Shkruan Kimete Berisha: Të humbur në liri
(45 vjet: matematika e “drejtësisë”)
1. Jo.
Historia rishkruhet, si nuk rishkruhet?
Por para se të rishkruhet, duhet të shkruhet.
Apo?
Se nuk është e shkruar.
Dhe historia e Kosovës, në vend se të shkruhet si kujtesë kolektive, është mbajtur si pronë private:
secila mëhallë, secili fis, secila kullë dhe secila parti e ka shkruar versionin e vet… sipas inatit.
2. Historinë e Kosovës nuk e shkruajnë fitimtarët.
Historia jonë është privatizuar nga ata që dje i quanin “vrasës” e sot i vajtojnë; dje i përjashtonin, sot i shenjtërojnë.
3. Prokuroria kërkon 45 vjet burg për secilin.
Marshi i PDK-së kërkon “Drejtësi”, jo politikë.
Haga e quan “Drejtësi” kërkesën për dënimin e tyre.
Këtu qëndron rreziku i padijes:
në vend se të marshojnë kundër padrejtësisë, marshojnë për një fjalë që pala tjetër tashmë e ka monopolizuar.
Lufta semantike mes PDK-së dhe Hagës është qesharake:
PDK s’e di fjalorin, e Haga i ka qelitë.
4. Kryetari i veteranëve thotë: Me këtë kërkesë të Hagës kënaqet Serbia.”
Edhe?
Çfarë kokteji emocional është ky?
Dëshmitarët kanë qenë shqiptarë, dhe pastaj çuditen që një gjykatë… gjykon.
5. Del edhe slogani anatomik:
“Thaçi me shokë janë palca kurrizore e shtetit.”
Në rregull.
Po kush e themeloi gjykatën që sot po ia numëron rruazat?
Kush e votoi,
kush e shiti si “zgjidhje”,
kush e paketoi si “mbyllje kapitulli”,
kush e quajti “shans për pastërti”?
Absurdi dramatik:
u ndërtua dera, u vendos dryni, pastaj u kërkua çelësi me protestë.
6. Një pyetje që s’ikën:
Haga ka dënuar shqiptarë me dekada burg edhe më parë.
Pse dënimet e tyre “nuk e rrezikuan historinë”?
Çka paska ndryshuar sot… përveç emrave?
Nëse historia paska qenë “në rrezik” vetëm kur preket një emër i madh, atëherë problemi s’është historia.
Problemi është hierarkia e dhimbjes.
7. Ata ndërkombëtarët që e shtynë Kosovën drejt kësaj gjykate, koha i nxori: disa sharlatanë, disa hajnesha, disa “këshilltarë” me faturë.
Disa e kanë paralajmëruar padrejtësinë e kësaj gjykate që në koncept: nuk gjykohet lufta për liri…
por as nuk po gjykohet Liria.
8. Paradoksi më i hidhur është ky:
Hashim Thaçi, me insistimin e tij politik për këtë gjykatë, e ka rishkruar historinë në versionin më të keq të mundshëm…
jo sepse historia “u rishkrua”, por sepse u nënshkrua një mekanizëm ku ai vetë u fut si palë.
Ai nuk do të duhej të ishte as i dyshuar.
9. Sot PDK reagojnë kundër numrit 45.
Domethënë… më pak burg, bën?
P.S. Fryu era, u çel taraba.
AUTOKRITIKË: Zonja Autocensurë
