të gjitha gjurmët krimit çojnë në Beograd dhe se gjithçka është skenaruzuar nga tre aktorë, Vladimir Putin, Aleksandër Vuçiq dhe Viktor Orban. Eshtë dhënë alarm mediatik kaq i madh në të tri vendet, Serbi, Rusi dhe Hungari, sa duket sikur ka plasur lufta. Ndërkohë akti terrorist i Banjskës dhe ai i Ibër Lepenc, për Vuçiq nuk janë ngjarje që mund të shkaktojnë alarm mediatik dhe politik. Madje edhe për Orban. Për Ramën ato mgjarje ishin “sherrnaja ballkanike” dhe për Putin “provokime të Albin Kurtit”!
Presidenti i Serbisë mbron kryeterroristin e Banjskës, Milan Radoiçiq, dhe ndërkohë bën zhurmën propagandistike anti-europiane me një akt të pa kryer. Ka gjetur lëndë plasëse, të cilën “terroristët”, “armiqtë e brendshëm e të jashtëm” nuk paskan mundur ta shpërthejnë para se ta zbulonte terroristi i Sarajevo-Safarit. Ndaj dhe të gjitha gjasat janë se ngjarja është e sajuar qëllimisht që ta ndihëmonin Viktor Orban për ta fituar një mandat të pestë në Hungari. Ngaqë Orban është në kuota të ulëta në sondazhet që bëhen, atij i duhej një inxheksion për ta fryrë në elektorat. Dhe që të fryhej i duhej një skup shantazhi ndaj tij. Duket sikur zgjedhësit hungarezë të ishin dele që besojnë intrigat e Orban, Vuçiq dhe Vladimir Putin!
Serbia është një vend që interesohet shumë që Orban t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të radhës. Sepse i vetmi partner në rajon për Serbinë është Hungaria e autokratit Viktor Orban. Fitorja e opozitës hungareze e izolon Beogradin tërësisht dhe për pasojë Vuçiq i ndalet edhe tubi i fundit i oksigjenit që atë e mban në pushtet. Çuditërisht ose jo, Orban është gjithashtu mik edhe i Edi Ramës. Aksioma është e qartë: – Miku i mikut tim është edhe miku im! Miku i Vuçiq, pra Viktor Orban, është edhe mik i mikut tjetër të presidentit të Serbisë, mik i kryeministrit të Shqipërisë. Por ka një enigmë të pasqaruar mirë: – Mirë Vuçiq dhe Orban janë miqtë e Vladimir Putin, po Edi Rama pse të mos jetë dhe ai mik i Kremlinit?! Vuçiq po bën gjithçka që të afrohet sa më shumë me Moskën.
Ai foli në telefon para pak ditësh me Vladimir Putin dhe zgjati më tej marrëveshjen e firnizimit me gaz të Serbisë përmes Gazpromit rus. Orban nga shtatë ditë që ka java, një ose dy ditë i kalon në shoqërinë e presidentit rus, ndërkohë që nga shtatë vendime të BE-së kundër Rusisë, të shtata i bllokon me veto.
Ndaj dhe nuk ka nevojë të lexohet se cili është qëllimi dhe interesi rus edhe përsa i përket “vendosjes” së lëndës plasëse në gazsjellësin Turqi-Hungari, por ama në territorin e Serbisë, madje në dalje të territorit të saj. Sa koinçidenca të shumta! Sa e çuditshme që “armiku” e ruajti kohën të provokojë vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Hungari! Çfarë “rastësie” është që aktin e zbuloi papritmas miku i Orban, pra Aleksandër Vuçiq! Të gjitha çuditë vijnë në një linjë. Në linjën anti-perendimore të vetë atyre që e quajnë veten europianë.
