RIZA DOSTI: Kosovë – Vjosa del nga shtrati
Përmbytje të frikshme në mbarë vendin
Kisha kohë që po e paralajmëroja publikisht… kujdes se Vjosa është fryrë shumë dhe ka rrezik të dalë nga shtrati e të na përmbytë të gjithëve… dhe fatkeqësisht kështu ndodhi e askush s’më dëgjoi.
Të shpërndash parlamentin e ta çosh sërish Kosovën në zgjedhje të reja vetëm e vetëm se uji nuk erdhi në mullirin tënd…
Kur ke zhvilluar zgjedhje model vetëm 2 muaj më parë…
Kur Kosovën aspiron ta kesh anëtare të OKB-së, të NATO-s e ta fusësh në BE dhe tolerancën politike e ke 0… dhe bashkëjetesën e tillë primitive…
Të kesh parlamentin tënd, qeverinë tënde e kryeministrin tënd, votuar nga shumica e popullit.
E të tundësh derën kur s’ke punë e të bësh “ishhhh” kur s’ke pula.
Të djegësh jorganin për një plesht, siç bëri Vjosa.
Të kujtohesh tani, kur nuk të rizgjodhën ty, se… Presidenti duhet të zgjidhet nga populli e jo nga parlamenti.
Të të thotë gjithë ai president i Amerikës që… po të keni ndonjë problem më merr në telefon.
Të të vijë aty për vizitë në shtëpinë tënde “miku” e të të vërë flakën e ti ta presësh me tapet të kuq.
Të mos kuptosh se uthulla e fortë prish enën e vet.
E t’i vësh flakën shtëpisë për një karrige… pffff.
Të biesh sërish pre e hakmarrësve primitivë të humbjes së madhe të 2 muajve më parë e sërish të biesh në grackën e Hamzës, Abdixhikut e R. Haradinajt…
T’u shkosh pas ende atyre që ia shitën tokat e tua Malit të Zi, e lanë Kosovën 3 muaj pa shtet, pa qeveri, pa parlament e pa kryeministër.
Të biesh prapë viktimë e të njëjtëve armiq të Kosovës që pas humbjes së turpshme kërkuan rinumërimin e të gjitha votave e sërish ikën me bisht ndër shalë.
Të mos dish se si t’u tregosh vendin të gjithë atyre që tallen me votën tënde, o popull i Kosovës, e po të njëjtëve që e fyen aq rëndë diasporën tënde të shkëlqyer.
Të kërkosh liri për ata që vranë pas shpine shokët e tyre të luftës e që së bashku me Ramën – Vuçiçin ç’ nuk bënë për të ndarë e copëtuar trojet e tua, Kosovë.
Të mos kuptosh dot ndryshimin radikal mes Vjosës së djeshme të Kosovës e Vjosës së sotme të Ramës.
Të dy, si Albini ashtu edhe Vjosa, duhet të dalin përtej vetes dhe të kenë guximin qytetar e politik e t’u thonë shqiptarëve të vërtetën lakuriq… veçmas Kosovës e popullit të saj… çfarë realisht ndodhi dhe përse përfunduan kështu… aq më tepër që shqiptarët i kishin sytë, shpresën e besimin tek ata të dy si kurrë më parë e si tek askush tjetër.
Të mos vlerësosh me seriozitet maksimal, sidomos në kësi situatash vërtet të frikshme politike ndërkombëtare… trekëndëshin Moskë – Beograd – Tiranë nga vjen edhe e keqja jote më e madhe…
Ti qofsh, Kosovë!
Zoti të ruajt, se vetë nuk po di se si ta ruash veten.
Fatkeqësi e rëndë kombëtare.
I pavdekshëm At Gjergj Fishta në atë përgjigje fort të dhimbshme por mëse të vërtetë kur u pyet:
“Si janë shqiptarët, o Padre?”
“Njësoj siç i do hasmi!”
