OPINIONTË FUNDIT

HULUMTIM – Në Dolan të Zveçanit, në gjurmë të lidhjeve të manjatit serb të farmaceutikës me bizneset në Kosovë

KosovaNews publikon kompanitë që punojnë me “dy palë letra”, apo kompani të regjistruara me të njëjtin emër edhe në regjistrin tregtar të Kosovës edhe në atë të Serbisë, por edhe lidhjet e tyre me kompanitë kosovare dhe shtrirjen në tregun tonë.

Në vazhdim të humumtimit tonë “Në vendlindjen e Veselinoviqit, gjurmëve të krimit ekonomik që financoi sulmin terrorist në Banjskë”, vizituam “kampin industrial” në Dolan të Zveçanit, që në kohën e ish-Jugosllavisë kishte qenë bazë logjistike e ushtrisë jugosllave. Pas çlirimit, në këtë kamp ishin vendosur ushtarët e KFOR-it nga kontigjenti danez, ndërsa pas largimit të tyre, diku në vitin 2001, kur Kosova ende nuk e kishte të shtrirë sovranitetin në këtë pjesë të vendit, në këto hapësira ishin vendosur biznese, depo e “institucione” të ndryshme.

“Kampi industrial” në Dolan të Zveçanit, që përpara ishte bazë logjistike e ushtrisë serbe, sot është një vend me depo të ndryshme.
Këto biznese operonin me “dy palë letra” – ishin të regjistruara në Serbi, nën jurisdikcionin e të cilit shtet operonin, kurse letrat e Kosovës i kishin sa për të fituar ndonjë tender nga komunat kosovare, apo për të pëfituar ndonjë subvencion nga “dostat” e tyre pushtetarë të asaj kohe që i kishin në Prishtinë. Kjo “zonë ekonomike” kishte qenë një parajsë e vërtetë e krimit ekonomik. Siç e cilësuam në hulumtimin e kaluar, Dolani kishte qenë e planifikuar për seli ekonomike të “SAO”-s, të cilën Vuçiqi e synonte në Kosovë. Synim që atij i ngeli në fyt, pas ndërhyrjes së vendosur të Qeverisë së Kosovës e organeve të rendit në drejtim të mbrojtjes të sovranitetit e të integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Përpara njërës nga depot në Dolan, qëndron ende shenja e kompanisë farmaceutike, Farmalogist Connect.
Gjurmët e këtij krimi vërehen edhe sot përderisa në një godinë na shfaqet tabela me emrin kompanisë “Farmalogist”, e cila na ngjalli kureshtjen për ta hulumtuar prejardhjen dhe pronësinë e saj. Gjatë kërkimit tonë si në platforma të ndryshme online, po ashtu edhe përmes qasjes në dokumentet zyrtare, kemi hasur në dy kompani “binjake”: “FARMALOGIST CONNECT D.O.O.” dhe “FARMALOGIST CONNECT d.o.o. Zvečan”, të dyjat me seli të regjistruar në lokalitetin Dolan të Zveçanit, por njëra e regjistruar tek Agjensia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndërsa tjetra te regjistri tregtar i Serbisë (APR). Kjo e fundit, e kishte filluar procesin e falementimit në verë e vitit 2025.

Të dy këto kompani janë në pronësi manjatit farmaceutik nga Serbia, një ish-punonjësi të VMA-së (Akademia Mjekësoro-Ushtarake e Serbisë). Bëhet fjalë për 69-vjeçarin Miomir Nikolliq, i lindur në vitin 1957, në Pirot të Serbisë e me banim në kryeqytetin e këtij vendi, në Beograd. Miomir Nikoliq është gjithashtu pronar i kompanisë “Farmalogist DOO”, sot kompani anëtare e Grupit “ERGO WBS”, kompani e regjistruar në Beograd, e cila është njëra ndër kompanitë më të mëdha për distribuimin e barnave në Serbi me qarkullim prej dhjetra miliona euro në vit.

Manjati nga Beogradi ishte bashkëpronar edhe në njërën ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në Kosovë!

Sipas hulumtimit tonë, që prej themelimit, në vitin 2006, deri në vitin 2022, Miomir Nikolliq, tok me një shtetas kosovar, ka qenë bashkëpronarë edhe në njërën ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në Kosovë. Bëhet fjalë për kompaninë SanteFarm sh.p.k. me seli të regjistruar në fsh. Sllatinë e Madhe, Fushë- Kosovë.

Sipas web-faqes të Farmalogist, kompania kosovare SanteFarm është partnere e grupit të kompanive “ERGO WBS” me seli në Beograd të Serbisë, të cilit grup i përket edhe vetë kompania Farmalogist DOO nga Beogradi.

Kurse, Grupi “ERGO WBS” është në pronësi të dy shtetasëve serbë: Miomir Nikolliq e Lovorka Nikolliq (të dytë së bashku 51%) e të një korporate malazeze: Industriaimport-Industriaimpex AD (49%), me seli në Rr. Marka Miljanova 17, Podgoricë të Malit të Zi.

Në këtë grup kompanish bën pjesë edhe Farmalogist, me seli në Beograd të Serbisë, që është në pronësi të bashkëshortëve farmacistë – Miomir e Llovorka Nikolliq.

Ndërtesa e “Santefarm” në vendin “Sello”, Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë
Lidhja me “Santefarm”, kompaninë që në pesë vitet e fundit fitoi me dhjetëra miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK

Mbi 40 milionë euro në katër vitet e fundit, është shpërblyer me dhjetëra tenderë kompania Santefarm nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, shumica prej këtyre tenderëve vijnë nga buxheti i ndarë nga MSH për Listën e Barnave Esenciale.
Duke ju referuar të dhënave zyrtare, në vitin 2021 kjo kompani është shpërblyer me vetëm një tender dhe ate në vlerë prej 633 mijë euro, ndërsa vitin 2025 e përmbylli duke fituar nëntë tenderë në vlerë prej 8.11 milionë euro. Edhe fillimi i vitit 2026 duket të jetë edhe më i begatshëm për Santefarm, pasiqë vetëm në tremujorin e parë të këtij viti është shpërblyer me një tender në vlerë, hiç më pak se, 5.3 milionë euro.

KosovaNews ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në ShSKUK për të kërkuar të dhëna të sakta për numrin dhe vlerën e tenderëve që ka fituar kjo kompani gjatë 4 viteve të fundit nga këto institucione.

Zyra e informimit e MSh-së na ka dërguar një tabelë exel me numrin dhe vlerën e tenderëve të fituar në të cilën thuhet se: “Të bashkëngjitur gjeni tabelën/listën e kontratave për të cilat është shpërblyer OE Santefarm ShPK. P.S. Pritet nënshkrimi edhe i kontratës me titull “Furnizim me Risdiplam 0.75 mg-ml, bari për sëmundje të rënda dhe të rralla nga LBE” me nr. 206-25-11378-1-1-1/C1008 ne vlerë: 5,385,415.48 Euro”. Të dhënat nga tabela dhe teksti i përgjigjes i kemi paraqitur në formë tabelare, si më poshtë.

Shumat që “SanteFarm” i ka fituar nga Ministria e Shëndetësisë e nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Tek Ministria e Shëndetësisë, vlera për vitin 2026, deri në ditën e pranimit të përgjigjeve, është 5,38 Mil. EUR, kurse linja e ndërprerë është dhënë si projeksion e “trend-line” për tërë vitin 2026.
Ndërkohë nga ShSKUK-ja as pas një jave ende nuk kemi pranuar përgjigje për numrin dhe vlerën e tenderëve të fituar nga Santefarm nga ky institucion. Referuar të dhënave nga e-prokurimi, vlera dhe numri i tenderëve të fituar nga kompania Santefarm në ShSKUK në katër vitet e fundit kapë vlerën e 16 milionë euro në gjithsej 47 tenderë të dhënë.

Gjatë hulumtimit tonë i jemi referuar edhe të dhënave nga “Integrity Watch Kosovo“, siç thuhet në këtë faqe, “një platformë e të dhënave të hapura që u mundëson qytetarëve të eksplorojnë se si ndërthuren paratë dhe pushteti në proceset e vendimmarrjes publike”. Tutje, tregohet se kjo platformë është e zhvilluar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku bashkonen të dhënat kyçe, ndër burimet e tjera, edhe nga prokurimin publik.

Nga IWK, pasi kemi përzgjedhur vitin 2025 dhe aplikuar filtrin “Santefarm”, kemi pranuar paraqitjen grafike si në foto. Nga këtu shifet se institucionet publike që kanë blerë nga “SanteFarm” janë: Ministria e Shëndetësisë e ShSKUK. Sipas kuadratit poshtë-djathtas, konkurrent të saj në këtë treg janë: “MediTech”, “DeltaPharma-KS”, “Redoni HM”, “Matkos Pharm”, “Medical Group” etj.
Miomiri e Milaimi – gjurmëve të pronësisë së Miomir Nikolliqit në “SanteFarm”-in kosovar

Duke iu referuar dokumentacionit, të cilin e kemi pranuar zyrtarisht nga ARBK-ja për kompaninë kosovare “Santefarm” SH.P.K., me NUI: 810521668, dokumentohet se kjo kompani është themeluar në dhjetor të vitit 2006, ku në atë kohë bashkëpronarë kanë qenë z. Milaim Abdullahu (50%) nga Prishtina dhe Miomir Nikolliq (50%), ish-pononjës i ushtrisë jugosllave në atë kohë.

Statuti i SanteFarm shpk, e themeluar nga dhe në pronë të z. Milaim Abdullahu e z. Miomir Nikolliq, të paraqitur para autoriteteve kosovare si shtetas malazez, me banim në Podgoricë të Malit të Zi.

Vendim i dt. 06 qershor 2006, me të cilin kryetari i kuvendit të aksionarëve dhe mbajtësi i 50% të aksioneve në kompaninë “Santefarm” shpk, z. Nikolliq e emëron për drejtor të kësaj kompanie partnerin e vet, z. Abdullahu.
Gjurmët e pronësisë së Miomir Nikolliqit në “SanteFarm” na çojnë në ShBA, më saktësisht në shtetin e Delaware. Në fakt, transakcionet që do t’i përshkruajmë në vijim ngjajnë më shumë në dallavere për të fshehur pronësinë sesa në ndonjë transaksion të mirëfilltë.

Saktësisht më 4 maj 2010, në bazë të aktit “Marrëveshje për dhurimin e aksioneve”, z. Nikolliq, si person fizik e pronarë i 50% të aksioneve në kompaninë kosovare “Sante Farm” me 50%, ia falë këtë pjesë të pronësisë kompanisë amerikane “Sante Pharm Medical LLC” (4014059), të regjistruar në shtetin federal Delaware. Këtë kompani amerikane, asaj kohe, e kontrollonte po Miomir Nikolliq, gjykuar sipas dokumentit “Deklarata e Organizatorit të Personit të Autorizuar të Santefarm Medical LLC”, lëshuar më 21 prill 2010 e të nënshkruar nga Richard H. Bell, në emër të “Harward Business Services, Inc.”, si dhe e vërtetuar nga Heather A. Manerichia, notere publike e shtetit federal të Delaware, ShBA.

Akt noterial i përpiluar në ShBA, që vërteton se kompania amerakane nga shteti federal Delaware “Santefarm Medical” LLC është e regjistruar atje më 21 prill 2010 dhe është në kontroll të Miomir Nikolliq. Ky dokument është pjesë e praktikës administrative për regjistrimin e ndryshimeve pronësore të “SanteFarm” shpk në ARBK.
Ndërsa, në fund të vitit 2022, më saktësisht, më 12 dhjetor 2022, lidhet “Marrëveshja për Blerje të Aksioneve”. Konform kësaj marrëveshjeje, kompania amerikane e lartpërmendur ia ka shitur aksionet e veta bashkëpronarit të saj në kompaninë kosovare “SanteFarm” – z. Milaim Abdullahut. Ndryshe, nga viti 2010, kur kompaninë amerikane e përfaqësonte Miomir Nikolliq, kësaj rradhe titullar – edhe pronar edhe drejtor paraqitet vetë Milaim Abdullahu. Ky transakcion ka bërë që kompania kosovare “SanteFarm” të kalojë 100% në pronësi të këtij të fundit, dhe ate si individ, si person fizik.

Burimet tona, që i kemi konsultuar, na kanë sugjeruar se shteti federal amerikan Delaware është i njohur për ligjet e rregulloret tregtare që lejojnë lehtësi për regjistrim të kompanive atje. Pronarët e përfituesit e fundit qëndrojnë anonim, taksat janë të ulëta e procedurat e regjistrimit mund të bëhen on-line, pa shkuar fare atje. Krejt këto u mundësojnë palëve të ndryshme të regjistrojnë kompani anonime, kompani “guaskë” (shell company), pa e dhënë identitetin e pronarëve vërtetë përfitues.

Qartazi, në periudhën në mes të vitit 2010 dhe 2022 në kompaninë amerikane “Sante Pharm Medical LLC” kanë ndodhur ndryshime pronësore, ashtu që nga të qenit në pronësi të z. Nikolliq në vitin 2010, në vitin 2022 çuditërisht si pronar e drejtor i saj na shfaqet Milaim Abdullahu.

Kontratë e dt. 12 dhjetor 2022, me të cilën amerikanja SanteFarmMedidal LLC (shoqëri me “aftësi të kufizuar”), në emër të së cilës akton Milaim Abdullahu, ja shet personit fizik Milaim Abdullahut, përkatësisht vetes së tij, 50% të pronësisë në kompaninë kosovare “Santefarm” shpk.
Gjithashtu, duke e studiuar dokumentacionin që e kemi pranuar nga ARBK dhe që e kemi shkarkuar on-line nga APR (Regjistri tregtar serb), kemi vërejtur dallime të mëdha ndërmjet nënshkrimit të z. Nikolliq të vënë në dokumentin “Marrëveshjen e dhurimit të aksioneve” të datës 05/04/2010, në Prishtinë dhe nënshkrimit të vënë në “Aktin Themelues (“Pharmalogist Connect DOO Zveçan”) të datës 16/04/15, në Beograd.

Gjithashtu, në këto dokumente zyrtare, vërehet se aktet e ndryshme për ndryshim të pronësisë, të cilat i kemi pranuar nga ARBK-ja, nuk janë as të noterizuara e as nuk kanë arritur në vendin tonë nga ShBA-të me procedura të apostilit.

Në lidhje me gjetjet tona i jemi drejtuar disa herë me shkrim, z. Abdullahu edhe në e-mail adresën zyrtare të tij, edhe në ate të kompanisë së tij të afishuar në ARBK e në aktet e liçencimit të saj nga trupa të ndryshëm shtetërorë.

Në formë të përmbledhur, z. Abdullahun e kemi pyetur që kur njihet dhe në ç’rrethana është takuar me Miomir Nikolliqin, me të cilin dikur kanë ndarë pronësinë e shoqërisë tregtare kosovare “Santefarm”? Pse e ka fshehur këtë fakt (bashkëpronësinë) tek web-i i kompanisë së tij?

Si u bë pronar i kompanisë amerikane “Sante Pharm Medical LLC”, të regjistruar në Delaware të ShBA-së, e cila më parë kishte qenë në pronësi të Miomi Nikolliq? Me çfarë çmimi, në periudhën 2010-2022, i ka blerë Miomir Nikolliqi, apo nga ndonjë palë a entitet tjetër, 50% të aksioneve në kompaninë kosovare “Santefarm”?

A e ka vënë vetë nënshkrimin Nikolliq në aktin juridik të datës 4 maj 2010 në ARBK, në Prishtinë, Republika e Kosovës – “Marrëveshje për falje të aksioneve…”?

Mirëpo as z. Abdullahu e as zyra e tij, nuk është përgjigjur në pyetjet tona, që prej 15 ditësh kur i kemi nisur.

Nënshkrimi i z. Nikolliq (i rrethuar me të portokallt) në ARBK, vitin 2010, në aktin e bartjes së aksioneve në kompaninë kosovare SanteFarm shpk, që dallon shumë me ate të vitit 2006 (me të kuqe), kur si kryetar i kuvendit të “SanteFarm” e njëherazi edhe bashkëpronarë me z. Abdullahu, e ka emëruar këtë të fundit për drejtor.
Farmalogist, nga Beogradi i Serbisë – pjesë e ERGO WBS Group

SanteFarm prezentohet si partner i grupit: “ERGO WBS Group“ – ERGO Western-Ballkans Solutions
Në web-faqen e këtij grupi kompanish shkruan se: misioni i tyre është që të përmirësojmë shëndetin në të gjitha vendet ku operojnë anëtarët e këtij grupi – Grupit ERGO WBS, të kontribuojmë që njerëzit të jetojnë më mirë dhe më gjatë.

Kurse, për vizionin e tyre thonë se duan të mbeten një partner cilësor, i sigurt dhe i besueshëm si lider në shërbimet farmaceutike dhe ofrimin e shërbimeve logjistike në tregun farmaceutik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Te historia e këtij grupi thuhet se ky grup kompanish qenka prezent në treg, që nga viti 1990, kurse themelues janë farmacistët: Miomir Nikolliq dhe bashkëshortja e tij Lovorka Nikolliq. Më vonë në 49% të aksioneve i kalojnë një fondi investiv privat me seli në Hollandë – Adriatic Fund B.V., kurse në vitin 2019 këto aksione (49%) i shiten kompanisë malazeze me plot dritë-hije – Industriaimport-Industriaimpex AD.

Emri i Industriaimport-Industriaimpex AD është lakuar edhe në një artikull të javores malazeze “Monitor”, ku shkruhet për monopolin e kësaj kompanie në trajtimin e mbetjeve mjekësore, të mundësuar nga ish-ministri malazez i Shëndetësisë, më vonë kryetar i komunës së Podgoricës. Gjithashtu, po në këtë artikull, ngrihen dyshime për konflikte të interesit në mes të ish-ministrit dhe disa kompanive farmaceutike që e furnizonin fondin e sigurimeve shëndetësore atje.

Dy kompani të quajtura IndustriaImport e IndustriaImpex, përkatësisht, kanë qenë në listën e OFAC të vitit 1995-96, si pjesë e sanksioneve që bashkësia ndërkombëtarie ia kishte vënë Jugosllavisë së Millosheviqit.

Industriaimport dhe Industriaimpex, si dhe adresa “Marka Miljanova 17” e bëjnë lidhjen me kompaninë Industriaimport-Industriaimpex AD, që operon po në këtë adresë. Këto sugjerojnë se Industriaimport-Industriaimpex AD mund të jetë pasardhëse e këtyre dy kompanive shtetërore jugosllave të listuara nga OFAC.
Deri në publikim të artikullit nuk kemi mundur te konfirmojmë këtë lidhje nga burime të pavarura.
Tutje, në web-faqen e “ERGO WBS” jepet informacion për të arriturat e saj përgjatë viteve, si zgjerimin e prezencës me kompani të grupit, apo me lidhje të partneritetit me kompani lokale, si nëpër qytete serbe, ashtu edhe në shtete të ndryshme të Ballkanit.

Prezenca e tyre në vendin tonë qenka prej vitit 2005, që kur se, siç shkruan në web-faqen e “ERGO WBS”: “…Santefarm LLC, partner i grupit “ERGO WBS”, “farma-servis” dhe “vele-drogeri” me asortiman të plotë, me seli në Prishtinë”. Në anën tjetër, hulumtimi ynë e ka saktësuar se kompania kosovare është themeluar vetëm në qershor të vitit 2006. Kurse, gjithënjë, sipas kësaj web-faqeje, kompani anëtare të këtij grupi janë këto kompani: (1) në Beograd të Sebisë – Farmalogist DOO, pastaj (2) Farmalogist AllBix doo, Bjelina, Republika Serbe, Bosnjë e Hercegovinë, (3) Pontera DOO, Podgoricë, Mali i Zi dhe (4) Septima DOOeL, Shkup, Maqedoni e Veriut. Web-faqet e të gjitha këtyre kompanive, si ajo e “selisë” së grupit, ashtu edhe të anëtarëve në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, e Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, por edhe të kompanisë partnere në Prishtinë, ngjajnë shumë përkah dizajni e funksionaliteti.

Web-faqet e Grupit ERGO WBS, partneres në Prishtinë (Santefarm) dhe kompanive anëtare në: Beograd, Serbi (Farmalogist), Bjelinë, R. Serbe, Bosnje-Hercegovinë (ALLBIX), Podgoricë, Mali i Zi (Pontera), e Shkup të Maqedonisë së Veriut (Septima).
Kompanitë “binjake”: “FARMALOGIST CONNECT D.O.O.” dhe “FARMALOGIST CONNECT d.o.o. Zvečan” në pronësi të Miomir Nikolliqit – pronarit të Farmalogist DOO, nga Beogradi

Nga dokumentet e pranuara në rrugë zyrtare nga regjistri tregtar i Kosovës (ARBK) dhe nga kërkimi “on-line” në regjistrin tregtar të Serbisë (ARP), kemi gjetur fakte interesante në lidhje me operacionet e Farmalogist në Kosovë.

Edhe te kompania kosovare (FARMALOGIST CONNECT D.O.O.) edhe tek ajo e regjistruar në regjistrin tregtar serb, por me adresë në Kosovë (“FARMALOGIST CONNECT d.o.o. Zvečan”, MB: 21104809), pronarë me 100% të aksioneve është z. Miomir Nikolliq. Kurse, po në të dy këto kompani, drejtor është shtetasi kosovar, z. Milan Saviq, nga Mitrovica e Veriut. I njejti figuron edhe si drejtor i degës kosovare të “Velefarm A.D.” – një kompanie shtetërore serbe e farmaceutikës. Gjatë hulumtimit tonë, si u.d. drejtor të “FARMALOGIST CONNECT d.o.o. Zvečan” (të regjistruar në Serbi) e kemi gjetur edhe z. Bozhidar Saviq, po nga Mitrovica.

Kompania kosovare është regjistruar më 11.12.2014, kurse ajo “me letra” të Serbisë, më 08.05.2015. Të dyjat janë të regjistruara për këto aktivitete: Tregtia me shumicë e artikujve farmaceutikë, Tregtia me shumicë e artikujve të parfumerisë dhe kozmetikës, Tregtia me shumicë e produkteve kimike, dhe Magazinimi dhe ruajtja. Më 22.08.2025, kompania “me letra të Serbisë” e ka inicuar procesin e likuidimit.

KosovaNews para dy javësh i ka nisur disa pyetje z. Miomir Nikolliq në lidhje me afarizmin e kompanive të tij, lidhjet e partneritetin me shqiptarë, shtrirjen në tregun e Kosovës e punësimin e tij paraprak në organe ushtarake të Serbisë. Gjithashtu, Nikolliqin e kemi pyetur se që kur dhe në çfarë rrethanash është njohur me Milaim Abdullahun, me të cilin ka qenë ortak në kompaninë kosovare “Santefarm Sh.P.K.”?
Kur, dhe me çfarë çmimi (sipas mendimit tonë, midis viteve 2010 dhe 2022), ia shitët atij (z. Abdullahut) aksionet tuaja në kompaninë amerikane “Santefarm Medical LLC”, apo ndonjë personi dhe/ose entiteti tjetër e që pastaj ky i fundit t’ja ketë shitur z. Abdullahut?

Gjatë cilës periudhë ka punuar në VMA – Akademinë Ushtarako-Mjekësore të Ushtrisë së Serbisë (Jugosllavisë), siç kemi mësuar nga burime të disponueshme publikisht dhe se a ka aktualisht ndonjë lidhje me Ushtrinë Serbe, apo VMA?

Një postim i “Koponik Business Forum”, Miomir Nikolliq është thënë të jetë president i një grupi serb të shitësëve me shumicë të farmaceutikës (pranë odës serbe të tregtisë), pozitë në të cilën qënka që prej vitit 2008. Të njetën industri e përfaqëson edhe pranë këshillit social-ekonomik i Serbisë. Pastaj tregohet për përvojën e tij mëse 20-vjeçare në tregun me shumicë të farmacisë dhe faktin që i njejti është themelues i kompanisë së parë private në ish-Jugosllavi, që operon në këtë fushë. Aktuakisht, sipas këtij publikimi, ka aksione në komoani që operojnë në Serbi, Maqedoni e Bosnjë e Hercegovinë… Para se të kaloj në biznes privat, Miomiri, gjithënjë sipas këtij publikimi, ka punuar në Akademinë Mjekësoro-Ushtarake të Serbisë, në laboratorin e kontrollit të barnave. Në fund thuhet se Miomiri është i diplomuar për Farmaci në Fakultetin e Farmacisë të Univestitetit të Berogradit, në Serbi, ku gjithashtu u specializua për egzaminimin e kontrollin e baranave. Ka lindur në Pirot të Serbisë, më 1957.
Një javë më vonë e kemi kontaktuar me telefon zyren e tij dhe, përkundër premtimit se do të përgjigjen në pyetjet tona, deri në botimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar asgjë as nga z. Nikolliq, as nga zyra e tij.

Nga hulumtimi na ka rezultuar se “kompanitë binjake” – “Farmalogist Connect” e Kosovës e “Farmalogist Connect” e Serbisë, kanë qenë të involvuara në furnizimin me materiale farmaceutike të institucioneve shëndetësore serbe që ende funksionojnë brenda Kosovës.

Drejtor në të dy këto kompani figuron z. Millan Saviq (Milan Savić), një shtetas kosovar nga Mitrovica, i afërt me të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” të Qeverisë së Serbisë. I njëjti na ka rezultuar të ketë qenë edhe drejtor i degës kosovare të kompanisë shtetërore serbe “Velefarm AD”.

Velefarm AD ishte një kompani shtetërore serbe për tregtim të barnave e materialeve farmaceutike, e themeluar në vitin 1978. Velefarm kishte bankrotuar në vitin 2012, në kohën kur në Serbi po ndodhnin ndërrime të mëdha politike e po në të njejtën kohë Farmalogist po rritej shumë.

Velefarm ishte edhe njëra ndër kompanitë e pakta, në mos e vetmja që kishte liçencë për të operuar në Kosovë, referuar këtij artikulli të “Radio Evropa e Lirë”, të 27 prillit 2012, ndër të tjera thuhej: “Mediet raportojnë se kompania “Velefarm”, tregtari më i madh barnave dhe materialeve farmaceutike në Serbi, është zyrtarisht i falimentuar. … “Velefarm” është e vetmja me licencë për të furnizuar ligjërisht “Serbinë jugore me ilaçe”.” Ka nevojë për shtatë milionë njerëz atje dhe gjithçka paguhet menjëherë. Nuk ka pritje për pagesë”, thotë Stanković.”

A është kjo është diçka e zakonshme, që në kushte të reja të ekonomisë së tregut, një kompani të dështojë e vendin e saj të zërë një tjetër? Mund të jetë ashtu. Por, nëse shihen aktorët, pastaj edhe ndryshimet politike të ndodhura në Serbi në atë kohë, kjo mund t’i përngjajë edhe një përshtatjeje të menakizmave të Serbisë që në këto kushte të reja të vazhdojnë së vepruari në shtetet fqinje.

Kur ishim në “kampin industrial” në Dolan të Zveçanit, e kemi fotografuar një depo pranë së cilës ndodhej një shenjëzim me logo të kompanisë “Velefarm”, ndonëse kjo kompani zyrtarisht është e falimentuar që prej vitit 2012.

Një depo në “kampin industrial” në Dolan të Zveçanit, një magazinë para së cilës qëndron shenja “Velefarm”, ndonëse kjo kompani, edhe në Serbi, edhe dega e saj në Kosovë, figurojnë si: “në falementim” e “joaktive”, përkatësisht. Djathtas-poshtë: Artikull i “Radio-Evropa e Lirë” në serbisht që njofton për falementimin e “Velefarm”. Djathtas: Artikull në KosovoOnline, një portal i afërt me “Zyrën për Kosovë e Metohi” të Vuçiqit. Koment nga Milan Saviq, më 25 nëntor 2020: “Ne u shprehim të gjitha mirënjohjet. Dhe të gjithë atyre që janë të padukshëm dhe me shumë përpjekje sigurojnë furnizimin e vazhdueshëm të institucioneve të kujdesit shëndetësor (paralele) në Kosovë ‘dhe Metohi’ me ilaçe, materiale shpenzuese e pajisje. Shumë faleminderit kompanisë Farmalogist Belgrade, Farmalogist Connect Zveçan…”
Nëpër letrat e “FARMALOGIST CONNECT d.o.o. Zvečan”, të regjistruar në Serbi

Gjatë hulumtimit tonë, kemi “ecur” nëpër letrat e këtyre dy “kompanive binjakëve”: “FARMALOGIST CONNECT D.O.O.”, të regjistuar në Kosovë, me NUI: 811332741 e kompanisë të regjistruar në Serbi, por me adresë në Kosovë – “FARMALOGIST CONNECT d.o.o. ZVEČAN”, me “numër amzë” në regjistrin tregtar të Serbisë: 21104809.

Hyrja e aktit të themelimitl, selia e kompanisë në Dolan të Zveçanit, “Serbi”, nënshkrimi i z. Miomir Nikolliq në fund të aktit të themelimit e (djathtas) akti noterial.
Nëpër letrat e “FARMALOGIST CONNECT” D.O.O., të regjistuar në Kosovë, me NUI: 811332741

(Majtas): Fletë-regjistrimi i kompanisë “FARMALOGIST CONNECT” D.O.O., të regjistuar në Kosovë, me NUI: 811332741. (Në mes): Pronari i vetëm i kësaj kompanie kosovare, shtetasi serb, z. Miomir Nikolliq, është paisur me numër të përkohshëm tatimor nga ATK. Kjo sugjeron se i njeti ka mund të përfitoj të ardhura personale e tërhequr dividenta, gjatë kohës sa ka pasur aksione. (Djathtas): Shtetasi kosovar, z. Millan Saviq në rolin e agjentit të regjistruar dhe të drejtorit të kompanisë. Shtetasi kosovar, z. Millan Saviq në rolin e agjentit të regjistruar dhe të drejtorit të kompanisë.
“Farmalogist”-i i Beogradit në “një pjesë të tregut” të Republikës së Serbisë me “FeniksFarma”-n e Gazmend Abrashit

Emri i kompanisë serbe Farmalogist ishte lakuar edhe në vitin 2015, kur në një vendim të komisionit serb për mbrojtje të konkurrencës, të 29 dhjetorit 2015, të lëshuar mbi kërkesën e z. Gazmend Abrashit. Kompania e këtij të fundit – “Feniks Farma DOOEL”, e regjistrar në Shkup, të Maqedonisë së Veriut, ishte pjesëmarrëse në (siç thuhet në këtë dokument) “një pjesë të tregut të Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e “Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë””. Në këtë vendim të autoritetit serb të konkurrencës, ishte trajtuar pjesëmarrja e operatorëve të ndryshëm në tregun farmaceutik të Serbisë, (siç thuhet aty) “me dhe pa “krahinën autonome të Kosovës e Metohisë”, mbi çbazë ishte lejuar një transakcion përthithës (acquiring) në mes të dy kompanive, duke konstatuar se nuk përbën koncentrim të tregut, apo praktikë tjetër të palejuar.

Për këtë akt administrativ, siç thuhet në fillim të vendimit, z. Gazmend Abrashi, përkatësisht kompania e tij e kishte paguar një tarifë administrative në vlerë të 25.000 dinarëve serbë, në thesarin serb në Beograd.

Një afarist i njohur në fushën e marketeve (Maxi24), kozmetikës (Excluzive), në një mandat ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Kosovës, z. Abrashi ka shërbyer edhe si këshiltarë i Ramush Haradinajt për marrëdhënie ekonomike me shtetet e regjionit.

Një vendim të komisionit serb për mbrojtje të konkurrencës i datës 29 dhjetor 2015, të lëshuar mbi kërkesën e Gazmend Abrashit, si shtetas serb, të ushtruar nëpërmjet palës së autorizuar. Gjatë analizës së tregut “në një pjesë të territorit të Serbisë”, në këtë akt, thuhet se konkurrentë të kompanisë së z. Abrashi janë: Farmalogist DOO, Vega DOO, PharmaSwiss DOO, Elma DOO.
Edhe një “Nikolliq” me kompani të regjistriar në regjistrin tregtar serb e me adresë në Prishtinë

Gjatë hulumtimit tonë, kemi hasur edhe në një kompani farmaceutike tjetër, të regjistrar në Serbi në shkurt të vitit 2023, por me adresë në Prishtinë – “EMA PHARM DOO PRIŠTINA” (MB: 21884219). Sipas regjistrit tregtar serb, veprimtaria e vetme e kësaj kompanie është: “4646 – Tregtia me shumicë me produkte farmaceutike”. Gjithënjë sipas këtij regjistri, themelues dhe pronarë i vetëm i kësaj kompanie është një Dragan Nikolliq nga Prishtina. Selia e kësaj kompanie është e regjistruar në adresën “Branislava Nusica 2”, Prishtinë.

Numri personal (i Serbisë) i z. Dragan Nikolliq, sugjeron se i njejti ka lindur në Prishtinë, më 18 janar 1954. Ne kemi provuar të kontakojmë të njejtin në numrin telefonik të dhënë në regjistrin tregtar serb (+381 63 17 48 309), por na ka dalë se numri në fjalë nuk ekziston.

Akti i themelimit të kompanisë “Ema Pharm DOO Priština” në regjistrin tregtar serb, por me adresë në Prishtinë. Vula e “qytetit të Prishtinës të “Organit të përkohshëm” – strukturave paralele e kanë “noterizuar” aktin e themelimit të kompanisë “Ema Pharm DOO Priština” nga ana e themeluesit e të pronarit të vetëm të saj – z. Dragan Nikolliq, nga Prishtina.

(Poshtë): Referuar CompanyWall Serbia, kjo kompani gjatë vitit 2023 ka qarkulluar rreth 337.4 Mil. dinarë serbë (2,9 Mil. EUR) dhe një EBIDA prej 32 Mil. dinarë serbë (275.000 EUR). Sipas këtij burimi, kjo kompani nuk ka qarkulluar në vijim, në vitin 2024 e 2025 e tutje. (Në mes djathtas) Llogaria bankare e kësaj kompanie në Banka Poshtanska Shtedionica.
Nuk kemi arritur të bëjmë ndonjë lidhje në mes të z. Dragan Nikolliq dhe z. Miomir Nikolliq, pasi që as njëri e as tjetri nuk janë lajmëruar, apo kanë qenë të paqasshëm edhe në telefon, edhe në e-mail.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *