OPINIONTË FUNDIT

“Lutje me avion, mëkate me pushtet” / Bekteshi demaskon farsën në DC dhe godet elitën politike shqiptare!

Veprimtari shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi, ka reaguar ashpër ndaj pjesëmarrjes së politikanëve shqiptarë në të ashtuquajturat “Lutjet e Mëngjesit” në Uashington DC, duke e cilësuar këtë praktikë si hipokrizi të organizuar dhe farsë politike të financuar me para publike.

Në postimin e tij në Facebook, Bekteshi ngre pikëpyetje mbi kontrastin e thellë mes ceremonive fetare në SHBA dhe mungesës së dialogut, unitetit e përgjegjësisë politike në Tiranë dhe Prishtinë, duke theksuar se lutjet janë shndërruar në instrument imazhi, PR-i dhe kapitali politik, në kurriz të qytetarëve që përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike dhe sociale, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Pse politikanët shqiptarë, me para publike, nxitojnë të luten te “Lutjet e Mëngjesit” në Uashington DC, ndërsa në Tiranë e Prishtinë luftojnë me njëri-tjetrin 365 ditë në vit?

Qëllimi i Fondacionit të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve (te ne si ‘Lutjet e Mëngjesit’) është që të lehtësojë dhe të organizojë Lutjet nën udhëheqjen e bashkëkryetarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. I themeluar në vitin 1953, kur Presidenti Dëight D. Eisenhoëer pranoi ftesën për t’iu bashkuar anëtarëve të Kongresit në një tryezë të përbashkët, ky Mëngjes vjetor synon që përfaqësuesit politikë të luten kolektivisht për kombin amerikan, Presidentin e SHBA-së dhe udhëheqës të tjerë kombëtarë e ndërkombëtarë, në frymën e dashurisë dhe pajtimit, ashtu siç mësoi Jezusi i Nazaretit rreth 2 000 vjet më parë. (Fjala e ish-përfaqësuesit JC Ëatts Jr.)

Por, te politikanët shqiptarë, kjo ide fisnike është shndërruar në hipokrizi të organizuar. Moda e “lutjeve të mëngjesit” është kthyer në farsë politike: shumë zhurmë, shumë ceremoni, shumë kamera, dhe të gjitha të financuara me para të shtetit ose të partive. Janë lutje për imazh, për PR dhe interesa personale, jo për drejtësi, përgjegjësi apo mirëqenie publike.

“Lutjet e Mëngjesit” janë shndërruar në një garë teatrale se kush paska më shumë lidhje në DC. Aktorë politikë të përcjellë nga kamera, korridore luksi dhe gjueti fotografish me figura të famshme. Një moral i rremë, pa transparencë dhe pa përgjegjësi, që vit pas viti bëhet gjithnjë e më përbuzës dhe i turpshëm. Për politikanët tanë, tani më Zoti dhe lutjet janë dekor; qytetari është thjesht statistikë, ai që paguan faturat e tyre bujare.

Lutje zyrtare në unison, mëkate reale në praktikë.

Me para publike, na shitet moral para kamerave, sikur në kryeqytetin e diplomacisë botërore po punohet me zell për qytetarin. Në realitet, këto ceremoni mbesin të zymta dhe të dyshimta: Zoti shndërrohet në dekor, qytetari në viktimë dhe kur lutja bëhet biznes e kapital politik, mëkati quhet “ceremoni zyrtare”.

Në SHBA, ky ritual ekziston për arsye që shkojnë përtej fesë: si reflektim moral dhe përulësi, si thirrje për unitet përtej politikës, si traditë historike amerikane, si diplomaci e butë (soft power) dhe si mesazh i vlerave universale, të paqes, pajtimit, drejtësisë, faljes dhe dashurisë për tjetrin.

Pyetja thelbësore është: çfarë reflektojnë politikanët tanë me këto lutje të kushtueshme në DC, kur në vend mungon dialogu në mes partive, e lëre më uniteti?

Si duket, për ta xhamitë, kishat dhe katedralet janë “shumë të ngushta” për lutje; duhet patjetër një fluturim 8 mijë kilometra mbi Atlantik, fjetje dhe ngrënie në një nga vendet më të shtrenjta në botë, të gjitha të paguara me para publike nga shteti ndër më të varfrit.

Këto në realitet janë lutje publike, por mëkatet e politikanëve mbeten private. Faturën e paguan qytetari, ai që s’ka para për rrymën, për ngrohjen, për jetesën bazë. Ironikisht, sa më shumë që politikanët tanë “luten” vit pas viti në Uashington DC, aq më të armiqësuar bëhen mes vete për çështjet më jetike shtetërore. Për politikanët tanë, zot sikur ka vetëm në DC por jo dhe në Prishtinë e Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *