OPINIONTË FUNDIT

“Nuk ishte kulmi, por fillimi” / Analistët zbërthejnë deklaratën e Osmanit – sinjalizojnë lëvizje të reja politike

Së fund, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se marrja e detyrës si kryetare e Republikës, pesë vjet më parë, nuk ka qenë kulmi i karrierës së saj, por vetëm fillimi.

“Pesë vite më parë kur e mora detyrën nuk e pash si kulm të rrugëtimin tim por si fillim. Ishte ai moment kur filloi përgjegjësia dhe pushtetin nuk e mora si privilegj por shërbim”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, pesëvjeçari i saj në krye të shtetit ishte periudhë kur u forcuan institucionet dhe u shtua hapësira për gratë.

Pesë vjet pas marrjes së detyrës si presidente, deklarata e Vjosa Osmanit hap më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje të qarta.

Në një skenë politike të tensionuar, ku raportet me kryeministrin dhe ish-aleatët e saj janë lëkundur ndjeshëm, një formulim i tillë mund të lexohet si sinjal për ambicie të reja, por edhe si përpjekje për të ruajtur relevancën politike.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo retorikë është e mbështetur në një strategji konkrete apo thjesht një deklaratë simbolike. Pas përplasjes me Albin Kurtin dhe dobësimit të strukturës politike që ajo vetë e ngriti pas largimit nga LDK-ja, hapësira e saj për veprim duket më e kufizuar se më parë. Në këtë kontekst, çdo paralajmërim për “fillime të reja” tingëllon më shumë si një sfidë për t’u dëshmuar në një terren më pak të favorshëm politikisht.

Prandaj, pyetja kryesore nuk është vetëm çfarë po paralajmëron Osmani, por nëse ajo ka mjetet dhe mbështetjen për ta kthyer këtë deklaratë në realitet politik.

Geci: Nga “fillimi i karrierës” te akuzat për tradhti politike – a po e paguan çmimin e rrugës së saj?

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli Halil Geci i cili, ironizoi me këtë deklaratë të Osmanit, duke potencuar se po është fillimi i karrierës së saj, pasi deri tani ka vepruar politiksht në krah të LDK e LVV-së.

ImageHalil GeciFoto galeri
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se marrja e detyrës si kryetare e Republikës nuk ka qenë kulmi i karrierës së saj, por vetëm fillimi.

Edhe unë mendoj se kjo është vetëm fillimi për të. Deri më sot, ajo ka vepruar politikisht fillimisht në krah të Lidhja Demokratike e Kosovës, e më pas në krah të Lëvizja Vetëvendosje, prej nga edhe arriti të bëhet presidente”.

Krahas kësaj, ai tha se, nëse Osmani formon parti dhe arrin të fitojë, kundërshtarët duhet t’ia japin dorën.

Mirëpo, në rast se nuk arrin të fitojë, rrugëtimi i saj politik duhet të shihet si i përfunduar dhe për këtë dha disa arsye.

“Nëse sot formon një parti të sajën dhe arrin të fitojë mbështetjen e votuesve për t’u zgjedhur sërish presidente, atëherë edhe ne, si kritikë dhe kundërshtarë, do t’ia japim dorën.

Në të kundërtën, rruga e saj politike mund të konsiderohet e përfunduar – dhe arsyet, sipas kritikëve, janë këto:

“U ngrit mbi të gjithë, duke i shantazhuar me foton e Rugovës në gji, kinse e donin shumë. Dhe me kundërshtimin ndaj Hashimit, kushdo që iu afrua, përfundoi i tradhtuar.”

E përdori Fatmir Sejdiu, e shfrytëzoi dhe e tradhtoi.

E përdori Isa Mustafa dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, i përqafoi dhe në fund i tradhtoi.

Nga “shpresa” që patën rugovistët për të, kaloi në përçarje.

Sa herë duhet të mashtrohemi me të njëjtën lojë?

Me sa duket, tash po i del llogaria Vjosa Osmani.

Sepse kur njeriu ngjitet me tradhti, bie me turp”, u shpreh Geci.

Ndër të tjera, duke e analizuar rrugën e saj politike, analisti tregoi nëse Osmani po e paguan çmimin e kësaj rruge.

“E përdori afrimin, përqafimin dhe servilizmin për egon e saj, dhe përfundoi duke i tradhtuar të gjithë me radhë. Nuk besoj se me të njëjtën recetë do t’ia dalë kësaj here.

Kësaj here, në përpjekje për t’u bërë presidente, u përfshi në lojëra të mëdha politike – me emra si Edi Rama, Richard Grenell, Ali Ahmeti, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq – dhe interesa që shkojnë përtej Kosovës.

Dhe sot, pyetja mbetet e thjeshtë:

A po e sheh më në fund qytetari të vërtetën për Vjosa Osmani?” – përfundoi Halil Geci për “Bota sot”.

Mehmeti: Pas 4 prillit do të ketë akuza dhe kundërakuza të forta dhe një luftë shumë të fortë politike mes Kurtit e Osmanit

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti deklaratën e fundit të Osmanit e sheh si sfidë të hapur ndaj Kurtit.

ImageFaton MehmetiFoto galeri
Mirëpo, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, vlerëson se Osmani në të ardhmen mund ta synojë postin e kryeministrit.

“Deklarimi i Osmanit është një sfidë e hapur ndaj kryeministrit Kurti, për t’i thënë atij se nuk do ta ketë të lehtë rrugën për të vazhduar postin e kryeministrit, pasi Vjosa po synon ta sfidojë edhe në këtë post, Kurtin, sepse ajo vetëm e ka konsumuar Presidencën dhe vështirë se do ta marrë edhe një mandat”.

Megjithatë, Mehmeti e paralajmëroi Osmanin, se fillimisht duhet ta mposhtë Abdixhikun e më pas të përballet me Kurtin.

Sipas tij, vetëm përmes LDK-së, Osmani mund të vazhdojë rrugëtimin politik, formimi i një iniciative qytetare nuk do e ndihmonte atë.

“Kështu që deklarimi i saj se posti i presidentes ishte fillimi, tregon se është një sfidë e hapur ndaj Kurtit, por për ta arritur këtë, Osmani së pari duhet ta mposhtë Abdixhikun brenda LDK-së, sepse ajo nuk mundet me një iniciativë qytetare të arrijë që të dalë parti fituese.

Prandaj, për ta bërë këtë gjë, mundësinë më të lehtë dhe të vetmen e ka nëse e merr drejtimin e LDK-së. Për këtë, fillimisht sfidën e ka me Abdixhikun, pastaj me Kurtin, por thjesht kjo është një synim dhe qartësim i synimit të Vjosës në politikë; nuk ka hyrë për të qenë vetëm presidente, por për të vazhduar më larg”, potencoi ai.

Në fund, Mehmeti shtoi se, “pres që të ketë sfida “zbavitëse” mes Vjosës dhe Kurtit; besoj që pas 4 prillit do të ketë akuza dhe kundërakuza të forta dhe një luftë shumë të fortë politike mes tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *