Murat Jashari refuzoi postin e Presidentit, Geci zbulon mesazhin e fshehtë pas vendimit
Halil Geci ka reaguar pas deklaratës së Murat Jasharit, i cili tha se nuk ka interes dhe as vullnet për t’u bërë President i Kosovës.
Në një postim në Facebook, Geci e cilëson këtë qëndrim si akt përgjegjësie dhe pjekurie shtetërore, duke theksuar se refuzimi i ambicies personale në funksion të unitetit është dëshmi e karakterit dhe e trashëgimisë së një familjeje simbol të sakrificës kombëtare.
Sipas Gecit, fjala e Murat Jasharit nuk është thjesht një deklaratë individuale, por një mesazh që rikujton se liria dhe shteti ndërtohen mbi parime, jo mbi interesa personale, përcjell “Bota sot”.
Ai e përshkruan këtë qëndrim si “amanet që nuk vdes” dhe si një thirrje për bashkim politik, duke nënvizuar se zgjedhja e Presidentit duhet të vijë përmes marrëveshjes mes partive dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve të shprehur në Kuvend.
Shkrimi i plotë
Amaneti që nuk vdes – zëri që nuk hesht
Mesazh lavdrues për fjalën dhe qëndrimin e Murat Jasharit
Ky shkrim është një kujtesë e thellë kombëtare se liria nuk trashëgohet si privilegj, por ruhet dhe mbrohet si amanet. Në fjalët e Murat Jasharit nuk flet vetëm një zë individual, por rezonon historia e një familjeje të ngritur mbi sakrificë.
Murati kthehet te rrënjët, duke e parë shtëpinë e Jasharëve jo si gurë e mure, por si provë të gjallë se kur ideali është i pastër, vullneti nuk thyhet kurrë. Na fton në bashkim, duke na kujtuar se përballë gjakut të derdhur, çdo ndarje humbet kuptimin. Dhe mbi të gjitha, na mëson se nderi është mënyrë jetese: të jetosh drejt, të mos heshtësh para padrejtësisë dhe të mbrosh lirinë jo me fjalë, por me vepra.
Mesazhi i tij është i qartë dhe i prerë: ata që ranë morën lavdinë, ndërsa ne që jetojmë kemi detyrën të jemi rojtarë të lirisë, që sakrifica të mos shkojë kurrë dëm.
“Murati është vula që nuk koritet mesazhi i tij është një definicion që duhet ta ruajmë të gjithë.”
——————————————————
Definicion për të gjithë
Jasharajt janë pesha e amanetit dhe zëri i gjakut: dëshmi se liria mbahet gjallë vetëm nga ata që jetojnë me nder, bashkim dhe përgjegjësi ndaj sakrificës.
——————————————————
Ky definicion le të mbetet fjalë përherë, sepse nuk është thjesht kujtim ,është udhëzim për brezat.
Mesazhi i Muratit ishte shtetformus
Me këtë qëndrim, Jasharajt kanë hapur rrugën që Presidenti të zgjidhet me marrëveshje mes partive politike, duke dëshmuar pjekuri dhe përgjegjësi shtetërore. Kjo nënkupton se ata respektojnë vullnetin e popullit dhe u gëzohen rezultateve që burojnë nga vendimmarrja e Kuvendit, si shprehje e demokracisë dhe e rendit kushtetues.
