OPINIONTË FUNDIT

Dokumentet e serbëve, marrëveshja me BE-në shihet si hap drejt stabilitetit në veri të Kosovës

Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u jap leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njoh letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, por që nuk janë të pajisur me dokumente të institucioneve të vendit.

Kjo po bëhet në kuadër të zbatimit të ndryshimeve në Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga dita e diel.

Vendimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti erdhi pas një takimi në Prishtina me të dërguarin e posaçëm të Bashkimi Evropian për dialogun mes Kosova dhe Serbia, Peter Sørensen, të shtunën në mëngjes.

Sipas marrëveshjes, Kosovë-BE, punonjësve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një lejeje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, të lëshuara nga strukturat paralele serbe, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

Gacaferi: Ashtu siç edhe BE e konsideroj si një veprim të mirë të zt.Kurti dhe i bindur jam që kjo do e ndihmoj shumë Kosovën

ImageLuan GacaferiFoto galeri
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli anëtari i Guxo, Luan Gacaferi.

Ai e vlerësoi marrëveshjen e Albin Kurtit si veprim të mençur, duke thënë se ajo çon në zhdukjen e strukturave paralele në veri të vendit dhe integrimin e arsimit e shëndetësisë në sistemin e Kosovës, duke ndihmuar edhe rrugën drejt integrimit evropian.

“Unë këtë marrëveshje e cilësoj si një veprim të mençur të zt. Kurti, sepse tani përfundimisht strukturat paralele do zhdukën nga pjesa veriore e Kosovës!

Ashtu siç edhe BE, e konsideroj si një veprim të mirë të Kurti dhe i bindur jam që kjo do e ndihmojë shumë Kosovën që të ecën drejt integrimit në familjen evropiane!

Përfundimisht arsimi dhe shëndetësia në veri të Kosovës, me ditën e sotme janëë shkëputë nga Serbia dhe nga sot janë integruar në ligjet e shtetit të Kosovës!” – deklaron ai.

Halilaj: Qëllimi politik i Bashkimit Evropian dhe i emisarit Sorensen duket të jetë stabilizimi i situatës në veri…

ImageGazmend HalilajFoto galeri
Kurse, avokati Gamzend Halilaj, thotë se marrëveshja mes Qeveria e Kosovës dhe emisarit të Bashkimi Evropian, Peter Sorensen, për lehtësira të përkohshme për serbët pa dokumente të Kosovës është një hap pragmatik.

Sipas tij, leja 12-mujore e qëndrimit dhe njohja e përkohshme e dokumenteve ndihmon qytetarët, sidomos në arsim, shëndetësi dhe studentët, duke shmangur ndërprerjen e shërbimeve. Ai shton se kjo është një zgjidhje e përkohshme që nuk cenon shtetësinë e Kosovës, por synon stabilizimin e situatës dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Marrëveshja e arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe emisarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, për lehtësira të përkohshme për qytetarët serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës, mund të shihet si një hap pragmatik që synon të zgjidhë probleme konkrete të përditshme për qytetarët, veçanërisht për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe studentët. Vendimi që atyre t’u jepet një leje qëndrimi 12-mujor dhe që dokumentet e tyre të njihen përkohësisht deri në një zgjidhje më të qëndrueshme është një masë që lehtëson jetën e njerëzve në terren dhe shmang ndërprerjen e shërbimeve publike.

Nga një këndvështrim politik që e mbështet qasjen reformuese dhe shtetndërtuese të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo mund të interpretohet si një kompromis i përkohshëm dhe pragmatik që nuk cenon parimet e shtetësisë së Kosovës, por tregon gatishmëri për të menaxhuar situata të ndërlikuara në mënyrë të përgjegjshme dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Qëllimi politik i Bashkimit Evropian dhe i emisarit Sorensen duket të jetë stabilizimi i situatës në veri dhe krijimi i një atmosfere më të qetë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shmangur tensionet që mund të lindin nga çështjet administrative dhe të dokumenteve. Në të njëjtën kohë, kjo lloj marrëveshjeje mund të shërbejë edhe si një mesazh se BE-ja dëshiron zgjidhje praktike dhe hapa gradualë drejt normalizimit të marrëdhënieve” – tha ai.

Në fund, avokati Gamzend Halilaj thekson për Bota Sot se, marrëveshja mund të ketë efekt pozitiv nëse zbatohet me transparencë, duke ulur tensionet me komunitetin serb dhe duke rritur besimin te institucionet e Kosovës, pa cenuar sovranitetin e shtetit.

“Sa i përket ndikimit në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe komunitetit serb brenda vendit, marrëveshja mund të ketë efekt pozitiv nëse perceptohet si një masë që i trajton qytetarët me pragmatizëm dhe respekt për nevojat e tyre, duke ulur tensionet dhe duke krijuar më shumë hapësirë për integrim institucional.

Nëse zbatohet me transparencë dhe si masë e përkohshme drejt një zgjidhjeje ligjore afatgjatë, ajo mund të ndihmojë në ndërtimin e besimit dhe në stabilitetin e brendshëm, duke treguar se institucionet e Kosovës janë të gatshme të gjejnë zgjidhje që ruajnë sovranitetin e shtetit, por njëkohësisht adresojnë realitetet sociale dhe politike në terren” – përfundon ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *