OPINIONTË FUNDIT

Liria e rrëmbyer nga ideali në plaçkë pushteti

Liria e rrëmbyer në emër të luftës dhe patriotizmit, u shndërrua nga ideal i përbashkët në pronë të pushtetit.

Nga sakrificë kolektive në pronë të një grushti njerëzish

Kur ideali u kurorëzua me pushtetin, populli mbeti pa trashëgimi. Kjo nuk është metaforë, por dhimbje kolektive.

Liria për të cilën u derdh gjak e u shkatërruan familje sot ndjehet e privatizuar. Ajo që duhej të ishte frymëmarrje e përbashkët u kthye në pronë të disa duarve. Kur qytetari nuk e ndien më veten zot të saj, zhgënjimi bëhet më i rëndë se çdo robëri. Sepse secili duhet të ketë të drejtë të thotë: “Edhe unë jam pjesë e kësaj lirie.”

Disa nga ata që dolën nga lufta me petkun e çlirimtarit e trajtuan lirinë si pronë personale. E kurorëzuan me pushtetin, e shfrytëzuan për privilegje, tenderë e poste, duke e mbuluar me heshtje të imponuar. Nga simbol i sakrificës, ajo u kthye në dekor për hileqarë dhe mburojë për pasuri të papritura.

U paraqit si dhuratë e gjeneralëve të prapaskenës, si produkt pazari e aleancash të errëta. Në emër të saj u ndërtuan pallate, u heshtën zëra kritikë, u etiketuan atdhetarë si tradhtarë dhe u ngritën mekanizma drejtësie që e ekspozuan plagën tonë para botës. Në vend të drejtësisë, shpesh sundoi frika.

Në mes mbeti qytetari — i lodhur nga pritja, i përjashtuar nga vendimmarrja, i ndarë nga qytetërimi i premtuar. Liria u bë nuse me dy shtretër, e tërhequr nga interesa lindore e perëndimore, ndërsa në Dardani mbetën këpucët e përgjakura të bijve të saj.

Kjo tokë që quhej nënë, sot rrezikon të trajtohet si pronë e atyre që kanë forcën dhe pushtetin. Ideali është zëvendësuar nga interesi, sakrifica nga përfitimi. Liria nuk është më e barabartë, por e graduar sipas afërsisë me pushtetin. Ai që kërkon drejtësi, shpesh rrezikon të heshtet.

Megjithatë, populli reagoi. Me votë kërkoi ndryshim dhe përgjegjësi, duke i dhënë besim një alternative të re me shpresën për ta kthyer lirinë nga pronë private në të drejtë publike. Sepse pa votën e qytetarit, liria mbetet vetëm fjalë; me votën e tij, ajo bëhet shtet.

Nëse kushdo që merr besimin e popullit nuk e mban përgjegjësinë për ta çuar përpara amanetin dhe gjakun e derdhur, atëherë përgjegjësia bie mbi të. Proceset ecin vetëm kur udhëhiqen nga ndershmëria, drejtësia dhe vullneti i sinqertë për bashkim.

Liria është e përbashkët ,ose nuk është fare. Dhe nëse është rrëmbyer nga disa, beteja e vërtetë fillon pikërisht aty: ta kthejmë në duart e popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *