Destinacioni pas rinumërimit: Vizita “konspirative” të PDK-së dhe AAK-së në SHBA me prapaskena në dëm të Kosovës?
Zyrtarët politikë nga Kosova dhe Shqipëria së fundi kanë shpeshtuar vizitat e tyre drejt Uashingtonit. Në dhjetor të vitit që lamë pas, Presidentja Vjosë Osmani ka marrë pjesë në një takim zyrtar me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
Qëllimi i takimit ishte forcimi i partneritetit strategjik SHBA–Kosovë, siguria dhe mbështetja për dialogun me Serbinë, si dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Ndërkaq, në janar të këtij viti, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes.
Po ashtu, në të njëjtën kohë edhe kryeministri Albin Kurti ishte i ftuar në Shtëpinë e SHBA-së në Davos.
Kryeministri Albin Kurti u ftua në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos për të marrë pjesë në një diskutim mbi besimin dhe udhëheqjen, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.
Pak ditë më parë, për vizitë zyrtare në Uashington ka qëndruar edhe Ramush Haradinaj.
Po ashtu, edhe Memli Krasniqi dhe Armend Zemaj kanë qëndruar në Amerikë gjatë ditëve të para të muajit shkurt.
Edhe zyrtarë të politikës nga Shqipëria kanë qëndruar në SHBA. Njëri ndër ta ishte Niko Peleshi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Ai realizoi vizitë zyrtare në Kongresin Amerikan, duke përfshirë një takim me kongresmenin John Moolenaar, ku u diskutua rritja e bashkëpunimit strategjik Shqipëri–SHBA, siguria, mbrojtja dhe zhvillimet globale.
Por realisht, cilat mund të jenë qëllimet e vizitave kaq të shpeshta të politikanëve shqiptarë në drejtim të SHBA-së?
Qarri: Vizitat mund të mos jenë as qëllimmira dhe me “prapaskena” politike
ImageGani QarriFoto galeri
Lidhur me këtë çështje, njohës të fushës së politikës kanë komentuar këto vizita. Kështu, publicisti dhe analisti politik Gani Qarri thekson se zyrtarët e PDK-së dhe AAK-së me nxitim morën pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve” në SHBA.
“Fakti se Qeveria Kurti II dëboi nga Kosova kryeterroristin Milan Radoiçiq dhe ndaloi organizatat terroriste serbe në veri të Kosovës, duket se u ka prishur shumë punë dhe plane funksionarëve me poste të larta në PDK dhe AAK, ndaj dhe pas humbjes së zgjedhjeve nacionale më 28 dhjetor në Kosovë, dy nga ata vrapuan me nxitim që edhe pjesëmarrjen në ‘Mëngjesin e Lutjeve’ në SHBA ta keqpërdorin për takime me ish-zyrtarë pro-serbë, si Christopher Hill, i cili e ka pranuar vetë se ka kohë që është i angazhuar zyrtarisht për lobim në favor të Serbisë dhe se vazhdon të paguhet nga shteti serb, pikërisht për këtë punë”, thekson ai.
Ndër të tjera, ai thotë se, ‘me rastin e organizimit vjetor të “Ditës Kombëtare të Lutjeve”, mbi frymën e mësimeve të Jezusit të Nazaretit para më shumë se 2 000 vitesh, me ftesë të autoriteteve amerikane në SHBA, çdo vit marrin pjesë rreth 3 000 të ftuar nga politika, shoqëria civile, organizatat fetare etj., nga e gjithë bota, por derisa qëllimi i tubimit për të gjithë pjesëmarrësit, pa dallim bindjesh politike dhe përkatësie fetare, mbetet lutja për SHBA-të dhe vendet përkatëse të pjesëmarrësve, përjashtim pothuajse gjithmonë bëjnë vetëm politikanët e partive të inkriminuara shqiptare nga Kosova, të cilët, si “myslimanë” të devotshëm, me të zbritur në Uashington, vrapojnë të takojnë pikësëpari lobistë zyrtarë të Serbisë dhe mbështetësit publikë të Aleksandër Vuçiqit në SHBA.
“Prandaj mbetet mjaft konspirativ fakti se si vizitat e politikanëve të partive të inkriminuara opozitare nga Kosova, menjëherë pas përfundimit të rinumërimit të votave, u shpeshtuan në Uashington dhe SHBA, të cilat përveçse nuk janë kalendarike, mund të mos jenë as qëllimmira dhe me ‘prapaskena’ politike, në dëm të shtetit të Kosovës, takime misterioze të përfaqësuesve politikë të PDK-së dhe AAK-së, të cilët nuk hezituan që edhe ‘Mëngjesin e Lutjeve’ në SHBA ta keqpërdornin për promovimin e politikave partiake dhe konsolidimin e vazhdimit të lidhjeve me individë dhe organizata proserbe, të cilat krijojnë dyshime serioze për rrezikun e natyrës konspirative dhe qëllimin e realizimit të tyre, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Dhe derisa qëllimi i këtij tubimi ka thjesht vetëm kuptim publiko-fetar, keqpërdorimi i pjesëmarrjes nga Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhaj në ‘Mëngjesin e Lutjeve’ për takime e fotografime me zyrtarë tashmë të pushuar nga funksionet dhe që nuk kanë asnjë rol vendimmarrës në politikën amerikane, si ish-ambasadori në Serbi Christopher Hill, nuk ka të bëjë vetëm me kamuflimin e humbjes së rëndë të zgjedhjeve parlamentare, mashtrimin e mbështetësve politikë dhe hedhjen hi syve atyre që përfaqësojnë, por edhe dëshmon se kjo vërtet është një sëmundje e rëndë e politikanëve të dështuar shqipfolës në Kosovë, nga e cila ata, fatkeqësisht, nuk po arrijnë dot të shërohen as 27 vjet pas çlirimit të Kosovës, andaj duket sikur po kërkojnë terapi ‘rehabilitimi’ nga personalitete proserbe, deri në SHBA”, vlerëson Qarri.
Ai nënvizoi se vizitat e politikanëve të partive të inkriminuara opozitare, si Enver Hoxhaj nga Kosova në Uashington dhe SHBA, përveçse nuk janë kalendarike, mund të mos jenë as qëllimmira dhe me “prapaskena” politike, në dëm të shtetit të Kosovës.
“Njëjtë si Haradinaj, i cili më 9 shtator 2017 kishte pritur mbi 24 orë të ashtuquajturën ‘Listë Serbe’ për t’u kthyer nga Beogradi i Serbisë dhe me votat e saj ta bënte Ramushin kryeministër, i cili, përpos emërimit të Goran Rakiqit zëvendëskryeministër të parë të Kosovës dhe dyfishimit të pagës së vet, mbahet mend për deportimin e 6 shtetasve turq në mënyrë misterioze, për çka 16 muaj më vonë Inspektorati Policor i Kosovës ka parashtruar edhe kallëzim penal, pagimin e 168 mijë eurove të taksapaguesve të Kosovës kompanisë franceze ‘Majorelle PR & Events’ për propagandimin e ndarjes së Kosovës më 2019 nga Dhurata Hoxha, ministre e Integrimeve Evropiane në Qeverinë Haradinaj, skandalin e 53 milionë eurove të dhëna në mënyrë të dyshimtë ‘Bechtel & Enka’-s, gjykimi për të cilin rast, njëjtë si për turqit e deportuar kundërligjshëm, vazhdon edhe sot, rritjen e numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas të dhënave zyrtare ka kaluar shifrën prej 60 mijë sosh, si dhe ikjen nga Kosova të prokurorit që guxoi të niste hetimet për këtë rast, z. Elez Blakaj, i cili për shkak të kërcënimeve u detyrua të migronte bashkë me familjen në SHBA”.
“Kështu që, duke qenë se Enver Hoxhaj, në kohët më kritike të luftës për çlirimin e Kosovës, nga Vjena – kryeqyteti i Austrisë dhe pika e vendtakimeve më të rëndësishme ndërkombëtare për shumë çështje kruciale botërore – deklaronte publikisht se nëse UÇK-ja do të fitonte në Kosovë, ai do të kërkonte azil në Beograd, Ramush Haradinaj, pasi e bëri Goran Rakiqin e të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ zëvendëskryeministër të parë të Republikës së Kosovës, për të qëndruar vetëm disa muaj në karrigen e të parit të qeverisë së PAN-it, sikur mos të mjaftonin aktet e lartcekura kundërligjore, ai shkaktoi edhe tradhti kombëtare, duke ia falur edhe 8 200 hektarë tokë autoktone të Kosovës Malit të Zi”, kujton Qarri.
Sipas tij, është momenti vendimtar që, përkundër faktit të ditur publikisht se prokuroria dhe gjyqësia janë të kapura nga PDK-ja dhe AAK-ja, Qeveria e re duhet të gjejë mekanizma efikasë për reformimin e tërësishëm të mbarë sistemit të drejtësisë dhe hetimin e qëllimit të takimeve të politikanëve të partive të inkriminuara me Christopher Hill dhe zyrtarë të tjerë konspirativë proserbë në SHBA.
“Veprimet e tyre, të tashme dhe në të kaluarën, nuk kanë vënë në pikëpyetje vetëm përgjegjësinë personale dhe karakterin moral e politik të Enver Hoxhajt, dje në raport me luftën e UÇK-së e sot me lirinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, por pas deklarimeve dhe etiketimit publik të kryeministrit Kurti, pa asnjë argument, si pro-serb nga Haradinaj, edhe takimet aktuale të Haradinajt dhe të Enver Hoxhajt me njerëz të dyshimtë në SHBA, menjëherë pas përfundimit të rinumërimit të votave në Kosovë, përveçse nuk janë kalendarike, mund të mos jenë as qëllimmira dhe me ‘prapaskena’ të dyshimta politike, në dëm të shtetit të Kosovës, ndaj duhet të hetohen deri në imtësi dhe përfundimisht të marrin përgjigjen e merituar ligjore dhe juridike”, thotë analisti Qarri për ‘Bota sot’.
Makolli: Vizitat e politikanëve në Uashington, edhe kur janë kalendarike ose rastësore, nëse jepet rasti shfrytëzohen për interesa politike të vendit
ImageVesel MakolliFoto galeri
Po ashtu, edhe analisti politik Vesel Makolli, në një prononcim të tij, thekson se SHBA-të, si shteti që ka ndikimin më të madh, për të mos thënë vendimtar, në politikën gjeostrategjike botërore, vendet e vogla i shohin si mbrojtës dhe përkrahës kyç në zhvillimin dhe prosperitetin e tyre sovran, shtetëror dhe zhvillimor.
“Në veçanti, SHBA-të ofrojnë garanci sigurie për shtetet e vogla që kanë histori konflikti dhe të cilave u rrezikohet stabiliteti politik, ekonomik dhe sovraniteti. Kosova është shtet i pavarur falë ndihmës ushtarake dhe ekonomike të SHBA-ve dhe aleatëve të saj, prandaj miqtë tanë amerikanë janë shpëtimtarë dhe garanci për sovranitetin e shtetit tonë dhe prosperitetin e tij zhvillimor, ekonomik, arsimor e kulturor”, vlerëson Makolli.
Sipas tij, liderët e vendeve të vogla nuk shkojnë në Uashington vetëm për politikë të jashtme; për ta, vizitat në Uashington janë shpesh investim politik i brendshëm, të cilat përdoren për forcimin e pozicionit të liderit në shtëpi.
“Në këtë kontekst, vizitat e politikanëve në Uashington, edhe kur janë kalendarike ose rastësore, nëse jepet rasti, shfrytëzohen për interesa politike të vendit dhe për ngritjen e rejtingut personal të politikanëve gjegjës. Në situatën aktuale politike në të cilën gjendet shteti ynë, zhvillimet e ditëve në vijim rreth konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve shtetërore, të cilat janë jetike për kapjen e hapit kohor drejt arritjes së qëllimeve tona zhvillimore dhe prosperuese, si dhe për finalizimin e shtetësisë sonë, e bëjnë kruciale qëndrimin dhe ndihmën morale, politike, ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së dhe aleatëve të saj”, thotë analisti Makolli për ‘Bota sot’.
