Mandati i tretë i Kurtit, politologu zbërthen kabinetin: Cili emër shihet më pozitivisht?
Me 66 vota për, 49 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i dhënë atij mandatin e tretë në krye të ekzekutivit.
Në aspektin politik, ky është një moment domethënës. Kurti bëhet kryeministri me më së shumti mandate në historinë e pasluftës në Kosovë, çka tregon një konsolidim të fortë të mbështetjes elektorale për të dhe subjektin e tij politik.
Për herë të parë ishte zgjedhur më 03.02.2020, por Qeveria e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës, ra më 25.03.2020 pas mocionit të votëbesimit nga LDK.
Në zgjedhjet e 14.02.2021, të cilat erdhën si pasojë e rrëzimit të Qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese, Kurti doli fitues dhe u zgjodh Kryeministër për herë të dytë, më 22.03.2021.
Pas zgjedhjeve të mbajtura më 09.02.2025 në të cilat LVV mori 42.30% të votave, ai nuk arriti të bëhet kryeministër pasi nuk i kishte votat e mjaftueshme në Kuvend.
Dhe atë që dështoi ta bënte në legjislaturën e nëntë arriti ta realizoi në legjislaturën e dhjetë të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025, në të cilat LVV mori 51.10% të votave.
Në zgjedhjet e fundit, Kurti ka marrë 403,521 vota si kandidat individual.
Kabineti i Qeverisë Kurti 3, përbëhet nga tre zëvendës kryeministra dhe 19 ministra, të cilët janë janë figura të mandateve të kaluara, por edhe ata që për herë të parë janë pjesë e mandatit.
Politologu Ramadan Gjanaj, shpreh kënaqësinë që Kosova ka një qeveri që duket politikisht stabile dhe e aftë të funksionojë pa bllokime të madha institucionale.
Sipas tij, ky stabilitet është kusht thelbësor për të ndërmarrë reforma të thella, qoftë në aspektin ekonomik, administrativ apo në fushën e sundimit të ligjit.
“Qeveria Kurti 3 shfaqet qartë si vazhdimësi politike. Ajo pasqyron konsolidimin e shumicës së dalë nga zgjedhjet e fundit dhe konfirmon vullnetin e Kryeministrit për të vazhduar prioritetet e shpallura në mandatet e mëparshme: forcimin e sovranitetit institucional, afirmimin e autoritetit të shtetit në të gjithë territorin dhe vijimin e reformave të brendshme. Mund të shprehet kënaqësia që Kosova, më në fund, ka një qeveri që duket politikisht stabile dhe e aftë të funksionojë pa bllokime të mëdha institucionale. Ky stabilitet është kusht thelbësor për të ndërmarrë reforma të thella – qoftë në aspektin ekonomik, administrativ apo në fushën e sundimit të ligjit – të cilat priten si nga qytetarët e Kosovës ashtu edhe nga BE-ja dhe SHBA-të”, deklaron Gjanaj.
ImageRamadan GjanajFoto galeri
Sipas tij, mandati i tretë nis i karakterizuar nga presioni diplomatik dhe pritje të larta shoqërore.
“Megjithatë, duhet shpresuar që zgjedhja e Presidentit ose Presidentes në prill të këtij viti të mos shndërrohet në një rast për një bllokim të ri institucional. Stabiliteti qeveritar ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me vazhdimësi më të gjerë institucionale dhe nëse momentet kyçe politike menaxhohen me përgjegjësi. Ky mandat i tretë nis në një kontekst kërkues, i karakterizuar nga presion diplomatik më i shtuar dhe pritje të larta shoqërore. Stabiliteti duhet të përkthehet në rezultate konkrete dhe në një menaxhim të kujdesshëm të ekuilibrave institucionalë”, shprehet politologu.
Duke komentuar emrat e rinj e të vjetër në kabinetin e qeverisë Kurti 3, Gjanaj, thotë se pas dy mandateve radhazi është politikisht strategjike të përfshihen figura të reja për të shmangur lodhjen institucionale.
“Prania e profileve të reja mund të interpretohet si një përpjekje për rinovim pas disa viteve në pushtet. Ajo pasqyron një riekuilibrim të brendshëm brenda shumicës, por edhe një vetëdije për fenomenin natyror të konsumimit të pushtetit. Pas dy mandateve radhazi, është politikisht strategjike të përfshihen figura të reja për të shmangur lodhjen institucionale, përsëritjen e të njëjtave polemika apo perceptimin e stagnimit. Largimi i disa figurave të njohura reflekton një vullnet për të rregulluar disa orientime politike, por edhe thjesht një evolucion normal në përbërjen e një ekzekutivi që hyn në mandatin e tretë. Në këtë kuptim, rinovimi transmeton idenë se Kryeministri synon të ruajë dinamizmin dhe kredibilitetin e qeverisë. Megjithatë, thelbi nuk qëndron vetëm tek ndryshimi i emrave. Pyetja kryesore është nëse këto ndryshime do të forcojnë efikasitetin administrativ, koherencën e politikave publike dhe aftësinë e qeverisë për të menaxhuar çështjet e ndjeshme, sidomos në planin ekonomik dhe diplomatik”, thekson Gjanaj.
Glauk Konjufca, Andin Hoti, Lulëzon Jagxhiu, Blerim Gashani, Fitore Pacolli, Armend Muja, Dimal Basha e Mimoza Kusari- Lila, janë disa nga emrat e rinj që tashmë janë pjesë e kabinetit qeveritar Kurti 3.
Emërimin e Glauk Konfjucës në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, sipas Gjanajt, mund të perceptohet pozitivisht nga faktori ndërkombëtar.
Sipas tij, në përgjithësi kjo përbërje qeveritare reflekton një stabilitet të qartë politik.
“A reflekton kjo përbërje stabilitet apo mungesë konsistence dhe çfarë mesazhi po i dërgohet partnerëve ndërkombëtarë me këtë strukturë? Në planin institucional, vazhdimësia e shumicës dërgon një sinjal stabiliteti dhe parashikueshmërie, gjë që është e rëndësishme për partnerët ndërkombëtarë. Në një kontekst rajonal të brishtë, stabiliteti qeveritar është në vetvete një faktor qetësues. Emërimi i Glauk Konjufcës në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme mund të perceptohet pozitivisht nga faktori ndërkombëtar, duke marrë parasysh përvojën e tij politike dhe dukshmërinë ndërkombëtare. Megjithatë, çështja vendimtare do të jetë hapësira e tij reale e veprimit. Në mandatet e mëparshme, politika e jashtme ka qenë e centralizuar fuqishëm rreth Kryeministrit. Nëse ministri i ri do të ketë autonomi efektive dhe do të arrijë të ndërtojë një dialog më të strukturuar dhe më të qetë me partnerët perëndimorë, kjo do të kontribuonte në forcimin e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në përfundim, kjo përbërje reflekton një stabilitet të qartë politik. Por mesazhi që i dërgohet jashtë vendit do të varet më pak nga struktura formale e kabinetit dhe më shumë nga metoda e qeverisjes, respektimi i angazhimeve ndërkombëtare dhe aftësia për të ruajtur një dialog konstruktiv, veçanërisht në kuadër të procesit të normalizimit me Serbinë”, përfundon politologu.
