TË FUNDIT

“Gjuha seksiste” – Kica Xhelili përplaset me Kusarin: Janë manipulime, ekzagjerime

“Gjuha seksiste” – Kica Xhelili përplaset me Kusarin: Janë manipulime, ekzagjerime

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili i është kundërpërgjigjur shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila e cila akuzoi Lumir Abdixhikun e Avdullah Hotin për “gjuhë seksiste”.

Në një postim në Facebook, Kica- Xhelili ka kujtuar përplasjen e saj me ministren Haxhiu, duke thënë se ajo kishte tentuar ta cënojë për faktin se është grua dhe nënë e një vajze, shkruan lajmi.net.

Ajo ka rikujtuar se në atë kohë, Kusari – Lila nuk kishte reaguar.

“Nuk mbaj mend që shefja e grupit parlamentar të VV të ketë reaguar atëherë. As ndonjë deputet a deputete e shumicës. E as ndonjë organizatë që mbron të drejtat e grave në Kosovë. As kur nuk u pat votuar Rezoluta që mbronte pikërisht të drejtat e grave”, ka shkruar Kica – Xhelili.

Eedhe në situatën e sotme, deputetja në fjalë thotë se Kusari Lilës i është rikujtuar historiku i koalicioneve dhe njerëzit të cilëve u ka shërbyer gjatë pushteteve, e këtë, ajo po tenton ta shes si gjuhë seksiste.

“Këto janë grackat më të këqija të kauzave të vërteta. Standardet e dyfishta. Ekzagjerimet. Manipulimet”, shkroi Kica – Xhelili.

Postimi i plotë i deputetes së LDK-së:

Mbaj mend kur një ministre e kësaj qeverie, gjatë një debati në Kuvend, mu kthye dhe u mundua ta cënojë faktin që jam grua, e nënë e një vajze. Ky pat qenë argumenti i saj ndaj meje – argument ky që kurrë nuk e kishte përdorur ndaj një burri.

Nuk mbaj mend që shefja e grupit parlamentar të VV të ketë reaguar atëherë. As ndonjë deputet a deputete e shumicës. E as ndonjë organizatë që mbron të drejtat e grave në Kosovë. As kur nuk u pat votuar Rezoluta që mbronte pikërisht të drejtat e grave.

Ndërkaq sot, kur shefes së grupit parlamentar të VV iu përmend historiku i koalicioneve, e njerëzit të cilëve i ka shërbyer gjatë pushteteve disavjeçare (gjithmonë në cilësi të pozitave publike që realisht i kishte pasur, dhe pikërisht në kontekst politik), DISI, po mëtohet të shitet si gjuhë seksiste e mizogjene dhe reagimet janë sa të koordinuara, aq edhe të ekzagjeruara.

Këto janë grackat më të këqija të kauzave të vërteta. Standardet e dyfishta. Ekzagjerimet. Manipulimet.

Gjithmonë, GJITHMONË, kauzat shkatërrohen kur banalizohen. Prandaj jemi ku jemi sot. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *