Shala flet për “kurthe politike”: U nxit shpallja e zgjedhjeve për të rrëzuar Kurtin
Vjosa Osmani siç duket nuk i ka numrat edhe për një mandat tjetër në postin e presidentes.
Kështu, ajo ka marrë vendim për shpërndarjen e Kuvendit, por që vendimi është kundërkushtetues.
Opinionisti Hafiz Shala kritikon presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ajo lejoi që Aleksandar Vuçiç të përmendet si faktor në çështjen e të burgosurve në Hagë.
Sipas tij, kjo dëmton interesat e vendit dhe lidhet me përpjekje për largimin nga pushteti të Albin Kurti.
“Ai që koketon me Vuqiqin e Tiranës, kurrë faqebardhë nuk del.
Pse i lejoi Vjosa që Vuqiqi i Tiranës të flasë në emër të Dardanisë rreth të burgosurve në Hagë, kur ata janë shtetas të Dardanisë e jo të Shqipërisë. Kushtetuta është e qartë se kush e përfaqëson Dardaninë në takime ndërkombëtare.
Kurrë nuk kisha mund me e paramendue Vjosën në këto pozita që nuk i shërbejnë interesave të vendit. Qëllimi i Serbisë, Vuqiqit të Tiranës, opozitës, ishte dhe është largimi i Albin Kurtit nga pushteti, sepse është penguesi kryesor i zbatimit të vendimeve të takimit të Nishit në 2016, i organizuar nga Vuqiqi i Tiranës, Vuqiqi i Beogradit dhe i Hashim Thaçit me ekipin e tij.
Prandaj, zoti Maralusha, nisur nga informatat që ai i posedon, ka plotësisht të drejtë në konstatimet e tij. Fatkeqësisht që kemi ardhë në këtë situatë, të cilës i ka pri e angazhu për ta destabilizue vendin, për ta sjellë, siç thotë populli, nga të gatshme në veresi”, thotë ai.
Shala vazhdon me kritika për Osmanin duke thënë se për shpalljen e zgjedhjeve dhe për lidhjet e saj politike, ndërsa pranon se ka gabuar që e ka mbështetur më parë.
Ai i kërkon falje Albin Kurti dhe i bën thirrje të mos dorëzohet në proceset politike, duke përmendur edhe rolin e BE-së në arritjen e njohjes nga Serbia.
“Pse u ngut presidentja me i shpallë zgjedhjet e përgjithshme e jo vetëm për presidentin/en, kur ato nuk përfunduan, por aty ku mbetën. Kjo ishte ideja e Vuqiqit të Tiranës në zbatim të marrëveshjes me Vuqiqin e Beogradit.
Pse aq shumë u lidh Vjosa me Vuqiqin e Tiranës, i cili e keqpërdori Vjosën në tubimet e të ashtuquajturve të veteranëve të luftës, duke e vënë përkrah Ali Ahmetit dhe komplet opozitës në realizimin e planeve të tyre ogurzeza.
Kam qenë përkrahës i znj. Osmani për hir të shtetit sepse, po të vazhdohej në mënyrë të sinqertë, Dardania vazhdonte me sukses. Ky është gabimi im i sinqertë e qëllim mirë, të cilin këtu në Amerikë i thonë: honest mistake (gabim i sinqertë).
E ndjej obligim moral e njerëzor t’i kërkoj falje Kryeministrit Albin Kurti, ndaj të cilit kam bërë presion përmes shkrimeve që gjithsesi ta propozojë Vjosën për presidente, pa i ditë ato kurtha që ia përgatitshin, të cilat tani e morën dhenë.
Kryeministër, mos lësho pe.
BE-ja, me kuadro dhe qëndrime të reja, e ka marrë përsipër që gjendja të marrë kahjen e duhur në favor të Dardanisë, që nënkupton njohjen nga Serbia për të siguruar paqe e stabilitet”, përfundon ai për “Bota sot”.
