OPINIONTË FUNDIT

​Këto dy projektligje do të jenë prioritet sipas Kurtit

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projekt-programin e projektligjeve për vitet 2026–2028. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi vendosi pakon e 19-të të masave ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, duke e përshtatur politikën e jashtme me Bashkimin Evropian. Ndërkaq, themeloi edhe dy ndërmarrje publike lokale, si dhe një zyrë për ekspertizë dhe mbikëqyrje strategjike brenda Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Albin Kurti tha se prioritet gjatë kësaj periudhe do të jenë miratimi i dy projektligjeve, ai për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe projektligji për çmimet tavan.

Këto dy projektligje do të jenë prioritet sipas Kurtit

“Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojmë për vitin 2026–2028 procedimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe projektligjin për çmimet tavan, që do t’ia përcjellim Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Krahas kësaj, Qeveria i dha dritën e gjelbër projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.

Kurti tha se kjo ujdi është në kuadër të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe se do të heqë pengesat dhe do të afrojë standardet akademike në rajon.

Kurti: Me këtë projektligj synojmë të garantojmë mobilitet real akademik

“Synon të krijojë një hapësirë më të hapur dhe funksionale të arsimit të lartë në rajon. Përmes saj lehtësohet qasja dhe pranimi i studentëve në arsimin e lartë, duke i hequr pengesat administrative dhe duke afruar standardet akademike në vendet pjesëmarrëse. Me këtë projektligj synojmë të garantojmë mobilitet real akademik dhe njohje të ndërsjellë të kualifikimeve të arsimit të mesëm dhe të lartë”, shtoi Kurti.

Gjithashtu, Qeveria mori vendim që të themelojë ndërmarrjen publike lokale “Fushë-Kosova” Sh. A., në Fushë-Kosovë, dhe ndërmarrjen publike lokale “Eko Drenasi” Sh. A., në Drenas.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se këto ndërmarrje do të ofrojnë shërbime të rëndësishme për dy komunat, përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave të ndërtesave publike dhe të tjera.

Rizvanolli tregon arsyet e themelimit të dy ndërmarrjeve publike lokale në Fushë Kosovë dhe Drenas

“Ndërmarrja do të ofrojë shërbime të rëndësishme për komunën, duke përfshirë mirëmbajtjen e hapësirave të ndërtesave publike, transportin e nxënësve dhe shërbime të tjera për institucione që aktualisht prokurohen nga operatorët privatë. Në këtë mënyrë ofrohen shërbime me kosto më të ulët dhe cilësi më të qëndrueshme”, deklaroi Rizvanolli.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca tregoi në cilat fusha do të prekin sanksionet e reja të vendosura ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Këto janë sanksionet që Kosova i vendosi ndaj Rusisë

“Zbatimin e pakos së 19-të të sanksioneve të BE-së dhe masave shtesë të BE-së ndaj Federatës Ruse… Pakoja synon sektorin e energjisë, financave, kompleksin ushtarako-industrial, tregtinë me mallra ushtarake, shërbime strategjike, përfshirë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale. Po ashtu, ndërmerr masa në lidhje me kontrollin dhe lëvizjen e diplomatëve rusë. Masat përfshijnë gjithashtu veprime të harmonizuara ndaj Bjellorusisë në sektorë të ngjashëm ekonomikë, financiarë dhe teknologjikë”, tha ai.

Në arsyetimin për themelimin e zyrës për ekspertizë, zbatim dhe mbikëqyrje strategjike, kryeministri Kurti tha se e njëjta do të jetë një instrument për të garantuar që prioritetet e qeverisë të mos mbeten në letër, por të zbatohen.

Kurti: Do të krijohet një qendër e specializuar për mbikëqyrje sistematike të projekteve kapitale

“Ajo do të angazhojë ekspertizë të nivelit të lartë për nevojat e të gjitha dikastereve, duke siguruar që çdo projekt dhe program i planit të punës të zbatohet me efikasitet, ritëm dhe standard professional. Për herë të parë përmes kësaj zyre, krijohet një qendër e specializuar për mbikëqyrje sistematike të projekteve kapitale, për monitorimin e kontratave të nënshkruara dhe për identifikimin e pengesave në zbatim”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *