Rikthimi i paralajmëruar i mbledhjeve të dy qeverive shqiptare: Fjalë apo veprim konkret?
Rikthimi i mbledhjeve të përbashkëta mes Qeverisë së Shqipëria dhe Qeverisë së Kosova pritet të shënojë një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërshqiptare. Pas mbledhjes së fundit të mbajtur më 20 qershor 2022 në Prishtinë, ku u nënshkruan 19 marrëveshje bashkëpunimi, procesi pësoi një ndërprerje, sidomos pas anulimit të takimit të planifikuar për vitin 2023 për shkak të tensioneve në veri të Kosovës dhe krizës me partnerët ndërkombëtarë.
Tashmë, sinjalet për një mbledhje të re brenda vitit 2026, të konfirmuara gjatë vizitës së ministres së Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në Prishtinë dhe takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë për një vullnet të ri politik për ta thelluar bashkëpunimin.
“Biseduam edhe takimin e përbashkët mes dy qeverive, besoj se ka ardhur koha që brenda 2026-ës te kemi në takim të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Spiropali.
Deri më tani, dy shtetet kanë nënshkruar mbi 140 marrëveshje, çka dëshmon për një bazë të konsoliduar bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Paralajmërimi për një mbledhje me projekte konkrete, afate të qarta dhe përgjegjësi të përcaktuara sinjalizon një qasje më pragmatike dhe më të strukturuar.
Prandaj, mbajtja e kësaj mbledhjeje brenda vitit 2026 pritet të jetë një test i rëndësishëm për gatishmërinë e palëve për të kaluar nga deklaratat politike në zbatim konkret të angazhimeve të përbashkëta.
Ndoj: A do kemi mbledhje të përbashkëta të qeverive tona në 2026-në? Jam skeptik.
E për këtë temë, fillimisht për “Bota sot” foli opinionisti Llesh Ndoj, i cili tha se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë në nivelin e duhur.
ImageLlesh NdojFoto galeri
Sipas tij, vitet e fundit marrëdhënia mes shteteve shqiptare ka pësuar krisje.
“Si fillim le të them se raportet midis dy qeverive tona, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, janë shumë larg nga marrëdhëniet njerëzore të popullsisë shqiptare në të dy krahët e kufirit absurd. Nuk kanë qenë kurrë në të njejtin nivel, por vitet e fundit pësuan një krisje pa baza, tipike shqiptare, që vjen thjesht nga tendenca jonë për të qenë të gjithë “gjeneralë” e asnjë ushtarë! Më vjen të përsëris vargjet e rilindasit tinë të madh “Mallkue qoftë kush qet ngatërrime/ ndër këta vllazën shoq me shiq/ kush i ndanë me copa e thërrime/ çka natyra vetë përpoq!” Pra mallkuar bajraktarizmi ynë, që na ka dëmtuar po aq sa armiqtë tanë historik”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Ndoj u shpreh skeptik se mund të ketë mbledhje mes dy qeverive shqiptare gjate vitit 2026.
“A do kemi mbledhje të përbashkëta të qeverive tona në 2026-në? Jam skeptik. Dy shoqërite tona në aspektin qeverisës kam frikë se gjatë vitit 2026 do të ballafaqohen me emergjenca të reja, e kjo do të mbetet larg pritshmërive të rikthyera pasi dy kryeministrat shënuan formalisht hapa pas në diskursin e tyre konfliktual. Uroj të ndodh kështu!”.
Përveç kësaj, opininiosti nga Shqipëria, konsideron se edhe nëse mbahen këto mbledhje vështirë se mund të kenë ndikim te populli shqiptar, këtë e tha për disa arsyje të cilat i shtjelloi si më poshtë.
“Për të mbërritur tek çështja se çdo të sjellin ato mbledhje (nëse ndodhin) si impakt për njerëzit?
Jam skeptik. Dhe pse? Ne kemi plot dokumente të ratifikuara nga qeveritë në të dy krahët, por pak arritje konkrete. Kjo më thotë se propoganda, protogandizmi personal i dy kryeministrave, do të mbeten “arritjet” më të mëdha, edhe nëse bëhen mbledhe të përbashkëta këtë vit.
Udha e vetme për të patur një pikëmbërritje të vlerësueshme, është përparimi yne kombëtar andej e këndej, drejt prosperitetit ekonomik të shoqërisë, integrimi europian me hapa të përshpejtuar e ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve me SHBA-të si garancia jonë e vetme jetëgjatë!” – përfundoi Llesh Ndoj për “Bota sot”.
Maraj: Rikthimi i mbledhjeve të dy qeverive Shqipëri–Kosovë është pa dyshim një sinjal i mirë
Ndërsa, opinionisti Milazim Maraj, e sheh si sinjal pozitiv paralajmërimin për rikthim të mbledhjeve mes dy qeverive shqiptare.
ImageMilazim MarajFoto galeri
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se këto takime janë të mirëpritura, por që sipas tij është e domosdoshme që aty të trajtohen edhe disa tema kyçe siç janë, situata në Luginë të Preshevës dhe sfidat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
“Rikthimi i mbledhjeve të dy qeverive Shqipëri–Kosovë është pa dyshim një sinjal i mirë. Por kjo nuk mjafton. Rëndësia e këtyre mbledhjeve të dy shteteve shqiptare nuk qëndron vetëm në vullnetin e tyre për të mbajtur takime së bashku, por në temat që do t’i trajtojnë dhe në marrëveshjet ndërmjet dy qeverive për strategji të përbashkëta në raport me politikën dhe gjeopolitikën botërore.
Me vizionin e këtyre dy qeverive shqiptare duhet të përfshihet edhe gjendja alarmante në Kosovën Lindore, ku shqiptarët po luftojnë për mbijetesë në këtë hapësirë shqiptare të okupuar nga Serbia. Ata po përjetojnë një gjenocid të ftohtë. Po ashtu, shqiptarët në Maqedoni po luftojnë për ruajtjen e gjuhës së tyre amtare dhe për një interes kombëtar të përbashkët. Vendi ku u mbajt Kongresi për Gjuhën Shqipe po vuan ende në mbrojtjen e vlerave të këtij kongresi. Do të ishte e pamoralshme në pikëpamje njerëzore dhe shumë e pafalshme në pikëpamje kombëtare që të dy qeveritë të mos merren me këto probleme”, shtjelloi ai.
Gjithashtu, Maraj kërkoi që në këto mbledhje përveç temave bazë të trajtohet dhe të mbahet qëndrim edhe për mbrojtje kundër sulmeve të të gjitha natyrave: politike, teologjike, kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera.
“Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të kufizohen vetëm në marrëdhënie ekonomike dhe tregtare, të cilat i zhvillojnë me të gjitha shtetet, madje edhe me armikun tonë të përbetuar e të sprovuar prej më shumë se një shekulli. Nuk mjaftojnë vetëm vendimet që merren, por edhe realizimi i tyre. Në këtë mbledhje të përbashkët do të duhej të merrej një qëndrim i qartë për mbrojtje kundër sulmeve të të gjitha natyrave: politike, teologjike, kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera që kanë goditur vendet tona në forma të ndryshme.
Duhet të merren masa të përbashkëta kombëtare për ruajtjen e arsimit dhe edukimit kombëtar, që po sulmohen pa mëshirë dhe kanë rënë në një nivel kritik. Të bëhet një përcaktim real dhe racional i detyrave dhe obligimeve për të mbrojtur rininë tonë inteligjente, nga e cila po përfiton e gjithë bota, por jo Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e mbetur padrejtësisht të okupuar në trojet e ish-Jugosllavisë dhe Greqisë. Të hartohen programe tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore, ku të diskutohen arritjet, pengesat dhe masat për tejkalimin e tyre”.
Më tej, opinionisti tha se qeveritë shqiptare duhe të tejkalojnë mospajtimet që kanë dhe ta respektojnë besimin që e kanë marrë nga shqiptarët.
“Kjo mbledhje e dy qeverive tona duhet të kapërcejë pengesat tona shekullore dhe mosmarrëveshjet, duke arritur marrëveshje të mirëstudiuara për ngritjen e shteteve tona demokratike në nivelin që këto shtete dhe shqiptarët e meritojnë. Për këtë, këto dy qeveri kanë marrë besimin e shqiptarëve dhe duhet ta respektojnë atë. Për këtë arsye, përfaqësuesit e këtyre dy qeverive duhet të funksionojnë së bashku si një trup i vetëm për interesat e shqiptarëve dhe për paqen në Evropë dhe botë”, nënvizoi ai.
Në fund, Maraj shtoi se, shqiptarët kanë dëshmuar vlera të mëdha individuale nëpër botë, por si komb ende nuk kanë arritur ta organizojnë dhe ta shndërrojnë këtë potencial në forcë të përbashkët shtetërore.
Sipas tij, vetëm përmes unitetit, përgjegjësisë dhe një vizioni të qartë afatgjatë, shqiptarët mund të zënë vendin që meritojnë në rajon, në Evropë dhe në botë.
“Ne jemi një popull që kemi treguar dhe po tregojmë vlera në çdo fushë në mbarë botën, por shpesh jemi si gjilpëra që qepim dhe qëndisim botën me dhuntitë dhe vlerat tona, ndërsa vetë mbesim lakuriq, duke u krenuar vetëm me arritjet individuale. Këto qeveri kanë obligim të mbledhin potencialin tonë kombëtar, intelektual dhe profesional, ta vlerësojnë pa simpati apo antipati, por në mënyrë të studiuar dhe të bazuar qartë në kompetenca; ta identifikojnë me mençuri, ta sistemojnë me përkushtim dhe ta bëjnë shqiptarin, një herë e mirë, faktor që e meriton në Gadishullin Ilirik, në Evropë dhe në botë.
Këtë e meritojnë pasardhësit e Gjergj Kastriotit. Këtë mundësi e kemi tani. Ta kapërcejmë vetveten, interesin individual, partiak apo grupor. Të analizojmë çdo veprim tonin nëse bie në interes të armikut tonë, qoftë në vijën horizontale momentale të kohës apo të situatës. Kjo do të ishte mirë të përfshihej në programin e takimit të qeverive shqiptare.
Urojmë që ky takim të mbahet, pasi në lajme doli se znj. Spiropali, e cila e propozoi këtë mbledhje, është shkarkuar nga Ministria e Jashtme”, përmbylli Milazim Maraj për “Bota sot”.
