Biseda skandaloze mes Lajçakut dhe Epstein / Njohësit flasin për ndikimin në dialogun Kosovë–Serbi, alarmojnë për pasojat!
Një nga temat më të përfolura kohëve të fundit, është përfshirja e ish të dërguarit nga Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në komunikim me financierin pedofil Jeffrey Epstein.
Kjo çështje ka ngjallur reagime të mëdha në opinonin publik, duke pasuar më pas edhe me dorëheqjen e Lajçak nga pozita si këshilltar i kryeministrit sllovak Robert Fico.
Lajçak është mbrojtur me pretendimin se vetëm pas arrestimit të Epsteinit, u bë plotësisht e njohur shkalla “e veprimeve të tij të papranueshme”.
Si diplomat, thotë zyrtari europian, kam kontaktuar me shumë njerëz që kishin influencë, por qëndrimi im ka qenë professional.
Lajçak këmbëngul se e ka ndërgjegjen të pastër dhe nuk ka dalë për asgjë jashtë kornizave të normales. Diplomati sllovak argumentoi gjithashtu se njeriu në jetë “merr vendime bazuar në informacionin që ka për momentin, dhe jo mbi gjëra të cilat ende nuk i di”.
Mirëpo të gjendur në këtë pikë të kësaj çështje a mund ta komprometojnë dyshimet për përfshirjen e Miroslav Lajçak në komunikime të lidhura me aferën Epstein rolin e tij si ndërmjetësues në dialogun Kosovë–Serbi, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe duke e detyruar Bashkimin Evropian të rishqyrtojë qasjen dhe fazën e re të këtij dialogu?
Shabani: Problemi real është se Lajçaku e ka dëmtuar dialogun
ImageAmir ShabaniFoto galeri
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani.
Shabani thotë se skandali i Lajçakut nuk e cenon Marrëveshjen e Ohrit, sepse ajo ishte tashmë e përfunduar dhe mandati i tij kishte mbaruar.
Sipas tij, problemi real është se Lajçaku e ka dëmtuar dialogun sa ishte në detyrë dhe rreziku kryesor për zbatimin e marrëveshjes vjen nga mosrespektimi i saj nga Serbia, jo nga skandalet personale.
“Afera (ose e vërteta) që u publikua nga dokumentet Epstein për Miroslav Lajçak, nuk besoj se mund të sjell njollosje të Marrëveshjes së Ohrit sepse ajo ishte një marrëveshje e kryer dhe Lajçakut i përfundoi mandati para se t’i dilte ky skandal. Por, a e ka dëmtuar Lajçaku dialogun Kosovë-Serbi sa ka qenë në detyrë?! Për mendimin tim, po.
Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk rrezikon zbatimin nga publikimi j skandaleve të Lajçakut aq sa rrezikon nga mosrespektimi i vet marrëveshjes nga Serbia, gjë që diplomacia e Kosovës po ia pakëson mundësitë Vuçiqit për një veprim të tillë”, u shpreh ai.
Tutje, njohësi thekson që dialogu Kosovë–Serbi nuk do të hyjë në fazë të re për shkak komprometimit të Lajçakut, por mund të ndryshojë për shkak zhvillimeve gjeopolitike si anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes.
Ai potencon se BE-ja duhet ta rishqyrtojë rolin e Lajçakut, pasi anshmëria e tij ndaj Serbisë ka qenë e dukshme dhe bie ndesh me parimin e paanshmërisë që duhet ta ketë një ndërmjetës.
“Nuk besoj se dialogu Kosovë-Serbi do hyn në një fazë të re për shkak kompromentimit me ish-ndërmjetësuesin kryesor, por mund të hyn në fazë të re për shkak zhvillimeve gjeopolitike, veçanërisht anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Padyshim se BE-ja duhet ta rishqyrtojë rolin e Lajcakut pas publikimeve të këtyre komunikimeve sepse anshmëria (krah Serbisë) ka qenë e shfaqur dhe e shprehur disa herë nga ai gjatë kryerjes së mandatit, ndërsa nërmjetësuesi duhet të jetë i paanshëm dhe të ofrojë zgjidhje diplomatike për konfliktin e caktuar”, foli Shabani për “Bota sot”.
Duhanaj: Afera Epstein, autoriteti moral dhe pasojat politike për Kosovën
Ndërsa njohësi për çështje politike, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se afera Epstein e godet para së gjithash autoritetin moral të figurave të përfshira dhe se pa kredibilitet moral humbet edhe legjitimiteti politik, duke theksuar se Lajçak as më herët nuk ka pasur autoritet real në Kosovë.
ImageLeon DuhanajFoto galeri
Gjithashtu, ai potencon që pavarësisht zhvillimeve që lidhen me aspektin moral të figurës së z. Lajçak, pasojat politike të këtyre marrëveshjeve mbeten të pandryshuara
“Kur flitet për aferën Epstein, duhet theksuar qartë se fokusi kryesor i kësaj çështjeje është aspekti moral. Çdo individ që përmendet apo lidhet me këtë aferë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, në radhë të parë përballet me humbjen e autoritetit moral. Pasojat politike vijnë vetëm më pas, si derivat i këtij degradimi etik.
Në politikën e lartë globale, autoriteti dhe kredibiliteti moral përbëjnë bazamentin mbi të cilin ndërtohet autoriteti politik. Pa këtë themel, roli ndërmjetësues, përfaqësues apo vendimmarrës humbet legjitimitetin dhe bëhet i cenueshëm në perceptimin publik dhe diplomatik.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se z. Miroslav Lajçak, në shoqërinë kosovare-shqiptare, as para këtyre zhvillimeve nuk ka gëzuar ndonjë autoritet të veçantë moral apo politik. Përkundrazi, ka pasur periudha kur politikanë të nivelit të lartë në Kosovë kanë refuzuar ta takonin atë, pikërisht për shkak të mungesës së besimit dhe kredibilitetit.
Pavarësisht zhvillimeve që lidhen me aspektin moral të figurës së z. Lajçak, pasojat politike të këtyre marrëveshjeve mbeten të pandryshuara. Kjo situatë i ngjan metaforës së gozhdës së ngulur në dërrasë: edhe nëse gozhda hiqet, vrima mbetet”, shpjegoi analisti.
Në fund, analisti nënvizon se Kosovës i duhet menjëherë unitet politik dhe shoqëror për të shfrytëzuar çdo hapësirë ndërkombëtare që i paraqitet.
Sipas tij, kjo është e domosdoshme si për të riparuar dëmet e mundshme, ashtu edhe për t’u orientuar seriozisht drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.
“Në këtë fazë, Kosovës i nevojitet urgjentisht një gjuhë bashkëpunimi dhe uniteti politik e shoqëror, për të shfrytëzuar çdo momentum ndërkombëtar të mundshëm.
Një qasje e tillë do të mundësonte, së pari, korrigjimin e dëmeve që ende mund të korrigjohen dhe, së dyti, orientimin serioz drejt një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, me synimin për mbylljen e kësaj sage të gjatë dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.
