Integrimi në BE, përtej emërimeve – çfarë pritet nga Jeton Zulfaj si kryenegociator
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Jeton Zulfaj Kryenegociator të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian. Z. Zulfaj do të koordinojë procesin e integrimit evropian të Kosovës, i mbështetur nga strukturat përkatëse shtetërore. Z. Zulfaj u emërua gjithashtu Koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), duke shërbyer si autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë për të gjitha çështjet që lidhen me këtë instrument, përfshirë rolin si pikë e vetme kontakti me Komisionin Evropian dhe mbikëqyrjen e zbatimit të mbështetjes së BE-së. Ky vendim kompleton kornizën ligjore për qasjen në fondet e Planit të Rritjes të BE-së, nga i cili Kosova pritet të përfitojë 882 milionë euro në kredi dhe grante”, kështu ka njoftuar Kryeministria të premten.
Zulfaj i cili ka qenë këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, që nga marsi i vitit 2021 dhe duke qenë pjesë e stafit të afërt të tij në Qeveri ka qenë i përfshirë në çështje strategjike që lidhen me politikat shtetërore dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Njohësi i integrimeve ndërkombëtare, Mirsad Voca, ka folur rreth emrimit të Zulfajt, që sipas tij është proces kompleks integrimi evropian.
Kjo sepse sipas tij kërkon ekspertizë të thellë teknike, përvojë të provuar në negociata.
“Emërimi i kryenegociatorit nga Albin Kurti për procesin e integrimit evropian të Kosovës nuk përbën në vetvete një zhvillim të ri strategjik. Problemi i Kosovës ne raport me BE nuk ka qenë mungesa e një figure negociuese, por mungesa e një qasjeje të qëndrueshme, koherente dhe të besueshme ndaj partnerëve evropianë.
Emërimi i Jeton Zulfaj hap dilema serioze mbi kriteret e përzgjedhjes. Një proces kaq kompleks si integrimi evropian kërkon ekspertizë të thellë teknike dhe përvojë të provuar në negociata, jo vetëm afërsi politike apo rol brenda kabinetit. Në mungesë të transparencës për këto kritere, është legjitime të shtrohet pyetja nëse ky emërim reflekton standarde meritokratike apo një vazhdimësi të qasjes politike në administrimin e proceseve strategjike”, deklaron Voca.
ImageNjohësi i integrimeve ndërkombëtare, Mirsad VocaFoto galeri
Ai i sheh zgjedhjet si paqëndrueshmëri dhe të cilët mund të dëmtojnë procesin e besueshmërisë së Kosovës në Bruksel, ndërsa duke folur rreth fondeve të Planit të Rritjes dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje, ai thotë se ato përfaqësojnë një mundësi reale.
“Edhe më e rëndësishme është fakti se progresi drejt BE-së nuk përcaktohet nga emra, por nga performanca e shtetit. Pa stabilitet politik të brendshëm, pa konsensus institucional dhe me tensione të vazhdueshme politike, çdo përpjekje për avancim mbetet e kufizuar. Zgjedhjet e shpeshta dhe polarizimi politik nuk përkthehen në reformë, por në paqëndrueshmëri që dëmton drejtpërdrejt besueshmërinë e Kosovës në Bruksel.
Sa i përket fondeve të Planit të Rritjes dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje, ato përfaqësojnë një mundësi reale për zhvillim ekonomik dhe institucional. Por këto instrumente nuk janë shpërblim politik por të kushtëzuara me reforma konkrete dhe rezultate të matshme. Nëse këto kushte nuk përmbushen, rreziku është që fondet të mbeten potencial i pashfrytëzuar”, shprehet Voca.
Ai në fund ai kërkon ndryshim real në mënyrën sesi qeveria e trajton integrimin evropian..
“Ky emërim nuk duhet të krijojë iluzionin e progresit. Pa një ndryshim real në mënyrën se si qeveria e trajton integrimin evropian, si një proces teknik, afatgjatë dhe të bazuar në standarde, Kosova do të vazhdojë të lëvizë ngadalë dhe me pasiguri drejt Bashkimit Evropian”, përfundon Voca.
