OPINIONTË FUNDIT

Nëse Kurti nuk e godit Ramën – Rama e godit Kurtin!

Qëkur Albin Kurti është në pushtet, kam pritur prej tij ta shpallë Edi Ramën “person non-grata” në Kosovë, pasi ky i fundit gjithnjë e më shumë po dëshmon se është armiku më i madh i Kosovës, menjëherë pas Aleksandër Vuçiqit. Fakti që Kurti nuk e ka bërë këtë, ndoshta lidhet me frikën se një veprim i tillë do të shkaktonte keqkuptim dhe zemërim te vëllezërit tanë në Shqipëri. Nëse kjo ka qenë arsyeja, atëherë unë e mirëkuptoj z. Kurti.

Megjithatë, edhe sikur ta kishte ndërmarrë një hap të tillë, ai do të kishte pasur fakte dhe argumente të mjaftueshme përpara shqiptarëve të Shqipërisë kundër tradhtarit të shqiptarisë, Edi Rama. Për më tepër, besoj se ndaj një vendimi të tillë nuk do të reagonte askush në Shqipëri, përveç klikës së tij të ngushtë, e cila e ka mbajtur të pushtuar vendin për shumë vite falë mbështetjes së qarqeve të dyshimta antishqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Përkundrazi, populli i Shqipërisë do të gëzohej me rënien nga pushteti të këtij tradhtari, të pashembullt për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet etnike shqiptare në Iliri.

E tani? Tani që Edi Rama e shpall “person non-grata” ministren e Albin Kurtit, znj. Donika Gërvalla – bijën e Heroit të Popullit Jusuf Gërvalla – a duhet të zemërohet Kosova dhe populli i saj? Jo! Unë, si shqiptar i Kosovës, nuk hidhërohem aspak, sepse prej një antishqiptari të sojit të Edi Ramës, i cili punon për Serbinë më shumë sesa vetë Vuçiqi, nuk kam pritur dhe nuk pres gjë të mirë as për Kosovën, as për Shqipërinë. Vendimi i Ramës për ta shpallur znj. Gërvalla “person non-grata” në Shqipëri, vetëm pse ajo e ka përshkruar atë siç e meriton çdo tradhtar, ka irrituar më shumë shqiptarët e Shqipërisë sepse ata e dinë mirë se kush është Donika Gërvalla, ndaj nuk mund ta pranojnë kurrë “lëçitjen” e motrës së tyre nga një tradhtar i rrezikshëm i kombit.

Veprimtaria antikombëtare e Ramës dhe mbështetësve të tij – “gazetarë” e “analistë” nga Kosova që tashmë jetojnë dhe veprojnë lirshëm në Shqipëri, të kamufluar si “këshilltarë” e të paguar me paratë e Beogradit , por edhe të|Tiranës proserbe – duhet të marrë fund sa më parë. Është koha e fundit që kryeministri Albin Kurti ta shpallë Edi Ramën “person non-grata” në Kosovë dhe t’ia ndalojë hyrjen në vendin tonë. Përveç kësaj, Kryeministri Alin Kurti duhet të ndërpresë urgjentisht çdo komunikim dhe bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, për aq kohë sa në krye të saj të jetë surrati i Beogradit, Edi Rama.

Një vendim i tillë kundër “vëllait të Vuçiqit”, siç e ka deklaruar vetë Rama disa herë, do ta pamundësonte përhapjen e propagandës antikosovare dhe antishqiptare serbe në Kosovë, përmes “gazetarëve” dhe “analistëve” të dyshimtë që veprojnë gjoja të pavarur në televizionet e pushtuara “shqiptare” të Kosovës.

Sa më parë, aq më mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *