INTERESANTE

E vërteta e Masakrës së 4 shkurtit, për të cilën akuzohet Xhafer Deva

Shkruar nga Dr. Vasfi Baruti Masakra e 4 shkurtit! Ato ditë shkurti 1944 (e më pas), kur hidhërimi pushtoi Tiranën, pis-politika komuniste mashtroi e luajti si deshi me masakrën për interesa të veta!

Trakti i PKSH-së për atë masakër, i botuar më 4 shkurt 1945, në gazetën “Bashkimi”, ishte qind për qind fals, mashtrues, sepse gënjeu e mashtroi lexuesit e tij për dhjetëra vjet, kurse trakti i vërtetë është ai me nr. 31 (dt. 5 shkurt, botuar në “Buletinin e Zërit të Popullit” 1944), që saktëson jo 80 të vrarë, por të “vrarë me dyzina të rinjsh”. Por, të dokumentuar nga procesverbalet e atëhershme janë vetëm 10 të vrarë. Masakra e 4 shkurtit që rëndom trajtohet e menduar dhe programuar përpara 4 shkurtit nga “klika naziste e Xhafer Devës”, ishte provokim i drejtpërdrejtë e shkak i dy atentateve (3 shkurt) të qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën.

Mashtrimi

Në gazetën “Bashkimi” të 4 shkurtit 1945, në dy faqe të saj botohej trakti i parë i Qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën, ribotohej edhe më 1962 në vëllimi “Thirrje dhe Trakte të PKSH, 1941-1944”, botim i Institutit të Marksizëm-Leninizmit. Por, trakti është fals, gënjeshtër, sepse trakti i vërtetë botohej në “Buletini i Zërit të Popullit”, nr. 31, 5 shkurt 1945 dhe ribotohej për herë të parë në vëllimin III “Zëri i Popullit dhe buletinet e tij”, viti 1986, botimi Akademisë së Shkencave.

E ngjashmja e dy trakteve janë 36 shkronjat shqip e disa emra të përveçëm dhe të pangjashëm: trakti origjinal ka një faqe e pak në librin e botuar, kurse trakti fals më shumë se katër faqe në botimin e vitit 1962, dhe në përmbajtje s’mund të lexosh asnjë paragraf, fjali ose rresht të njëjtë. Të dy traktet, edhe ai origjinali, edhe ai fals kanë të njëjtin autor: është mendja e dora e Nako S. Trakti fals shkruhej e botohej për ditën e demonstratës së madhe politike, që mbahej në Tiranë e gjithë qytetet e vendit, në përkujtesë të masakrës së 4 shkurtit.

Ngjarja

Më 4 shkurt, nga ora 01 e pasnatës, nazistët e Xhafer Devës me urdhër të tij ekzekutojnë në rrugët e Tiranës shumë njerëz të pafajshëm dhe më çnjerëzorja: kufomat lihen në rrugë deri mbrëmjen e asaj dite! Burimi i parë i masakrës, i shkruar ato ditë është një letër e Nako S. (në kreun e qarkorit të PK për Tiranë e shefi i lidhjes me qendrorin e komunistëve) që ia drejton udhëheqjes (Miladin P., Koçi Xoxe, Liri G.): “Të dashur shokë – Ali [Miladin P.], Trashi [Koci X.], Muzhik [Liri G.]… Në Tiranë reaksioni është shumë i madh. Më 3 shkurt vranë në rrugë katër të rinj, njëri prej tyre kishte qenë partizan. Shpifën se këta do bëjshin reaksion. Tue gdhi 4 shkurti… pushkatojnë ndër rrugë gadi 80 njerës. Mund ta merrni me mend se çfarë terrori ka këtu…. Këtu situate është e vështirë. Kontrolle për ditë e për natë. Të dalin shokët dhe miqtë tanë nga qyteti nuk është e mundur, pse çetat janë likujduar gadi… 13 shkurt. Të fala Deti”.

Do të kalonin vetëm tre ditë dhe më 17 shkurt Nako S. u shkruante të njëjtëve kuadrovikëve të lartë për një problematikë tjetër, por u rikujton të katër të vrarët e 3 shkurtit dhe asnjë kujtesë me emra e numër për 80 të vrarët e orëve të para të 4 shkurtit. Ditët e fundit të shkurtit del gazeta “Bashkimi” (nr. 5, pa datë) e faqen e parë e mbulon artikulli “4 shkurt 1944”, me autor Lame Kodra [Sejfulla Malëshova], mbushur përplot slogane e fjalë të përgjithshme e asnjë fakt për numrin e emrat e të vrarëve. Ndërsa, kishte kaluar thuajse një muaj që ishte kohë e pamjaftueshme për të marrë informacion konkret për ngjarjen: identifikimi i “80” të vrarëve, që shkruante më parë N. S.

Të masakruarit, sa janë?

80? 86? 45? 8 apo 14!Në letrën e 13 shkurtit Nako S. “numëron” 80 të vrarë në masakrën e 4 shkurtit, kurse në traktin e vërtetë të shkruar prej tij, siç e pohonte në letrën e 13 shkurtit dhe që botohej për herë të parë më 1986 në vëllimi III i serisë së “Zëri i Popullit e buletinet e tij”, “numëronte” të “vrarë me dyzina”. Por, 80 të vrarë është diferencë e madhe me të “vrarë me dyzina”, sepse “me dyzina” do të thotë më shumë se 12 apo 24…

Është e qartë se mashtrohej më së keqi me numrin e të vrarëve në masakër dhe ai mashtrim me fanatizëm vijon të mbahet gjallë edhe sot. Më 4 shkurt, në gazetën “Bashkimi” në Tiranë “numërohen” 80 të vrarë (me emra identifikohen 24 viktima), që citohen vit pas viti e deri ditët e sotme.

Më 2011 botohet libri “Lufta italo-greke”, nga prof. Arben Puto, e pos të tjerash hapet debat për “86 viktima të masakruar” e të “saktësuar” (pa burim) prej autorit, por fjala e profesorit ka peshë, merr vlerë. Por, për rastin numri 86 është një rren e stërmadhe. Autori është i politizuar në tërë qenien e tij!

Argumenti i parë vjen nga vetë Nako Spiru, në traktin e shkruar me dorën e tij, të cituar më parë. Edhe studiuesi Gilman Bushati, kërkues i burimeve arkivore, zbuloi procesverbalet e prokurorisë (5 e 6 shkurt) me të vrarët më 3-4 shkurt, botuar në “Gazeta Shqiptare”, e që është thuajse pranë (me 14 të vrarë) të vërtetës. Në vitin 2011 Organizata Kombëtare e LANÇ-it, në gazeta “Pavdekësia” boton një listë me dëshmorët e 4 shkurtit, ku identifikohen të listuar 42 persona.

Nga listimi në “Pavdekësia”, në procesverbalin e 6 shkurtit janë nëntë të identifikuar, dy të paidentifikuar, dy me identitete italiane, kurse një (Ali Ferra) i vrarë nuk është i listuar në “Pavdekësia”. Si përfundim, katër janë të vrarë në mbasditen e 3 shkurtit, shtatë të vrarë natën e 4 shkurtit (bashkë me dy italianë). Në listimin e “Pavdeskësisë” me statusin dëshmorë janë edhe shtatë të vrarë (s’listohen në procesverbalet e Prokurorisë) të identifikuar me emra e vitrënie (1944), por pa datën e rënies në vendimin e marrë në librin “Dëshmorët e Atdheut” (2012) dhe as që dihet nëse janë vrarë më 4 shkurt apo në një datë tjetër të vitit 1944.

Të listuar në “Pavdekësia”, dëshmorë të 4 shkurtit janë e tetë persona, por që me identitetet e tyre në libri “Dëshmorët e Atdheut” binin dëshmorë në krahina e vende të tjera: Hava Meça në Brataj të Vlorës, Inajete Dumi në Qarrishtë, Nife Sula në Çaush të Krujës, Rakibe Dervishi në Kallarat të Vlorës, Shyqyri Gorblleshi në Prishtinë, Trëndafile Hasanliaj në Vranisht të Vlorës, Vait Shima në Bërzhitë të Tiranës, Xhemal Misku në Bosnjë… Taktika e masakruesve ishte të vrasin dhe t’i lënë rrugëve për terror, prandaj s’ka asnjë arsye që të fshiheshin të masakruarit. Sekretari privat i ministrit Xhafer Deva, Isuf Deva (i pushkatuar) në dëshminë e tij (janar ’47), në hetuesi e nën tingujt e dajakut, pohonte se “Xh. Deva pohoi se ishin vrarë jo më shumë se 7-8 njerëz dhe nuk pranoi 80 të vrarë” (cituar dosja 2064-a 1947 nga kërkuesi objektiv Astrit Jegeni) dhe thuajse se e dhëna e dëshmisë së tij përkon me procesverbalet e Prokurorisë.

Përfundim: Në procesverbalin e Prokurorisë, të 6 shkurtit, me 12 të identifikuar të vrarë dhe dy të paidentifikuar me emra, konstatohet: Nga 12 të identifikuarit, katër janë të vrarë në pasditen e 3 shkurtit dhe tetë të tjerë të vrarë në orët e para të 4 shkurtit, nga të cilët dy janë italianë. Pra, janë 10 të vrarët e 4 shkurtit dhe katër të 3 shkurtit. Dhe 10 apo 14 të vrarë në masakrën e 4 shkurtit janë me diferencë të shumë madhe me 80 apo 86 të “saktësuar” nga Arben Puto!

Masakruesit

Në letrën e 13 shkurtit N. S. lë në hije autorët e masakrës së 4 shkurtit, kurse në letrën e 17 shkurtit, Kadri Cakranit (në rrethin e ngushtë të Ballit) i jep autorësi për vrasjen e katër personave më 3 shkurt. Kurse Sejfulla M., thotë: “Terrori e masakra qenë përgatitur me plan e me kohë. Atentatet kundër personaliteteve shqiptare ishin një provokacion i poshtër i organizuar nga klika qeveritare. Kryeartikulli i ‘Bashkimit të Kombit’ si edhe masat terroristike qenë biseduar e pranuar në kabinetin e Xhafer Devës para ngjarjeve të 3-4 shkurtit”. Kurse trakti fals përgjegjësinë e përcaktonte: “Atentati do të kurdisej nga Xhafer Deva në bashkëpunim me Xhelal Staraveckan [s’ishte protagonist në masakër] e Kadri Cakranin…”. Mëkatari kryesor mbeti Xhafer Deva, me të drejtë. Masakra e 4 shkurtit menduar dhe planifikuar kohë përpara 4 shkurtit, propagandojnë komunistët! E vërteta, cila është?

E paramenduar

Qarkori i Partisë Komuniste për Tiranën, në të dy traktet, ai origjinali e ai falsi, përgjegjësinë për masakrën e 4 shkurtit e kërkoi dhe e gjeti tek klika naziste e Xhafer Devës, e cila kohë më “parë” kishte planifikuar masakrën terroriste dhe paralajmërimi terrorist bëhej në artikullin “Gjaku don gjak”, në gazetën “Bashkimi i Kombit”, të atij “tre” shkurti të përgjakshëm. Dhe, “prova” e fortë lexohej në “traktin” fals të shkruar nga Nako S. e që botohej në “Bashkimi” i 4 shkurtit 1945: “Në mëngjesin e 3 shkurtit. Themi 3 dhe jo 4 shkurtit. Atëherë, në mëngjesin e 3 shkurtit, shkon për shtyp, prej zyrave të Xhafer Devës, artikulli i gazetës ‘Bashkimi i Kombit’, ‘Gjaku don gjak’. Për këtë jemi në gjendje të japim të gjitha provat”.

Gazeta “Bashkimi” e 4 shkurtit, në gjysmën e parë të faqes 3 botonte artikullin e plotë “Gjaku don gjak” dhe poshtë titullit në kllapa: (Botuar në gazeta ‘Bashkimi i Kombit’, nr.?, dt. 4 shkurt 1944). Kurse, në gjysmën e dytë të po asaj faqe botohej “trakti” fals me titull: “4 shkurti 1944”. Një mashtrim idiot: artikulli “Gjaku don gjak”, i botuar më 4 shkurt në gazeta “Bashkimi i Kombit” dhe i ribotuar në “Bashkimi” e në të njëjtën faqe me traktin fals, propagandohej me “siguri” të madhe (Trakti: “Mëngjesin e 3 shkurtit. Themi 3 dhe jo 4 shkurt”) se “Gjaku don gjak” botohej më 3 shkurt, për t’i mashtruar shqiptarët se në këtë datë bëhej paralajmërimi për atë gjak që përgjaku rrugët e Tiranës në të gdhirë të 4 shkurtit. Ja pra, shkrimi “Gjaku don gjak” s’ishte paralajmërim për masakrën e 4 shkurtit dhe qorri nuk do pengëla se rrëzohet vetë! Atëherë, cili ishte shkaku i masakrës së 4 shkurtit?

Atentate

Në zonën e Tiranës së re, më 3 shkurt, guerilët komunistë në befasi i bëjnë atentat makinës së autoriteteve të regjimit pushtues ku mbeti i plagosur a pa jetë shoqëruesi i afërt i Kadri Cakranit. Reaksioni hakmarrës ishte i menjëhershëm e terrorist, siç jepej në kronikë të ATSH të asaj dite: “Njoftim. Dje në ora 15 disa grupe të terroristësh të përgatitur me hollësi në disa vende të qytetit sulmuan automobile dhe personalitete me bombë… U vranë Todo Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku, Mihal Koço.”! Pas këtij atentati, pasditen e vonë të 3 shkurtit, guerilë të qarkorit komunist i bëjnë një goditje të befasishme të armatosur makinës së ministrit Xhafer Deva, por mbahej i fshehur nga qarkori i Tiranës, nëpërmjet Nako S., por e vërteta zbulohet nga Isuf Deva (fare i afërt i ministrit), sekretar privat i tij, i cili edhe në rrethana torture dëshmonte: “Komunistët më 3 shkurt i bëjnë atentat makinës së Xhafer Devës, plagoset dhe vdes në spital i nipi, adoleshenti Fahri Ibrahimi”. (Dosja 2064/a 1947 e cituar nga publikimi i Astrit Jegeni.)

Në luftën kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre, assesi s’mund të jenë përjashtuese aksione e atentate guerile komuniste, por në ç’situatë politike ishte fronti komunist i luftës? Nako S. në një letër për Miladin P., të 30 janarit i shkruante për një situatë terrori dhe se forcat partizane ishin thuajse në shpartallim, kurse në letrën e 13 e 17 shkurtit për Popoviqin, Xoxe e Gega, u shkruante: “…Të gjithë çetat tona nga Shkumbini e nalt kanë mbetur me nga 10-12 veta ose më pak… Këtej po shkohet drejt likuidimit të forcave tona ushtarake. Reaksioni ka grumbulluar shumë fuqi, por edhe ne nuk kemi ditur me i mbrojtur çetat, na u shkrinë në duar. Populli nuk do të luftojë… Situata këtu është kritike. Kjo fushatë shkon paralel me terrorin dhe për këtë arsye pak nga pak fiton tokë. Tirana mbulohet përditë nga gazeta e me trakte kundër nesh. Pikat kryesore janë: 1. Miladin P. e Dushan M. 2. Vëllavrasja (shkaktuar nga ne). 3. Lufta ideologjike kundër interesave të Atdheut (nga ana e jonë)… Më duket se në disa gjëra kemi qënë mjaft sektarë. Populli nuk kupton mirë vrasjet politike. Mushketa e Kosturi nuk gëlltiten nga populli. Atentati kundër Bahrit (Omari) gjithashtu ka qënë i tepërt…”. Në këtë situatë terrori, pushtuesi ishte zot në vend dhe të goditej ai në pabesi me guerile pritej të llogaritej mirë qari e zarari. Dhe, cili ishte qari për komunistët? Buja, atentat kundër gjermanëve e bashkëpunëtorëve të tyre! Po zarari? Me probabilitet qind për qind: për një jetë gjermani 100 jetë shqiptarësh të pafajshëm! Por, Qarkorit as që i shkonte ndërmend zarari për shqiptarët e pafajshëm!

Qarkori K. i Tiranës nuk desh t’ia dijë asfare për pasojat që vuante populli tiranas nga atentatet komuniste ndaj gjermanëve. Argumenti: goditje e befasishme e komunistëve kundër gjermanëve, në rrugën e Dibrës. Qari komunist: lajmi gojë më gojë për goditje me armë të një automjeti gjerman në lëvizje dhe ja zarari që lexohet në njoftimin e Komandës së Lartë gjermane: “Natën duke i gdhirë 21 tetori, në rrugën e Dibrës u bë një atentat i shëmtuar kundër një automjeti gjerman. Durimi i fuqive të armatosura gjermane mori fund. Masa ndëshkimi: 1. Lagjja rreth e rrotull vendit të ngjarjes në rrugën e Dibrës, do të shembet. 2. 100 të burgosur komunistë prej Tirane e që i përkasin rangut intelektual dhe që ndodhen në fushën e përqendrimit të Prishtinës do të pushkatohen menjëherë për hakmarrje. 3. 80 pjesëtarë të njohur të nacionalçlirimtares në Tiranë do të mbahen peng dhe në rast përsëritje kundër pjesëtarëve të armatës gjermane do të varen. Komanda e Fuqive te Armatosura Gjermane në Shqipëri” (Bashkimi Kombit 24 tetor.). Nazistët e mbajtën fjalën: Më 23 tetor gjermanët urdhëruan të burgosurit shqiptarë të hapin një gropë dhe u vranë e groposën 104 shqiptarë të Kampit të Prishtinë. Përgjegjësinë e krimit e mbajnë urdhëruesit e krimit dhe ata janë drejtuesit e Qarkorit K. të Tiranës. S’ka dyshim se Nako S., mjaft nga ato shpirtra do të ishin sot në jetë, pa atë goditje marroke komuniste ndaj pushtuesve.

Demonstrata politike, pse?

Në përkujtim të 80 të vrarët më 4 shkurt 1944, në gjithë qytetet e vendit bëhen demonstrate politike dhe më e madhja demonstrate në Tiranë. Në gazetën “Bashkimi” të asaj dite lexohet komunikata: “I gjithë tregu do të rrijë i mbyllur për gjithë ditën, kafet e restorantet do të mbyllen. 1. Në ora 8-30 do të bëhen lutje në faltore për viktimat e terrorit. 2. Në ora 10 metingu në Kinema Kosova dhe fjala e general Koçi Xoxe. 3. Në orën e metingut i gjithë populli do të rrjeshtohet simbas lagjeve, organizatave, dikastereve dhe organeve të pushtetit në shesh nga ku do të transmetohen mitingu me altoparlant” (Bashkimi, 4 shkurt ’45).

Në faqet e gazetës pushtohesh nga një frymë ushtarake, që binte mbi njerëzinë tiranase. Përse i gjithë ky manifestim – demonstratë. Faqja e parë e gazetës nis me titullin e stërmadh: Demonstrata të mëdha në gjithë qytetet e vendit për të vrarët e 4 shkurtit. Përveçse nderimit për të vrarët, kishte dhe dy arsye të forta për demonstratat: së pari, populli i Tiranës e kishte të gjallë në kujtesë atë çka pa rrugëve të qytetit 75 ditë më parë: më shumë se 100 të pushkatuar natën nga 28 tetori deri 16 nëntor 1944, dhe për ta zbehur sa më shumë këtë pamje makabre bëhej ai organizim që ngjante si gjëmë. Së dyti, për të mprehur shpatën që do të binte mbi të kamurit, me emrin borgjezë që kërkoheshin në litar, siç lexohet në letrën e Nako S., të 17 shkurtit ’44.

“E pabesueshme, por e vërtetë”!

Në 70-vjetorin e masakrës së 4 shkurtit, disa të përditshme botojnë një fjalim të Luan Ramës, që pos të tjerash “zbulon” tre terrorizmat më të mëdha të historisë së Luftës: masakrën e Borovës nga gjermanët, masakrën e 4 shkurtit në Tiranë nga të djathtët – bashkëpunëtorë të pushtuesve gjermanë – dhe 104 shqiptarët e vrarë në kampin gjerman të Prishtinës. E saktë. Por, “harron” terrorizmat komuniste e pa gjyq: më shumë se 100 intelektualë, ushtarakë e të tjerë të pafajshëm në Tiranë, të vrarë natën nga 28 tetori deri 16 nëntor 1944; 180 të pafajshëm (nga rajonet Vlorë, Korçë e Elbasan) të masakruar e varrosur në një gropë të përbashkët te përroi i Shipskës të Voskopojës në ditët e para të shkurtit 1944; mijëra të masakruarit e Tivarit; 63 të vrarët në Matjan të Lushnjës; 20 të vrarë në Klos të Matit (të ftuar për bisedë politike nga një ish-zëvendëskomisar brigade); 26 martaneshas (mes tyre e fëmijë) te Operacioni i Dimrit.

Sa e pabesueshme, po aq e vërtetë! Historia jonë e mbushur ding me rrena dhe në pamundësi të rroket e vërteta, madje e në vepra të botuara së fundi,nga historian të shumënjohur si objektiv e të paanshëm!

/ballikombetar/

The post E vërteta e Masakrës së 4 shkurtit, për të cilën akuzohet Xhafer Deva first appeared on In For.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *