Opinion: Beteja për reformë në KPK
Zbatimi i reformës në Këshillin Prokurorial po pengohet nga vetë anëtarët e KPK-së, ani pse ligji është në fuqi. Ndryshimet ligjore për Këshillin Prokurorial kishin për qëllim luftimin e korporatizmit brenda KPK-së. Megjithatë, frytet e reformës nuk po shihen, për shkak të rezistencës së madhe të brendshme ndaj zbatimit të ligjit. Kështu deklarojnë nga Ministria e Drejtësisë.
“Shohim një rezistencë të hatashme të tyre, tendencë për ta kapur vetë Këshillin Prokurorial apo pozita të caktuara brenda KPK-së. Dhe ne me iu thënë të drejtën kemi synuar përmes kësaj reforme të eliminojmë këto grupe të interesit, këtë formë të koorporatizmit që ekziston brenda KPK-së, dhe të sjellim llogaridhënie”, tha Genc Nimoni, shef kabineti, këshilltar i lartë në MD.
Nimoni thekson se si zgjidhje shihet përbërja e plotë e Këshillit Prokurorial dhe anëtarëve të zgjedhur.
“Ka mbetur të kompletohet përbërja e Këshillit, për momentin janë 5 anëtarë, do të duhej të ishin 7, një anëtar prokuror është në proces pasi është zgjedhur në vjeshtën që shkoi, fatkeqësisht nuk është certifikuar ende nga Këshilli Prokurorial për shkak të këtyre problemeve dhe tendencave për ta kapur nga grupacionet të caktuara aty, dhe gjithashtu ka mbetur të kompletohet edhe me një anëtar tjetër joprokuoror që do të ndodhë pasi të formohet Kuvendi”, tha Nimoni
Lufta kundër koorporatizmit brenda KPK-së, përmes ndryshimit të ligjit dhe reformës, ende shihet e pamundur, vlerëson Betim Musliu, ndërsa vë në pah rezistencën e madhe brenda Këshillit Prokurorial.
“Lufta e Brendshme e Këshillit Prokurorial, duke mos certifikuar anëtaren e zgjedhur në konferencën vjetore dhe duke mos proceduar me zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Prokurorial. Pa konstitumin e Këshillit nuk do të ketë vazhdimësi dhe zhvillim të proceseve të rëndësishme siç është edhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjitha këto janë peng dhe ajo që është e papranueshme është fakti që jemi ende duke u qeverisur në KPK me ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit t Shtetit”, tha Betim Musliu.
Pasqyra e zhvillimeve në KPK është bërë objekt i kritikave nga ana e Bashkimit Evropian për shkak të veprimeve të këtij Këshilli për ta shtyrë procesin e reformës, e që si pasojë janë zvarritur shumë procese të rëndësishme, përfshirë edhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit.
Për zhvillimet në KPK, pavarësisht kërkesës së RTK-së për prononcim, deri më tani nuk ka përgjigje.
