Vuçiq i alarmuar nga aleanca Kosovë–Shqipëri–Kroaci / Eksperti i sigurisë zbulon mesazhin që fshihet pas deklaratës së tij!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është shumë i shqetësuar për aleancën mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Duke folur para gazetarëve në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, Vuçiq theksoi se ende po pret përgjigje në pyetjen se pse po krijohet një aleancë ushtarake mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Ai paralajmëroi se kjo është arsyeja pse Serbia do të investojë më shumë në mbrojtje.
“Me formimin e një aleance ushtarake të Kroacisë me Prishtinën dhe Tiranën, ne jemi seriozisht të rrezikuar dhe do të merremi me këtë çështje me shumë seriozitet. Së shpejti do të marr pjesë në kolegjiumin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Ministrisë së Mbrojtjes [të Serbisë] dhe do të vizitoj të gjitha fabrikat e industrisë ushtarake. Do të investojmë një shumë të madhe shtesë të parave në fabrikat e industrisë ushtarake”, tha Vuçiq, duke shtuar se nga tani e tutje “30, ndoshta deri në 40 për qind” e prodhimit ushtarak do të destinohet drejtpërdrejt për Serbinë.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Eksperti i sigurisë synon të tregojë se reagimi i Vuçiqit reflekton pasiguri strategjike përballë bashkëpunimit të ri rajonal, ndërsa paralajmërimi për rritje të investimeve ushtarake ka më shumë karakter politik sesa një ndryshim të vërtetë ushtarak.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ai nënvizon se balanca tradicionale e fuqisë në Ballkan po sfidohet nga boshti bashkëpunues Kosovë–Shqipëri–Kroaci.
“Reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në margjinat e Munich Security Conference duhet lexuar në disa nivele strategjike dhe psikologjike të sigurisë rajonale.
Së pari – ky reagim reflekton pasiguri reale strategjike.
Për më shumë se një dekadë Serbia ka ndërtuar strategjinë e saj të sigurisë mbi premisën se Kosova është aktor i kufizuar në arkitekturën rajonale dhe se balanca ushtarake në Ballkan mbetet në favor të saj përmes armatimit intensiv, lidhjeve me Rusinë dhe Kinën dhe presionit të vazhdueshëm ndaj fqinjëve. Bashkëpunimi i strukturuar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë e sfidon drejtpërdrejt këtë premisë. Për herë të parë krijohet një bosht bashkëpunimi ushtarako-sigurues që e zhvendos fokusin nga menaxhimi i krizave drejt parandalimit të tyre.
Së dyti – paralajmërimi për rritje të investimeve ushtarake është më shumë mesazh politik sesa realitet i ri.
Serbia tashmë ka vite që rrit buxhetin e mbrojtjes dhe armatoset intensivisht. Prandaj deklarata nuk është fillim i një politike të re, por tentativë për ta paraqitur bashkëpunimin rajonal si kërcënim dhe për ta justifikuar para opinionit të brendshëm vijimin e militarizimit. Në thelb, është reagim ndaj humbjes graduale të monopolit të frikës që Serbia ka përdorur si instrument presioni në rajon”, u shpreh ai.
Duke vazhduar bisedën ai thotë se ky reagim tregon se Serbia e sheh Kosovën si aktor të konsoliduar në sigurinë rajonale, duke e trajtuar jo më si çështje të brendshme, por si pjesë të bashkëpunimit rajonal dhe euro-atlantik.
“Së treti – reagimi tregon se Serbia e percepton Kosovën si aktor gjithnjë e më të konsoliduar të sigurisë rajonale.
Vetë fakti që Kosova përmendet në të njëjtën fjali me dy shtete anëtare të NATO-s tregon ndryshimin e realitetit strategjik. Kosova nuk trajtohet më si çështje e brendshme serbe në diskursin praktik të sigurisë, por si pjesë e arkitekturës së re të bashkëpunimit rajonal dhe euro-atlantik. Kjo është një zhvendosje e rëndësishme psikologjike dhe politike”, shpejgon eksperti.
Në fund, Shala thotë që deklarata synon të influencojë audiencën ndërkombëtare, duke paraqitur Serbinë si faktor stabiliteti të rrethuar, dhe tregon se bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri–Kroaci po ndryshon balancën strategjike në Ballkan dhe po integron Kosovën gradualisht në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë.
“Së katërti – deklarata synon edhe audiencën ndërkombëtare.
Duke ngritur narrativën e “aleancave kundër Serbisë”, Beogradi përpiqet të projektojë veten si faktor stabiliteti që po “rrethohet”, me qëllim ruajtjen e hapësirës së manovrës diplomatike dhe vazhdimin e politikës së balancimit mes Perëndimit dhe Lindjes.
Pra reagimi nuk është shenjë force, por tregues i ndryshimit të balancës strategjike në Ballkan. Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri-Kroaci po perceptohet si realitet i pakthyeshëm dhe si pjesë e integrimit gradual të Kosovës në arkitekturën euro-atlantike të sigurisë.
Në këtë kontekst, pritet që ky proces të kulmojë politikisht me përfshirjen e Kosovës në agjendën e Samitit të Tiranës 2027, ku anëtarësimi i Kosovës do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit”, përfundoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.
