“Edhe 60 ditë…”, Gjykata Speciale tregon se kur mund të merret vendimi final për Thaҫin dhe të tjerët
Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ende ndodhen në Gjykatën Speciale në pritje të verdiktit të fundit.
Ende nuk është marrë vendimi përfundimtar ndaj tyre, ndonëse janë përmendur disa periudha kohore që mund të përfundoj ky gjykim.
Gazeta ‘Bota sot’ ka pyetur zyrtarët e kësaj gjykate nëse është caktuar ndonjë datë për aktgjykimin në rastin Thaҫi dhe të tjerët.
“Aktualisht, nuk është caktuar asnjë datë për shqiptimin e aktgjykimit në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, thotë Michael Doyle, zëdhënës i komunikimit me publikun.
ImageMichael DoyleFoto galeri
Ai thotë tutje se, gjykata ka në dispozicion 90 ditë për marrjen e vendimit pas mbylljes së ҫështjes gjyqësore, por me mundësinë që ky afat të zgjatet për 60 ditë.
“Trupi Gjykues ka në dispozicion 90 ditë për marrjen e vendimit pas mbylljes së çështjes gjyqësore. Ky afat mund të zgjatet për 60 ditë në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të tij”, thuhet në përgjigjen e Doyle.
Ndryshe në fund të muajit të kaluar, në këtë gjykatë kanë filluar të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.
Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu dhe Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza dhe Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan nga Dhomat e Specializuara në Hagë në fillim të nëntorit 2020. Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u arrestuan më 5 nëntor 2020, ndërsa Jakup Krasniqi u arrestua një ditë më herët, më 4 nëntor 2020. Pas arrestimit në Kosovë, ata u transferuan menjëherë në Hagë, ku ndodhen në paraburgim që nga ajo kohë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.
