TË FUNDIT

Eksperti i sigurisë flet për dërgimin e FSK-së në Gazë – tregon përfitimet, por paralajmëron edhe rreziqet!

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gazë, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
Eksperti thotë se dërgimi i FSK-së në Gaza do ta forconte pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke treguar se ajo kontribuon aktivisht në siguri dhe fiton më shumë besim nga aleatët.

Po ashtu, ai shpjegon se kjo do t’i ndihmonte ushtarët të fitojnë përvojë të vlefshme profesionale dhe do ta përmirësonte imazhin diplomatik të Kosovës në botë.

“Pjesëmarrja e FSK-së në një mision ndërkombëtar në Gaza duhet parë në dy nivele: përfitimet strategjike dhe ekspozimi ndaj rreziqeve operative.

Në aspektin strategjik, kjo lëvizje përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Përmes angazhimit në një mision stabilizues, Kosova demonstron se nuk është vetëm konsumues i sigurisë, por edhe kontribuues aktiv në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë. Kjo rrit kredibilitetin e saj përballë partnerëve strategjikë, veçanërisht vendeve të NATO-s dhe aleatëve kyç perëndimorë.

Një përfitim tjetër thelbësor lidhet me zhvillimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Operimi në një ambient kompleks si Gaza u jep pjesëtarëve të FSK-së përvojë reale në misione shumëkombëshe, ndërveprim me struktura të avancuara ushtarake dhe adaptim në skenarë të luftës hibride dhe operacioneve urbane. Kjo përvojë është e paçmueshme për transformimin gradual të FSK-së në një forcë plotësisht interoperabile me standardet e NATO-s.Gjithashtu, në planin diplomatik, një angazhim i tillë e pozicionon Kosovën si një aktor konstruktiv dhe humanitar, duke ndërtuar kapital politik në organizata ndërkombëtare dhe duke forcuar argumentin për njohje të reja”, u shpreh ai.

Ndër të tjera eksperti i sigurisë shpjegon që përveç përfitimeve, misioni në Gaza paraqet rreziqe serioze sepse është një zonë shumë e paqëndrueshme ku ushtarët mund të përballen me sulme të ndryshme, si nga grupe jo-shtetërore, mjete shpërthyese apo luftime në qytet.

Ai shton se situata mund të përkeqësohet papritur, prandaj kërkohet përgatitje e lartë dhe mbështetje e fortë nga aleatët.

Gjithashtu, ai nënvizon se përfshirja në një konflikt kaq të ndjeshëm mund të sjellë pasoja politike për Kosovën, duke e ekspozuar ndaj presioneve diplomatike ose fushatave të dezinformimit që mund ta paraqesin atë si të njëanshme.

“Megjithatë, dimensioni i rrezikut është real dhe nuk duhet nënvlerësuar.

Gaza mbetet një zonë me intensitet të lartë të kërcënimeve, ku rreziku nuk është vetëm konvencional, por edhe asimetrik. Ushtarët e FSK-së mund të përballen me sulme nga aktorë jo-shtetërorë, përdorim të mjeteve të improvizuara shpërthyese (IED), snajperë, si dhe rrezik të lartë në operacione urbane ku dallimi mes civilit dhe luftëtarit është i paqartë. Një tjetër element kritik është rreziku nga përshkallëzimi i papritur i situatës së sigurisë, që mund ta shndërrojë një mision stabilizues në një ambient me karakter luftarak. Kjo kërkon jo vetëm përgatitje të lartë taktike, por edhe mbështetje të fuqishme logjistike, inteligjente dhe mjekësore nga partnerët ndërkombëtarë.

Në nivel strategjik, ekziston edhe dimensioni politik dhe i perceptimit – përfshirja në një konflikt kaq sensitiv mund të ekspozojë Kosovën ndaj presioneve diplomatike apo fushatave të dezinformimit nga aktorë që synojnë ta paraqesin atë si palë të njëanshme”, përfundoi eksperti i sigurisë Drizan Shala për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *